Dashuria me shikim te pare, nje fantazi apo realitet?

Goditje rrufeje, nje rrufe ne qiell te paster, dashuri me shikim te pare… besojme e keni degjuar shpesh, mbase dikush prej jush e ka provuar. Por si ka mundësi që të ndodhë kjo?

Dashuri me shikim të parë: filmat dhe romanet janë të mbushura plot me histori të tilla… Eshte ajo tërheqje e papritur, instiktive dhe totale që mund të ndodhë të provosh për një njeri që e shikon për herë të parë. Ndjesitë? Një emocion i fortë, një zhytje në zemër, duar që djersijnë… Por sidomos një siguri vetjake: e dëshironi. Nuk është vetëm i lezetshëm, është ai i duhuri! Keni rënë në dashuri që tani! Por, kujdes! Mund të humbasësh toruan… por jo trurin!

Le të shohim një herë dhe më pas vendosim se çfarë duhet të bëjmë me këtë takim të mrekullueshëm.

Përse ndodh? 6 shpjegime të mundshme

1. Kur shohim një njeri marrim shumë informacione mbi të: fytyrën, mënyrën se si lëviz, se si është veshur, tonin e zërit, etj. Nëse gjithë këto shenja ju thonë që të pëlqen, ndeshja me to mund të jetë… shpërthyese.

2. Ndoshta djali që ju ka bërë përshtypje ju kujton në ndonjëfarë mënyre një prej prindërve tuaj. Ju nuk jeni e vetëdijshme, por ju sjell ndër mend kujtime shumë të thella të një dashurie shumë të fortë… Dhe natyrisht kjo ju emocionon!

3. Mund të jetë një çështje “lëkure”. Ndoshta pa e kuptuar keni ndjerë aromën e tij dhe ju ka ardhur mesazhi i “ferromoneve”, ndërmjetës kimikë që prekin nuhatjen dhe që shkaktojnë tërheqjen.

4. Shkencëtarët thonë që tërhiqemi nga njerëzit që janë më të përshtatshëm për vazhdimësinë e llojit. Pra, nëse shikoni një djalë me “gene” që ju pëlqejnë në veçanti, bieni në dashuri menjëherë, pa e ditur përse.

5. Ai është shumë i bukur, sytë dhe flokët i ka tamam ashtu siç ju pëlqejnë juve, i ngjan aktorit tuaj të preferuar. Por e keni parë vetëm kalimthi dhe nuk keni mundur ta shikoni se si lëviz dhe flet, çfarë thotë, nuk i dini cilësitë dhe të metat e tij. Pra, me një fjalë, është i përkryer: bëni plane mbi ju të dy dhe e bindni veten që edhe karakterin e ka ashtu siç ju pëlqen juve!

6. Pastaj, ka nga ato që besojnë në teorinë e rimishërimit dhe nëse ju thotë ju duket sikur njiheni… është ngaqë në një kohë tjetër keni qenë të dashur.

Kujdes…

Kjo listë shqetësimesh ndoshta mund t’ju shkurajojë disi, por mendohuni: nëse është dashuri e vërtetë këto përkujdesje nuk do ta bezdisin aspak. Pra, jini optimiste, besoni në vetvete: po mbroheni jo nga ndjenjat, por nga imitime defektoze të mundshme.

> Jeni e lidhur me dikë tjetër? Mos nxitoni që të lini të dashurin tuaj vetëm për pasionin e një casti, që gjithsesi është për t’u verifikuar. Nëse doni të jeni e ndershme, mund t’i thoni që jeni takuar me dikë tjetër që ju ka bërë për vete, dhe që ndjeni se duhet ta takoni përsëri që të kuptoni veten. Do të lëndohet, patjetër, por është më mirë sesa ta lini menjëherë, dhe ndoshta më pas të zhgënjeheni nga ai tjetri.

> Përpara se të hidheni në krahët e një të panjohuri pyeteni nëse është i lirë! Mund të ndodhë që pëlqimi juaj të jetë i vërtetë, por ai mund të ketë nevojë për të kuptuar nëse do të lirohet nga lidhjet e mëparshme. Mos mendoni asnjëherë që meqënëse ai ju do, gjërat e tjera nuk kanë rëndësi.

> Përpiquni të kuptoni se me kë keni të bëni. Tërheqja fizike mund të jetë shumë e fortë, por nëse ai është një Don Zhuan, që është mësuar të ketë shumë lidhje, nuk bën për ju!

> Përpiquni të kuptoni ç’lloj tërheqje ju lidh. Eshtë një rrymë sensualiteti apo është një interes më intelektual (ndoshta ju ka bërë përshtypje ndonjë gjë që ju ka thënë)? Përpiquni të kuptoni nëse ju pëlqen në shumë plane ose ju pëlqen vetëm në një.

> Doni të hidheni në krahët e tij që natën e parë? Ndoshta është shumë shpejt… Por sidoqoftë, mos shkoni në makinë me të ose në ndonjë vend të izoluar. Jepini vetëm ndonjë puthje në disko ose në pab, dhe nëse keni shtëpinë e lirë dhe e dëshironi, thuajini të ngjitet te ju. Por mos rrezikoni më shumë. Ndoshta në të ardhmen mund të martoheni me të dhe do të keni fëmijë, por sot për sot ai është një i panjohur!

> Mos i deklaroni dashurinë tuaj pa jua thënë ai më parë. Nuk është e sigurt që ajo që ndieni t’ju kthehet me të njëjtën monedhë. Thuaji ndonjë gjë që të mos ju kompromentojë dhe më pas prisni reagimin e tij.
Mos harroni: nëse është dashuri e vërtetë, do të keni të gjithë kohën për të thënë fjalë të zjarrta…

Optimizëm? Po, faleminderit

Një dashuri me shikim të parë është një emocion shumë i fortë, të jep një energji, të ndez entuziazmin. Jeni aq shumë e bindur sa menjëherë kaloni në veprim: e dini që këtë herë mund të guxoni, mund të kapërceni ndrojtjen tuaj. mund t’i flisni, t’i tregoni se çfarë ka shkaktuar ai te ju. Mirë, dihet që rreziku është pjesë e jetës, por përpiquni që të rrini me këmbë në tokë!

Problemi me këto dashuri, është që asnjëherë nuk i dihet. Mund të jetë vetëm një pasion i çastit ose dashuri e vërtetë. Dhe në rastin e parë rrezikoni të pësoni ndonjë zhgënjim…

Çfarë duhet të bëni?


Ecni me ngadalë, afrohuni me këtë djalë dhe mundohuni ta njihni më mirë. Para së gjithash provoni të kuptoni se nëse edhe ai ka patur një zbulim të së ardhmes suaj së bashku, ose nëse vetëm sa po shfrytëzon entuziazmin tuaj për t’ju joshur.

Dashuria me shikim të parë është reciproke? Mrekulli: atëherë mund të filloni të shoqëroheni… Nëse ai i përshpejton gjërat, për shembull, duke ju thënë “Më duket sikur kam një jetë që të njoh, pse duhet të hezitojmë…”? Ju mund t’i përgjigjeni duke i thënë që keni ende nevojë për kohë që të verifikoni nëse me të vërtetë bëhet fjalë për një dashuri të madhe dhe jo vetëm për një fantazi.

© Revista Femra Moderne

femra-moderne.com

Start typing and press Enter to search