Te dobesoheni eshte e mundur nese ushqeheni ne menyren e duhur. Dhe nese jeni në ethe për provat e rrobave të banjës, mos u shqetesoni. I kemi kërkuar shpikësit të dietës South Beach të krijojë për një variant më të “butë”. Lexoni dhe… dobësohuni!
A keni dëgjuar ndonjëherë për dietën e South Beach? Nëse jo, dëgjoni mirë tani. E bukura e këtij regjimi është se nuk do të synoni te sasia, por te cilësia e ushqimeve. Pasi të keni shmangur ato ushqime që janë të ndaluara, nuk duhet të kufizoni as racionet e as mëlmimet. Do të shikoni që do të hani dhe nuk do të refuzoni as edhe një aperitiv. Dhe kur të vishni rrobat e banjës, do të bërtisni: “Mrekulli!”.
Eliminoni karbohidratet shumë të përpunuara
A keni darkuar ndonjëherë me tipa të tillë që, kur shohin bukën ose makaronat, bëjnë shenjën e kryqit? Sepse, sipas këtyre dietave, karbohidratet janë si fileto e mishit për një vegjetarian. Ndërsa shpikësi i dietës South Beach, Agatson, thotë që mjafton t’i hamë në variantin integral për të shmangur efektet negative në linjën tonë. Duke qenë më të pasura me fibra, organizmi do më shumë kohë për t’i shpërbërë. Për këtë arsye ndihemi të ngopur për një kohë të gjatë, duke mos na lënë që të hamë shumë. Ndërsa sheqeri, birra, orizi i bardhë, buka e bardhë, patatet dhe mielli i bardhë, kalojnë menjëherë në stomak, dhe sapo hyjnë në qarkullim, ngrejnë insulinën, një hormon që ndikon në metabolizëm. Nëse hamë shumë, insulina është kaq shumë e zënë me përpunimin e sheqerit saqë nuk ka kohë të kryejë detyrën tjetër, pra të ndihmojë organizmin të djegë yndyrnat.
Jo të gjitha proteinat janë njëlloj
Siç e dimë mishi ka veti ngopëse dhe ul shpejtësinë e tretjes së karbohidrateve. Por konsumimi i tepruar i mishit të kuq, që është i pasur me yndyrna të ngopura, ka një efekt negativ në nivelet e insulinës. Prandaj, zgjidhni më mirë mishin e pulës dhe të gjelit, pa lëkurë, mishin e derrit, peshkun, krustacet, mishin e viçit, pa dhjamë. Ndërfusni në dietë edhe burime alternative proteinash, si vezë, fruta të thata dhe zarzavate.
Shmangini pothuajse të gjitha prodhimet light
Ndërsa yndyrnat e ngopura të shtojnë në peshë, yndyrnat e pangopura nuk e kanë këtë efekt. Këto gjenden te salmoni, vaji i ullirit, avokado, që ngadalësojnë procesin e tretjes, duke parandaluar gjendjet kulmore të insulinës, duke bërë që të ndiheni më e ngopur. Por lajmi i mirë është ky: nëse hani një fetë bukë, edhe të zezë, më mirë hidhini sipër një pikë vaj ulliri, madje edhe gjalpë, sesa marmalatë të ëmbël. Sheqeri i kësaj të fundit e ngre së tepërmi nivelin e insulinës, ndërsa vaji dhe gjalpi e ngadalësojnë përthithjen e karbohidrateve. Shumë prodhime light si biskotat, biskotat me kripë ose majoneza janë ushqime që të shëndoshin më shumë se ato normalet. Përjashtim bëjnë djathërat dhe kosi i frutave, të prodhuar me qumësht të skremuar ose pjesërisht të skremuar.
Hani të paktën gjashtë herë në ditë
Po, po, shumë mirë e keni lexuar. Doktori pohon se po të hamë 3 vakte të bollshme në ditë, plus tre zëmra, do të na ndihmojë për t’u dobësuar. Duke ngrënë shpesh, glicemia stabilizohet dhe nuk zbret asnjëherë në atë pikë që jemi të detyruar të dendemi në ushqim. Ndërkohë, e mban metabolizmin aktiv. Për t’u përshtatur ndaj një diete shumë të varfër me kalori, organizmi fillon “të konsumojë” më pak. Por edhe nëse hani pak nuk bini nga pesha. Jo vetëm kaq, por metabolizmi juaj do të bëhet shumë dembel.
Eshtë ëmbëlsira që s’ju vret ndërgjegjen
Eshtë çasti-sfidë për çdo dietë: në mbrëmje, shtriqeni në divan pasi keni ngrënë darkë, ndizni televizorin, kur, papritmas ju kap një dëshirë e madhe për ëmbëlsira. Por doktor Agatson e ka gjetur zgjidhjen edhe për këtë. Ose më mirë, recetën e tij për një ëmbëlsirë që mund ta bëni përditë. Merrni 100 g gjizë të ëmbël pa yndyrë, shtoni një lugë kakao të hidhur, disa pika ëmbëlsues dhe pastaj përziejini të gjitha. Varianti: hidhni pak kanellë pluhur ose, në vend të çokollatës, disa pika esencë vaniljeje.
Denduni sa të doni
Po, po, pikërisht kështu. Një pikë tjetër e fortë e kësaj diete është që nuk duhet të peshoni sa vini në tavolinë. Sepse çelësi i saj është lufta kundër sheqernave dhe jo yndyrnave. Sapo të filloni të hani më shumë proteina dhe më pak karbohidrate, do të ngopeni më shpejt dhe do të keni shumë më pak dëshirë për të ngrënë. Kështu që do të kufizoheni vetë. Përjashtimi i vetëm janë frutat e thata, sidomos bajamet që bëjnë mirë, por janë të pasura me yndyrna. Kufiri është 15 në ditë.
Edhe perimet kanë sheqer
Sipas Agatsonit, perimet (edhe misri, bizelet ose patatet) duhen shmangur njëlloj si shmangni ëmbëlsirën e gjyshes. Treguesi i tyre glicemik është shumë i lartë, sepse është i përbërë me sheqerna të përbërë. Ndërsa perimet me gjethe jeshile si, domatet, selinoja, kastraveci, angjinaret, lulelakrat, specat, kërpudhat, kungulleshkat dhe qepët mund t’i konsumoni pa problem.
Kush e ka thënë që frutat të dobësojnë?
Le të ngjitemi në bankën e të pandehurve, ku këtë herë i pandehuri është ananasi që, ashtu si shalqiu dhe bananet, ka një tregues të lartë glicemik, dhe kështu duhen kufizuar në favor të frutave të pyllit, mollët, portokallit dhe grepfrutit. Kujdes edhe nga lëngjet e frutave që përmbajnë shumë fruktozë, sheqeri natyral i frutave.
Thuajini po xhin tonikut dhe lini birrën
Një tjetër lajm i mirë, përsa i përket jetës suaj mondane. Agatson thotë që pijet shumë të forta alkoolike (si vodka, uiski dhe xhin) ndikojnë më pak në glicemi në krahasim me birrën. Pra nëse duhet patjetër të pini merrni një xhin tonik.
Agatson i lë rrugë të lirë edhe verës, sidomos verës së kuqe, që i bën mirë zemrës dhe ngadalëson shpejtësinë e tretjes së vaktit që keni ngrënë. Prandaj nëse doni të dobësoheni pini një gotë verë në darkë.