Donald Trump: Do të jem presidenti i të gjithë amerikanëve

Republikani Donald Trump u zgjodh sot presidenti i SHBA-së duke marrë 278 super delegatë nga 270 të nevojshme për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2017, kundër 219 për rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton.

Donald Trumpi i surprizoi të gjithë duke fituar presidencialet amerikane kundër të gjitha parashikimeve. Kandidati republikan arriti të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë duke siguruar 276 super delegatë.

Donald Trump, i zgjedhur president i SHBA-së, konfirmoi sot gjatë fjalimit të tij të fitores se do të jetë presidenti i të gjithë amerikanëve.

“Kam marrë një telefonatë nga ish-sekretarja Clinton. Ajo na përshëndeti (…) Dhe e përshëndeta, atë dhe familjen e saj për këtë fushatë shumë të vështirë”, deklaroi ai në hapje të fjalimit në Nju Jork. “Hillary ka punuar për një kohë të gjatë dhe shumë fort”, shtoi ai duke konfirmuar se SHBA-ja i detyrohej Clintonit për shërbimet e saj. “Ka ardhur ora për Amerikën të shërojë plagët e ndarjes”, theksoi ai.

Presidenti i ri i fuqisë së parë botërore ka shprehur siguri edhe ndaj vendeve të tjera. “Ne do të jemi të hapur me të gjitha vendet e tjera që kanë vullnetin të jenë të hapur me ne”, deklaroi ai. “Ne do t’i trajtojmë të gjithë në mënyrë të drejtë, të gjithë personat dhe të gjitha vendet”, nënvizoi miliarderi pa asnjë eksperiencë politike, zgjedhja e të cilit ka zhytur SHBA-në dhe botën në pasiguri.

femra-moderne.com