Marrëdhëniet seksuale të nxehta dhe periodike
Është e vërtetuar tashmë se marrëdhëniet seksuale sporadike ose mungesa e plotë e tyre për një kohë të gjatë i ul mjaft mundësitë për ngjizjen. Është e këshillueshme që marrëdhëniet seksuale të jenë të shpeshta dhe të rregullta si para ashtu edhe gjatë kohës së planifikimit të shtatzënisë. Sipas një studimi të kryer, mundësia më e madhe për shtatzëni është atëherë kur partnerët të kenë kryer marrëdhënie seksuale së paku njëqind herë. Sipas autorit të studimit, dr. Mike Smith, “të pasurit e një numri të tillë marrëdhëniesh seksuale mes çiftit e bën praktikimin e përsosur dhe me këtë rast mundësitë për shtatzëni rriten shumë.” Gjatë kohës së planifikimit të shtatzënisë, marrëdhëniet seksuale duhet të jenë të paktën çdo tre ditë. Tek mashkulli, në mungesë të marrëdhënieve të shpeshta seksuale rritet numri i spermatozoideve të vjetëruara, dhe si pasojë, ulet numri i spermatozoideve fertilizues.
Në mundësinë për mbetjen shtatzënë, një vend të rëndësishëm zë gjithashtu edhe mënyra se si çifti i koncepton dhe i realizon marrëdhëniet seksuale. Ato duhet të jenë marrëdhënie të nxitura nga dëshira dhe hormonet tuaja dhe jo thjesht nga presioni psikologjik se marrëdhëniet duhen kryer për të pasur një fëmijë. Nëse niveli hormonal i çiftit është i lartë, kjo lehtëson shumë reaksionet metabolike, gjallëron sistemet riprodhuese të tyre dhe rrit mundësinë për shtatzëni. Nga studimet është vënë re se kur marrëdhëniet janë plot pasion dhe me nivel të lartë testosteroni dhe estrogjenësh, mundësia për shtatzëni është më e madhe. Për këtë çiftet rekomandohen të kenë marrëdhënie të tilla plot afsh dhe pasion, larg streseve dhe idesë për të pasur një fëmijë.
Gjatë konferencës në Londër të mbajtur nga Ekspertët e Shoqërisë Europiane për riprodhimin dhe embrionologjinë, u theksuar se nëse të dy partnerët arrijnë në orgazmë në të njëjtën kohë, mundësia për mbarsje është tepër e lartë. Marrëdhëniet seksuale të mbushura me kënaqësi dhe dashuri të ndërsjelltë mes partnerëve ndikojnë gjithashtu edhe në rrafshin praktik: pas ejakulimit, koitusi e shoqëruar me një përqafim të gjatë krijon një efekt “tampon” ndaj spermës duke mos e lënë atë të dalë jashtë. Nga pikëpamja kohore, periudha e muajit të mjaltit është ideale për të planifikuar një fëmijë.
Kryeni marrëdhënie gjatë kohës së ovulimit
Fertilizimi ndodh gjatë periudhës së ovulimit. Është pikërisht kjo periudhë që përkon edhe me dëshirën e shtuar për marrëdhënie seksuale. Për ta ditur ovulimin duhet ta llogarisni përmes kohëzgjatjes së ciklit. Nëse e keni ciklin normal (28 ditë), me siguri ovulimin do ta keni rreth ditës së 14-të. Përveç llogaritjes kalendarike, ovulimi dallohet edhe nga disa shenja të tjera. Kështu, mukusi (lëngu) çervikal në këtë periudhë është më i holluar dhe i ngjitshëm mes gishtave në ndryshim me periudhën jashtë ovulimit, kur ai është i trashë dhe i pangjitshëm. Gjithashtu, mukusi cervikal gjatë ovulimit shpesh lë shenja edhe tek të brendshmet.
Një shenjë e rëndësishme e rëndësishme e ovulimit është edhe rritja e temperaturës së trupit. Gjatë ovulimit, temperatura e trupit rritet dhe zbret sërish me mbarimin e periudhës së ovulimit. Egziston edhe një mënyrë praktike për të identifikuar periudhën e ovulimit. Nëpërmjet një testi të thjeshtë që mat nivelin e hormoneve, përcaktohet me saktësi periudha e ovulimit.
Dieta ushqimore
Një dietë plotësisht e ekuilibruar do t’ju ndihmojë të mbani organizmin në një formë të shëndetshme dhe në gjendje për një shtatzëni sa më të shpejtë. Si mashkulli, ashtu edhe femra duhet të kenë një dietë të shëndetshme dhe një peshë gjithashtu të shëndetshme. Nëpërmjet dietës, mashkulli duhet të marrë vitaminat C dhe E, konsumimi i të cilave rrit mjaft cilësinë e spermatozoidëve dhe aftësinë e tyre për të “notuar” energjikisht drejt vezës. Për këtë çifti duhet të konsumojë sa më shumë fruta, perime si dhe peshk.
Aktiviteti fizik
Aktiviteti fizik është mjaft i rëndësishëm për shëndetin riprodhues. Mjaft specialistë të shëndetit riprodhues dhe fitnesit rekomandojnë që trupi të përgatitet për shtatzëni së paku një vit më parë. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm në dy plane: së pari ndikon në një shëndet të mirë riprodhues dhe shtatzëni të shpejtë dhe së dyti, trupi i gruas përgatitet për një sërë ndryshimesh dhe sfidash të rëndësishme që do të ndodhin gjatë nëntë muajve të shtatzënisë.
Nëse jeni mbipeshë, aktiviteti fizik është shumë më i rëndësishëm si për gruan, ashtu edhe për burrin. Gratë obeze mund të kenë probleme me ovulacionin. Obeziteti dëmton vezët dhe ngadalëson proceset metabolike të organizmit duke krijuar çrregullime. Hulumtuesit kanë vënë re që edhe në fertilizimin “in vitro” gratë mbipeshë kanë përqindje më të ulët të suksesit se gratë me peshë normale trupore. Gjithashtu, edhe gjatë shtatzënisë obeziteti sjell ndërlikime që mund të jenë diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare. Janë jo të paktat raste me këto ndërlikime tek gratë shtatzëna. Obeziteti gjithashtu ndikon edhe në cilësinë e spermatozoidit tek burrat. Është e rëndësishme rënia në peshë përpara përpjekjeve për një shtatzëni. Është e rëndësishme që para shtatzënisë indeksi i masës trupore duhet të jetë nga 20 deri 25. Por kujdes! Asnjëherë nuk është e këshillueshme dietat të cilat sigurojnë një humbje të menjëhershme të peshës. Kjo metodë nuk siguron efikasitetin në shëndetin riprodhues dhe njëkohësisht mund ta përkeqësojë atë nëpërmjet dobësimit të sistemit imunitar.
Edhe burrat kanë probleme në shëndetin riprodhues nëse janë mbipeshë. Sa më të madh ta kenë ata indeksin e masës trupore, aq më e vogël është mundësia për t’u bërë prind. Cilësitë e spermës së tyre bien duke filluar nga numri i spermatozoidëve që vjen gjithnjë në ulje e deri tek lëvizshmëria e tyre. Burrat me indeks të masës trupore 30 e lart kanë 20% më pak spermatozoide se burrat me indeks të masës trupore 20 deri 25.Më problematike paraqitet gjendja në rastin kur të dy partnerët janë obezë. Në këtë rast, mundësitë për të mbetur shtatzënë ulen pothuaj dyfish në krahasim me rastin kur njëri prej tyre është i tillë.
Por, kujdes me sforcimet fizike. Puna e vështirë fizike, palestra e rëndë dhe sforcimet ndikojnë negativisht. Veprimtaria e organeve riprodhuese, sidomos e organit femëror pas një ngjizjeje të mundshme, gjatë aktiviteteve të lodhshme fizike, zhvillohet nën një stres të vazhdueshëm që zvogëlon mundësitë për një zhvillim normal të uterusit. Për këtë arsye, duhet të shmangen sa të jetë e mundur këto lloj aktivitetesh si përpara, ashtu edhe gjatë shtatzënisë.
Shmangia e aktiviteteve të sforcuara fizike nuk i përjashtojnë aktitetet e fizike me norma dhe ngarkesë të reduktuar, si aerobia apo shëtitjet në natyrë.
Jeta e shëndetshme
Një jetë e shëndetshme është ajo e cila përjashton zakonet e këqija dhe në vend të tyre ka ndërtuar zakone të mira. Largimi nga duhani, alkooli, drogat dhe menaxhimi i stresit janë vendimtare për një jetë të shëndetshme që ofrojnë garanci për një shëndet sa më të mirë riprodhues.
Duhani
Duhanpirja ka efekte negative në shëndetin riprodhues si të mashkullit ashtu edhe të femrës. Ajo mund të cënojë si cilësinë e spermatozoidit, ashtu edhe të vezës. Gjithashtu, duhani ndikon në mukusin cervikal, dëmtimi i së cilës nuk mundëson që spermatozoidi të mbërrijë tek veza. Gjatë shtatzënisë, pirja e duhanit nga nëna mund të pengojë furnizimin e fetusit me oksigjen dhe lëndë ushqyese, çka rrit rrezikun e një aborti. Ndikimi i duhanit në shëndetin riprodhues të mashkullit është aq i madh, saqë ai ndikon edhe në cilësinë e spermatozoidëve tek një person, nëna e të cilit e ka pirë duhanin gjatë shtatzënisë më të. Gjatë konferencës në Londër të mbajtur nga Ekspertët e Shoqërisë Europiane për riprodhimin dhe embrionologjinë, dr. Le Moal thotë se “një nënë e cila ka konsumuar duhan në fillim apo gjatë shtatzënisë së saj, do të lindë nëse lind një mashkull, ai nuk mund të ketë në të ardhmen spermatozoidë të fuqishëm”. Sipas tij, “nëse gametet tona, nuk janë prodhuar në mënyrë të drejtë gjatë shtatzënisë, kjo mund të ndikojë në shëndetin në të ardhmen”. Pra, nëse një çift kërkon një shtatzëni, partnerët që e kanë pirë duhanin, e kanë për detyrë ta lënë atë.
Alkooli
Alkooli është veçanërisht i dëmshëm për shëndetin riprodhues të mashkullit. Alkooli tek mashkulli është faktor pengues i dyfishtë: së pari ndikon në numrin dhe cilësinë e spermatozoidëve dhe së dyti ul performancën seksuale të tij nëpërmjet çrregullimeve në çlirimin e hormoneve androgjene. Përsa i përket femrës, dëmtimet tek ajo shfaqen në zhvillimin e mangët të fetusit dhe keqformimet gjatë shtatzënisë.
Kafeina. Hulumtuesit kanë zbuluar se gratë me probleme të pjellorisë duhet të kenë kujdes nga konsumimi i tepër i pijeve me kafeinë si kafja apo çajrat. Kështu, nëse ato konsumojnë rreth katër fixhanë kafe në ditë, mund të reduktojnë në 26% mundësitë e tyre për të mbetur shtatzënë. Sasia e lejuar e rekomanduar e kafeinës është 150 mg në ditë.
Stresi dhe çrregullimet emocionale
Stresi dhe çrregullimet emocionale kanë ndikimin e tyre negativ në shëndetin riprodhues. Tek mashkulli, stresi mund të dëmtojë prodhimin e spermës. Përveç ndikimit që ka stresi dhe çrregullimet emocionale në shëndetin riprodhues, ndikim tjetër negativ në fertilitet është edhe ndikimi që kanë këta faktorë në uljen e dëshirës seksuale tek të dy partnerët.
Jo rrallë, stresi dhe depresioni janë bashkëshoqëruese në planifikimin e çiftit për një shtatzëni. Ankthi dhe paniku që mund të shoqërojë këtë proces i bën gjërat akoma më të vështira duke krijuar çifti padashur një “feedback” negativ: sa më shumë vonohet shtatzënia, aq më shumë shtohet stresi dhe sa më shumë shtohet shtohet stresi aq më shumë vonohet shtatzënia. Nga një studim i Universitetit të Oksfordit në një numër të konsiderueshëm grash është vënë re se mundësitë për mbetjen shtatzënë tek ato gra që tek to ishin të pranishme hormoni i stresit kortizol, ishin rreth 12% më të pakta.
Gjatë përpjekjeve për shtatzëni, partnerët të cilët kanë prirje drejt stresit dhe çrregullimeve emocionale duhet të zhvillojnë teknika relaksimi dhe seanca këshillimi në ekspertë të kësaj fushe për të mbajtur stresin në nivele të ulëta dhe zhvilluar besimin herët a vonë shtatzënia do të ndodhë, mjaft të kryhen korrektësisht të gjitha shkaqet e lidhura me të.