Më poshtë po publikojme disa fjalë të urta të Solomonit për mësimin dhe diturinë…
- Dëgjo, o biri im mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes tënde, sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.
- Njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.
- Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit.
- Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,
- Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.
- Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.
- Sepse fitimi i diturisë është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.
- Dituria është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.
- Rrugët e diturisë janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
- Dituria është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.
- Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
- Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.
Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; Mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.
- Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.
- Mësimi eshte një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës.
- Thuaji diturisë: “Ti je motra ime” dhe quaje “shok” gjykimin.
- Dituria qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve.
- Dituria bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve.
- Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur.
- Dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund të dëshiroje nuk barazohen me të.
- Nëpërmjet meje (dijes) mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
- Unë si dituri i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
- Me mua (diturinë) janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
- Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
- Unë (dituria) eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
- Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
- Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.
- Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.
- Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.
- Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.
- Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.
- Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.
- Eshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë.
- Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.
- Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.
- Mësimet e të urtit janë burim jete për t’i evituar dikujt leqet e vdekjes.
- Mjerimi dhe turpi do të bijnë mbi atë që nuk pranon mësimin korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.
- Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.
- Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
- Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
- Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij.
- Njeriu i urtë i trembet së keqes dhe largohet prej saj.
- Njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
- Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.
- Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht.
- Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.
- Zemra e njeriut me mend kërkon dijen.
- Kush nuk pranon mësimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.
- Eshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.
- Fjalet e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.
- Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.
- Dituria qëndron para atij që ka mend.
- Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.
- Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.
- Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
- Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.
- Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.
Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
- Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.
- Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.
- Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.
- Mos ia kurse korrigjimin fëmijës.
- Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndjejë gëzimin.
- Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
- Me dijen mbushen dhomat me llojlloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.