Hajde bëjmë gjoja! – nga prof. Artan Fuga

Hajde bëjmë gjoja! – Marre nga profili i Facebook i profesor Artan Fuges.

Ne jemi gjoja zgjedhës sepse në fakt nuk zgjedhim gjë prej gjëje.

Ne jemi gjoja qytetarë, sepse nuk kem asnjë të drejtë qytetare, veç asaj që të mos internohemi.

Ne jemi gjoja fermerë, sepse në fakt ka vetëm bujq që mbrehin gomarin në parmendë.

Ne kemi gjoja deputetë sepse deputeti është thjesht një rrotë dhe vidhë i partisë, dhe bën si garrip me ne.

Ne kemi gjoja kombëtare futbolli, sepse në fakt kemi mercenarë të blerë rrugëve të botës.

Ne jemi gjoja blerës, sepse në fakt cfarë blejmë, dy koqe qepë në trastë.

Ne jemi gjoja të shkolluar sepse në fakt dijet tona janë të mykura dhe krejt përçart.

Ne jemi gjoja nëpunës sepse në fakt jemi militantë maskarenj që kapim vende pune duke manipuluar votat në komisione votimi.

Ne jemi gjoja shofera veturash sepse në fakt makinat tona janë qerre që punojnë me karburant.

Ne jemi gjoja trima, sepse kemi frikë nga cdo nëpunës që na trajton si qenër para sportelit.

Ne gjoja jemi njerëz të shekullit të XXI sepse pa drita, ngrohje, rrugë, jemi primitivë.

Ne gjoja jemi në punë, sepse në fakt të gjithë jemi papunë, sepse edhe kur gjoja punojmë, puna jonë nuk ka asnjë duk.

Ne jemi gjoja të ndershëm sepse saherë na është dhënë rasti vjedhim njeri tjetrin si te piramidat financiare.

Ne jemi gjoja gazetarë dhe opinionistë sepse në fakt bëjmë thjesht propagandë.

Ne gjoja informojmë publikun sepse çdo çast e gënjejmë, e mashtrojmë, e manipulojmë atë.

Ne jemi gjoja opinion publik sepse në fakt nuk kemi asnjê opinion, por ikim nga fryn era.

Ne kemi gjoja shtetarë sepse vetëm për shtetin nuk mendojnë asnjë çast.

Ne kemi gjoja drejtësi, sepse te ne vjedhjet e mëdha bëhen me ligj dhe sipas ligjit.

Ne jemi gjoja sipërmarrës, sepse në fakt nuk marrim asgjë përsipër, dhe thjesht duam të mbushim xhepat me parà pa sjell asnjë kontribut në mirëqënien e kombit.

Ne jemi gjoja profesora dhe akademikë sepse titujt jepen me thasë, me lopata, me kazanë, nga ata që nuk kanë tituj, por pushtet dhe parà.

Ne jemi gjoja.

femra-moderne.com