Në një aktivitet që do të mbahet këte muaj në metropolin amerikan do të promovohet për herë të parë, një libër kushtuar suksesit të rreth 60 zonjave shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Nju Jork. Sipas organizatores Flora Nikolla, do të nënshkruhet edhe memorandumi “Imazhi i gruas mbarëshqiptare në shekullin e XXI”, i cili do të jetë një dokumnet historik.
Nju Jork-u do të jetë mikprites i një aktiviteti kushtuar zonjave shqiptare të suksesit që jetojnë në këtë metropol. Sipas organizatorëve kjo ngjarje zhvillohet për herë të parë në të tilla përmasa dhe ka si qëllim të evidentojë dhe të prezantojë zonjat mbarë shqiptare që kanë arritur sukses profesional dhe njerëzor në jetën e tyre, duke u identifikuar si të barabarta në integrimin e tyre.
Në këtë mbrëmje do të promovohet për herë të parë, një libër kushtuar suksesit të tyre me intervista të cilat janë realizuar në një hark kohor prej 1 viti. Në këtë libër përfshihen rreth 60 zonja nga të gjitha trojet shqiptare. “Janë të paktën 60 zonja nga profesione të ndryshme, si avokate, mjeke, stiliste, pedagoge, mësuese, të cilat faqe pas faqe tregojnë në këto intervista historitë e tyre jetësore, integrimin e tyre moral, profesional dhe njerëzor”, ka thënë Nikolla.
Ngjarja do të organizohet nën kujdesin e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani më 24 shtator në një nga sallat e njohura në Manhattan, Symphony Space, ku në nisje të eventit do të kalohet në tapetin e kuq, do realizohen intervista dhe do të bëhën fotografi nga personazhet në libër.
“Pika kulminante do të jetë nënshkrimi i memorandumit “Imazhi i gruas mbarëshqiptare në shekullin e XXI”, i cili do të jetë një platformë e plotë e gjendjes se gruas shqiptare në botë teksa do të kërkohen të zgjidhen disa çështje të jetës së saj. Memorandumi do të jetë një dokumnet historik, i cili pas Nju Jorkut në formën e një stafete do të firmoset nga zonja inteletuale në të gjithë vendet ku jetojnë zonjat shqiptare”, ka shtuar Nikolla.
Pjesë e kësaj mbrëmje Gala, do të jenë interpretimet e artisteve shqiptare me banim në Nju Jork si, Hermira Gjoni, Gjilberta Lucaj, Lindita Lole, Ida Tili Trebicka, Dëshira Ahmeti Kërliu etj.