Klejda Bega, shkencëtarja shqiptare kandidate për çmimin Nobel

Shkencëtarja shqiptare Klejda Bega, nga Elbasani, është në prag të çmimit Nobel, pasi në arritjet e saj në shkencë, ka gjetur një formulë që mund të lëvizë atomet sipas dëshirës nëse përdor një procedurë të veçantë dhe disa pajisje sipas skemës së krijuar prej saj.

Që në fillim, Bega ka qenë një nxënëse e shkëlqyer duke u rreshtuar në studentët ekselentë dhe fituese e vazhdueshme e Olimpiadave të Matematikës dhe Fizikës në Shqipëri.

Arritjet bënë që ajo të përfundojë Universitetin në Zvicër për t’u pranuar më pas nga Universiteti i Kalifornisë, i cili është ndër më të mirët, përsa i përket fizikës dhe 33 pedagogët, që japin mësim aty kanë marrë çmimet Nobel. Pas përfundimit të studimeve ajo vijoi të ishte pjesë e këtij Universiteti, tanime si pedagoge.

Marie Curie, nxitesja e pare

Ishte pikërisht biografia e Mari Kyrisë që i dha ngacmimin fillestar. “Unë as që e njihja se çfarë ishte fizika, por meqë kjo shkencë i kishte shkaktuar asaj (Marie Kyrisë) aq pasion, me siguri duhej të ishte diçka e mrekullueshme. Dhe thashë: Unë do të bëhem fizikane.

Matja e elektroneve përbën një nga sfidat më të mëdha të kohës në fizikë. Është një matje shumë e rëndësishme. Duket si diçka e thjeshtë. Por në fakt këtu qëndron baza e ligjeve të fizikës. Pra, gjithçka e thënë deri tani e ka bazën në vërtetësinë e këtyre matjeve. Si rrjedhim ne vërtetojmë ligje të zbuluara dhe ato që mund të zbulohen”, është shprehur Bega për median shqiptare.

Klejda Bega ka një këndvështrim më të gjërë se sa thjesht koncepti fizikë. Madje ajo e sheh këtë shkencë si bazë për të përparuar në fusha të tjera të jetës. “E para që rekomandoj për të gjithë nxënësit dhe studentët është që ata të vazhdojnë të studiojnë. E dyta dua tu jap një këshillë që do kisha dashur të ma jepnin edhe mua kur isha vogël. Kur ishim të tillë ne kishim këtë ide: Nëse studion fizikë bëhesh fizikane, nëse studion matematikë bëhesh matematikane e kështu me radhë kimiste, letrare, etj. Por në fakt nuk është ekzaktësisht ashtu. P.sh vajzave që studiojnë fizikë desha t’u them se fizika ju hap shumë dyer. Nuk është e thënë të bëheni fizikane. Fizika ju ndihmon që ju të zgjidhni problemet e jetës, se si tu jepni zgjidhje rrethanave. Duke mësuar atë ju mund të punoni edhe në financë, ekonomi edhe në qeverisje. Pra ju krijon baza që të studioni çfarë të doni ju”.

femra-moderne.com