La Traviata vjen me risi dhe bashkëpunim ndërkombëtar në skenën e TKOB, emocionon publikun
Një kthim në kohë, në historinë e gjithë vënieve të La Traviata në skenën shqiptare, të çon 60 vjet më parë, atëherë kur Violetë ishte e madhja Marie Kraja, ndërsa Alfredo ishte Maliq Herri.
Pas kësaj shfaqje të parë, do të shënoheshin dhe shumë rivënie, kur kurtizanet e bukura nëpër vite do të ishin Nina Mula, Edit Mihali, Inva Mula, Mariana Leka, Ermonela Jahos, Eva Golemit…Ndërsa Alfredot do të ishin Gaqo Çako, Hysen Koçia, Armaldo Kllogjeri, Saimir Pirgu etj.
Por këtë vit, La Traviata, një nga operat më të famshme të Verdit, erdhi premierë si një bashkëpunim ndërkombëtar.
E si çdo vit, artëdashësit kryeqytetas nuk kanë ngurruar të mbushin sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në këtë prag festash fundviti, për të shijuar këtë dramë të mbushur me emocione të thella dhe melodi të mrekullueshme.
E cilësuar edhe si një nga nga romancat më të bukura operistike, La Traviata u ngjit mbremjen e 17 dhjetorit në skenën e TKOB-së. Nderkohe qe vazhdon edhe ne mbremjen e sotme dhe te neserme.
Opera me 3 akte, me libret të Francesco Maria Piave, bazuar në romanin “Zonja me kamelie” nga Alexandre Dumas ( I biri), erdhi në skenë me regji të austriakes Magdalena Fuchsberger.
Shpirti dhe ëndrra e Violetës erdhi jo vetëm me zërin e solistëve të operës, të interpretuar nga Eva Golemi dhe Perrine Madoeuf, por edhe me lëvizjet e balerinëve Enada Hoxha e Gerd Vaso. Perrine Madoeuf u bë e njohur për publikun shqiptar në festivalin Marije Kraja si një konkurrente e fortë dhe me një zë origjinal.
Ndërsa në rolin e Giorgio Germontit ishin Ylber Gjini dhe Gocha Abuladze. Por në skenë nuk mungoi interpretimi i Armaldo Kllogjeri, Shpresa Beka; Ivana Hoxha, Simona Karafili, Denis Skura, Sidrit Bejleri, Ogert Islami, Ogert Islami; Edvin Kastrati, Sokol Hidërsha, Erlind Zeraliu dhe Genc Vozga. Burimi: ATA
Në këtë opera tregohet historia e kurtizanes që dashurohet me Alfredon, djaloshin me prejardhje nga një familje e pasur. Një dashuri e kundërshtuar nga babai i djaloshit, pasi ata i përkasin një familjeje të pasur dhe kjo lidhje do të krijonte një skandal. Ai do të pendohet por…, do të jetë shumë vonë!
La Traviata është një opera pa kohë sepse emocionet, pasioni i mrekullueshëm i historisë së saj është i tillë. Iluzioni dhe imagjinata e kësaj opere nuk ndryshon as në ditët tona sepse ne kemi të njëjtat emocione dhe iluzione për dashurinë njësoj si edhe 200 apo 300 vite më parë. Jam fokusuar shumë tek psikologjia e karaktereve. Jam përpjekur që të bëj lidhjen mes karaktereve për të treguar historinë me sa më shumë emocione dhe në mënyrë pasionante”, është shprehur më herët regjisorja Magdalena Fuchsberger.