Leter: Dashuria ime e parë ishte një pasion i cmendur dhe shkatërrimtar

Dashuria ime e parë ishte një pasion i marrë, përpirës dhe… shkatërrimtar.  Me Andin u njoha rastësisht në një udhëtim që po bëja për arsye pune. Ai punonte si fotograf dhe ishte 10 vjet më i madh se unë. Unë atëherë isha 24 vjeçe, kisha një shpirt rebel, një dell endacakeje. Edhe ai nuk ishte ai tip mashkulli që imë më dëshironte si dhëndër. Por kishte një nur të parezistueshëm.

Edhe ai, në fillim u tërhoq prej çiltërsisë sime dhe, ndoshta, prej dashurisë së zjarrtë që ushqeja për të. Sapo puna e tij ia lejonte ai vinte në qytetin tim për të më takuar. E prezantova edhe me prindërit e mi, që nuk i pëlqyen aspak, ashtu si edhe ata nuk e pëlqyen atë.

“Dashuria ime e parë më kish shkatërruar. Prandaj, kur zëri i Geartit bëhej i ëmbël, ngrihesha në këmbë dhe ikja: nuk doja ta dëgjoja!”

Kur ai më propozoi të ikja nga shtepia dhe te jetoja me të, prindërit e mi kundërshtuan dhe më thanë që nëse do të ikja, s’do të kisha më punë me ta. Por për mua atëherë rëndësi kishte vetëm dashuria ime.

U shpërngula te Andi dhe për 5 vjet me radhë nuk mora asnjë lajm prej prindërve të mi. I njihja mirë dhe e dija që do të ishte e kotë të përpiqesha që t’i “zbusja”. Nga ana tjetër, e doja shokun tim, e doja jetën tonë, pa orare dhe pa rregulla, i doja edhe miqtë e Andit, që ishin si ai.

“Përse nuk martohemi?”, më pyeti një ditë. “E di që e do këtë gjë, megjithëse nuk ma ke kërkuar asnjëherë”. Bëmë gati të gjitha letrat, bleva fustanin e bardhë dhe ftuam miqtë tanë. Do të ishte një ceremoni shumë e thjeshtë. Do të martoheshim në gjendje civile, pastaj do të shkonim të gjithë në lokal. Por gjatë kësaj kohe nuk e kisha vënë re që Andi ishte bërë nervoz dhe i mbyllur. Ose nuk u vura rëndësi këtyre shenjave derisa m’i vuri ai në dukje. Më tha që kishte menduar se mund të lidhej me mua, por që, sa kalonin ditët, ndihej gjithnjë e më në siklet, si i mbyllur në kafaz.

“Nuk jam i prerë për lidhjet përfundimtare. Eshtë e kotë të nisim një aventurë që do të ishte e destinuar të mbaronte… Madje, më mirë t’i japim fund që tani” më tha brutalisht. Për mua ishte një goditje vrastare. E dëshpëruar, e lënduar thellë në zemër, u largova nga shtëpia dhe qyteti i tij. Ndërsa po udhëtoja kisha vetëm një mendim në kokë: “Kjo është historia ime e fundit”. Kur prindërit e mi më panë, më pritën në shtëpi, edhe pse nuk m’i kursyen komentet therëse. Dhe unë pak nga pak fillova të mësohesha pa Andin.

U mbylla në shtëpi, duke iu kushtuar vetëm punës. Isha zëvendësuese në një gjimnaz; në mëngjes jepja mësim, pasdite lexoja dhe, në mbrëmje…nuk bëja asgjë. Nuk kisha dëshirë për asgjë. Në shkollë shoqërohesha shumë me mësuesit e tjere, me shume me njerin prej tyre. Krahasonim programet tona dhe shkëmbenim komentet mbi klasat. Kështu, nga kolegë të thjeshtë, u bëmë më intimë. Zbuluam se, përveç afrive intelektuale, na bashkonte edhe fakti që kishim mbi shpatulla një dashuri të përfunduar keq. Filluam të kalonim mbrëmje të këndshme bashkë, me biseda të pafundme. Një intimitet i përbërë nga gjeste të papërmbushura dhe nga fjalë të pathëna. Sepse isha unë ajo që i ndaloja gjestet dhe fjalët të shkonim më shumë se ç’duhej. Kur kuptoja që atmosfera po bëhej shumë romantike, çohesha menjëherë në këmbë. “Tani, mos u ofendo, por jam shumë e lodhur: po më mbyllen sytë” thoja. Arsyeja? Një e vetme: frikë për të dashuruar, për ta lënë veten të lidhesha përsëri.

Jo, unë nuk doja të dashurohesha përsëri. Por, pavarësisht nga rezistenca ime, Gearti kishte hyrë në zemrën time. Duhet ta pranoja të vërtetën mbrëmjen e ditëlindjes sime.

Gearti më kishte ftuar në një restorant dhe ndërsa po darkonim, ai më vuri në dorë një kuti, me disa vargje të një poeme që fillonin kështu: “Jetë e dashuri te gjate per ne të dy, e imja… (me emrin tim te shkruar)”

Te kutia ishte një byzylyk i pazakontë: një zinxhir floriri i mbyllur nga një dryn shumë i vogël. “Shpresoj që të jetë i qartë funksioni i këtij zinxhiri” tha me një buzëqeshje “shërben për t’u lidhur me mua, përgjithmonë. Sigurisht, nëse e do edhe ti…”.

Dhe në ato çaste kuptova që edhe unë e dëshiroja një gjë të tillë. Me gjithë zemër.

femra-moderne.com