Leter: Kam tradhtuar një burrë që nuk më kupton

Na dergoni edhe ju letrat tuaja ne Revista Femra Moderne

Kam nevojë që t’ia tregoj dikujt historinë e jetës sime. Jam një grua 42 vjeçe dhe jam martuar para 20 vjetesh. Kam dy vajza që janë shumë të mira dhe mësojnë shumë. Jam martuar në moshën 22 vjeçare dhe nëse do të kthehesha prapa në kohë nuk do ta bëja.

Jetoja me vëllezërit e mi, nënën dhe tim atë. I vlerësoja shumë si njerëz, por asnjëherë nuk më shpjeguan se ç’do të thoshte të martoheshe.

Im shoq, i cili është një njeri shumë i mirë, është tetë muaj më i vogël se unë dhe kur u martuam ai s’i kishte mbushur 22. Atëherë, kur vendosëm të martoheshim, askush nuk kundërshtoi. Me vajzat e mia s’do ta bëja kurrë këtë gjë.

Kur u martova u shpërngula në shtëpinë e tim shoqi, që ishte 40 km larg nga shtëpia ime. Në fillim ishte shumë e vështirë. Në atë vend jetonin edhe njerëzit e tim shoqi dhe ata pretendonin që unë t’i bëja gjërat si donin ata: çdo gjë që do të bënim, duhet të kishte miratimin e tyre. Ka qenë shumë e vështirë për mua t’i duroja.

Përpara se të lindja dy vajzat e mia, kam patur dy dështime dhe pata një krizë nervore. Im shoq më qëndroi pranë, por asnjëherë nuk i kundërshtonte njerëzit e tij. Kur u largova nga qyteti im unë humba edhe punën, kështu që tani isha një shtëpiake, derisa gjeta punë në një fabrikë. Deri këtu çdo gjë në rregull, tani vijnë problemet.

Prej disa vjetësh marrëdhëniet me tim shoq janë ftohur. Ai nuk më kërkon, por unë do të doja të bëja dashuri, të paktën si më parë (3 herë në javë). Ai e di, por kur ia them, bën sikur s’më dëgjon. Jam e sigurt që nuk ka një tjetër, por ai është ftohur, ndërsa unë kam shumë nevojë. Këto dy vjetët e fundit, bashkë me një shoqen time flisnim në internet. Njoha disa meshkuj, me ata kam pirë vetëm një kafe dhe kam biseduar. Im shoq e di që unë flas por s’e di që i kam takuar. Këto kohët e fundit e kam tradhtuar.

Po, kam shkuar në shtrat me dikë tjetër (vetëm një herë). Por kjo nuk është e gjitha. Më pëlqeu shumë dhe nuk ndihem në faj. Ai as që e ka vënë re…dhe kjo gjë më lëndon (unë nuk do t’ia them kurrë). Do të doja një burrë që të më bënte të ndihesha grua, që ndoshta të më qortonte, që të mos i shpërfillte gjërat.

Jam e lodhur së luftuari kundër të gjithëve.

Ai po më humbet dhe nuk po e kupton, nuk di më se çfarë të bëj: kam nevojë për një burrë që të më mbrojë. Jam e lodhur që ai nuk do t’ia dijë për dashurinë time: pikërisht këtë kërkoj: e di që po i bëj gabim të gjitha, që po i hedh poshtë të gjitha vlerat e mia, por ju betohem që kështu nuk mundem më. Dua t’i jap një kthesë jetës sime, edhe nëse i shkatërroj të gjitha. Kam nevojë të ndihem e gjallë. A do të më jepni ndonjë këshillë? E di që letra ime është shumë konfuze por ju kam shkruar me sinqeritet.

Nderkohe qe ju mund te jepni keshillat tuaja, kjo eshte nje pergjigje nga ana jone per zonjen:

Lexoje edhe një herë letrën tënde dhe do të shikosh se sa inat mban për tët shoq. Ia ke ngecur atij të gjitha vuajtjet e tua dhe nuk i ke falur asgjë. Edhe tradhtia jote është një përpjekje banale për ta lënduar, që ai të të vërë re. Por, a je me të vërtetë e sigurt që ai nuk shikon, nuk dëgjon dhe nuk kupton, ashtu siç e përshkruan ti? Më fal, por a ka patur ndonjëherë dialog mes jush? Mund të të kuptoj shumë mirë kur thua që nuk mundesh më, por mendoj gjithashtu që duhet të ulesh e të flasësh me të, me zemër në dorë dhe tregoji se si je, çfarë ndien, çfarë do. Shpesh, marrëdhëniet intime janë shenja e parë e alarmit kur mungon intimiteti dhe bashkëpunimi në çift dhe, shpesh, ndihmon të fshehë të vërtetën e gjërave. Për të qenë e sinqertë, unë të them që, përpara se të shkatërrosh gjithçka, kërko një dialog të sinqertë, me pak qortime dhe shumë sugjerime për të gjetur një zgjidhje së bashku. Por mos harro që nëse nuk keni folur deri tani, nuk do të jetë e lehtë dhe duhet të bësh edhe pak durim. Në fund, nëse je e bindur që nuk ia del dot më, lëre. Por kam frikë se, nëse s’e ke kuptuar se çfarë të ka shtyrë të zgjedhësh të kalosh 20 vjet me një burrë që s’e prek asgjë, rrezikon të përsërisësh të njëjtin gabim me dikë tjetër. Paç fat!

femra-moderne.com

Start typing and press Enter to search