Letra e Bajronit dërguar së ëmës

Miti Bajronian shqiptar

Dorian Koçi

Filozofi dhe esseisti i njohur anglez FrancisBacon (1561-1626) në esenë e tij mbi “Udhëtimet” shkruan se udhëtimi , për moshat e reja është pjesë e edukimit, në moshat e vjetra është pjesë e eksperiencës. Që prej asaj kohe udhëtimi i njohur ndryshe dhe me emrin Grand Tour ishte kthyer në një mjet e përvojë edukuese për të rinjtë e aristokracisë angleze. Mirëpo në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor.

Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të Perandorisë Otomane u bënë të modës.Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe kulturore. Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur.

Lord Byron si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Një eksperiencë tjetër shumë e rëndësishme e Grand Tour-it ishte mbajtja e rregullt e korrespodencës me miqtë në atdhe, ku atyre u përshkruhej dhe u jepeshin detaje të shumta kulturore, gjeografike, etnografike për viset që vizitonin.

Francis Bacon në esenë e tij “Udhëtimet”që në shekullin e XVI këshillonte se është një gjë e e çuditshme, që në lundrimet në det, ku nuk ka asgjë për t’u parë, për veç se qielli dhe deti, njerëzit duhet të shkruajnë ditarë; ndërsa gjatë udhëtimeve tokësore, ku ka aq shumë gjëra për t’u vërejtur, në shumicën e rasteve ata i anashkalojnë; sikur mundësia ishte provues për t’u regjistruar, se sa të vëzhguarit.

Për këtë arsye, lejoni ditarët të futen në përdorim. Gjërat për të parë dhe vëzhguar janë: oborret e princave, sidomos kur ata japin audienca për ambasadorët; gjykatat e drejtësisë, ndërkohë që ata ulen dhe dëgjojnë shkaqet; po kështu këshilli papal; kishat dhe manastiret, me monumentet të cilat janë aty me ekzistencën e tyre; muret dhe fortifikimet e qyteteve dhe qytezat, dhe kështu qiejt dhe portet; antikitetet dhe rrënojat; bibliotekat; kolegjet, polemikat dhe leksionet, kudo që janë; transporti dhe flotat detare; shtëpitë dhe kopshtet e shtetit dhe të kënaqësisë pranë qyteteve të mëdha; armaturat; arsenalet; depot; shkëmbimet; bursat; magazinat; ushtrimet e kalërimit, skermë, trajnimi i ushtarëve, e të tjera si; komedi, duke qenë gjëja më e mundshme për t’u bërë nga njerëzit; thesaret, bizhuteritë dhe veshjet; mobilje dhe gjëra të rralla; dhe, për të përfunduar, çdo gjë që është e paharrueshme në vendet ku ata shkojnë.

Kjo ese shumë e njohur në Anglinë e Romantizmit, ku udhëtimi i Grand Tour-it kishte marrë dhe një hov më të madh për shkak të përmirësimit të mjeteve të komunikacionit, sigurisht që duhej të ishte e njohur për Lord Byron pasi në udhëtimet e tij shikojmë një përputhje midis këshillave të Backon dhe vendeve që viziton si dhe mbajtjes së ditarit dhe korrespodencës.

Kështu, kur Lord Byron vizitoi Pashallëkun e Janinës në tetor 1809, ai filloi të mbante ditar dhe i shkroi një letër së ëmës ku fliste për Shqipërinë.
Mahnitja romantike e anglezit 21-vjeçar në tokën e shqiptarëve , bëri që në letra e tij të konsiderohet si një sinops i dy kantove të para të “ChildHaroldit” që do ti niste në Janinë dhe do ti përfundonte në 1812.

Në letër , ai ka shprehur magjepsjen romantike pas Pashait të Janinës, arsyet pse erdhi në Shqipëri, si dhe aventurat e befasitë që hasi te shqiptarët. Letra e Bajronit dërguar së ëmës nga Preveza është një dëshmi e ndijimeve që ai pati rreth shqiptarëve dhe që më vonë ai i hodhi mjeshtërisht në lëtër, në formën e vargjeve në poemën e tij të famshme Shtegtimet e ChildHarold. Në letrën e tij dhe vargjet e poemës ChildHarold ndihen gjurmët e krijimit të heroit të tij bajronian por edhe të lirisë si koncept vetjak dhe universal.

Romantizmi, rryma letrare që përqafoi Bajroni, ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore, vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Lord Byron ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime.

Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e këtij industrializmi dhe urbanizimi.

Heronjtë Bajronianë jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të delizionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi. Për botën shqiptare kanë një rëndësi të veçantë pasi për herë të parë fillojë të përmendet dhe të ketë jehonë sërish pas 300 vjetësh shurllërie emri Shqipëri dhe shqiptar.

Letra e Bajronit dërguar së ëmës, zonjës KaterinaGordonBajron.

Zonjës Katerina Gordon Bajron Prevezë, 12 nëntor 1809

Nëna ime e dashur, ka ca kohë që ndodhem në Turqi: ky qytet është në bregdet, por kam udhëtuar thellë në principatën e Shqipërisë për të vizituar Pashanë. Lashë Maltën në luftanijen “Spider” më 21 shtator dhe brenda tetë ditësh arrita në Prevezë. Së këtejmi kam udhëtuar nja 150 milje gjer në Tepelenë, në pallatin veror të Naltësisë së tij, ku qëndrova tri ditë. Emri i Pashait është Ali dhe e mbajnë për burrë me zotësi të rralla: është sundimtar i gjithë Ilirisë së moçme, i Epirit dhe i një pjese të Maqedonisë.

I biri, Veli Pasha, për të cilin më kanë dhënë letra, qeveris Morenë dhe ka ndikim të madh në Egjipt. Me një fjalë është një nga burrat më të fuqishëm në Perandorinë Otomane. Kur arrita në Janinë, në kryeqytetin e tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh nëpër male, të një vendi me bukurira nga më piktoresket, mora vesh se Ali Pasha gjendej me ushtrinë e tij në Iliri, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën në kalanë e Beratit.

I kishin thënë se një anglez nga derë e madhe ndodhej në principatën e tij, dhe i kishte dhënë urdhër komandantit në Janinë të më bënte konak e të më pajiste me të gjitha të mirat gratis; dhe ndonëse më kanë lejuar t’u jap peshqeshe robërve, nuk më kanë lejuar të paguaj asgjë send për harxhet e tjera. Hipur në kuaj të vezirit, dola për shëtitje dhe pashë pallatet e tij e të nipërve; janë pallate madhështore, por të stolisura së tepërmi në ar e në mëndafshe.

Pastaj kalova nëpër male përmes Zicës, një fshat me manastir ortodoks, (ku fjeta në të kthyer), në më të bukurin vend që kam pare (përveç Cintrës në Portugali). Të nëntën ditë arrita në Tepelenë. Na u zgjat shumë udhëtimi prej shirave e rrëpirave që prisnin udhën. Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë kur po perëndonte dielli.

Më solli në mend(me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Branksemenë këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposht, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e mujezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive – të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji. Më përcollën në një konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë, në mënyrë allaturka. Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj.

Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast. E para pyetje që më bëri është se përse jam larguar prej atdheut në një moshë kaq të re? (Turqit s’kanë ide për udhëtimet e për qejf).

Pastaj tha se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe. Më porositi t’i dërgoj nderimet e tij nënës sime, dhe ja tek po t’i dërgoj në emër të Ali Pashës. Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë- shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime.

Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge. Pastaj si pimë kafe e duhan u tërhoqa nga vizita e parë. E pashë edhe tri herë të tjera. Është për t’u çuditur se si turqit që s’kanë tituj trashëgimi dhe ka vetëm pak familje të mëdha përveç sulltanit, i japin kaq shumë rëndësi fisit.

Sepse pashë që më nderonte më shumë për fisin se për titullin tim… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan.

Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij.

Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Mua me të vërtetë m’u bë baba, më ormisi me letra, më dha njerëz të më ruajnë dhe çdo lehtësirë. Bisedimet e tjera midis nesh qenë lufta dhe udhëtimet, politika dhe Anglia. Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht. Quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kryekëput i ndershëm e besnik.

Po ata janë mizorë, ndonëse jo të pabesë, dhe kanë shumë mangësi, por asnjë poshtërsi. Ndoshta janë raca më e bukur në botë nga tiparet dhe gratë e tyre dendur janë të bukura, por i kanë në vend të skllaveve. I rrahin, me një fjalë i përdorin si kafshë samari. Ato lërojnë e çajnë tokën, ato mbjellin. I kam parë të ngarkuara me dru dhe tek ndreqin rrugët e prishura. Burrat janë të gjithë ushtarë dhe lufta e gjahu janë zanati i vetëm.

Gratë merren me punë, por kjo nuk duhet t’i lodhë shumë në një klimë aq të këndshme. Dje, më 11 nëntor, bëra banjo në det. Sot është kaq nxehtë sa po të shkruaj në odë me hije, në shtëpi të konsullit anglez, me tri dyer të hapura fare, pa zjarr. As zjarrishte s’ka në odë, veç për të gatuar. Nesër nisem me një rojë pesëdhjetë trimash për në Patrë të Moresë dhe pastaj për në Athinë, ku do të kaloj dimrin. Dy ditë më parë desh u mbyta në një luftanije turke, nga budallallëku i kapedanit, ndonëse shtrëngata s’qe dhe aq e rreptë..

Kapedani ia dha të qarit dhe u ul në gjunjë dhe na tha t’i faleshim perëndisë, velat u grisën, katarti dridhej, era frynte, po afrohej nata, dhe s’na mbetej t’ia mbanim për në Korfuz që është në dorë të francezëve ose të fundoseshim siç tha Fleçeri në mënyrë patetike: në “varr prej uji”. Unë bëra çmos ta ngushëlloja, por duket se s’ja mbushja dot kokën, u mbështolla me brucën shqiptare (një shark i madh) dhe u shtriva shesh për të pritur mynxyrën. Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s’kish dobi.

Për fat të mirë era rreshti dhe vetëm na ngau drejt bregdetit të Sulit, ku dolëm në sterë. Me ndihmën e vendasve vazhduam udhën për në Prevezë. Kështu, këtej e tutje nuk do t’u zë besë naftëve turq, megjithëse Pashai pati udhëzuar galeotë të tij të më shpinin në Patra. Prandaj do të shkoj në Misolongji nga stereja dhe do të kapërcej vetëm një gji deti të vogël në Patra.

E sa e sa ngjarje mund të të tregoja që do të tëzbavisnin, por më grumbullohen në tru dhe as jam i zoti t’i radhit në kokë, as t’i shkruaj dot në kartë, veçse në mënyrë të menjëhershme. I dua shumë shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre. Përbëjnë trupat më të mirë të ushtrisë turke. Në udhë e sipër banova një herë dy ditë rresht, dhe prapë tri ditë në një barakë në Sallahorë dhe s’kam parë ushtarë kaq të lirë në paragjykimet fetare, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës dhe kam pare plot ushtarë spanjollë, francezë, siçilianë dhe anglezë.

Kurrë nuk më humbi gjë dhe më ftonin gjithmonë të shtrohesha në sofrën e tyre. S’kam një javë që një kryeplak shqiptar (çdo fshat ka kryeplakun e tij), pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e na mbajti në shtëpi, mua dhe ata që na shoqëronin: Fleçerin, një grek dhe dy athinjotë, një prift grek dhe shokun tim Mr. Holbhousin, në asnjë mënyrë s’deshi ta pranonte shpërblimin tim, por vetëm kërkoi një shkresë që më priti mirë dhe kur ju luta të pranonte pak zekina mu përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash”.

Këto qenë fjalët e tija. Çudi se sa pak shkon paraja në këtë vend. Kur u ndodha në kryeqytet, me urdhër të vezirit nuk më lanë të paguaj asgjë. Ndonëse gjithnjë pata gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe gjashtë-shtatë veta pas, harxhet s’kanë qenë as gjysma e atyre të tri javëve në Maltë, sidoqëSir A. Balli, guvernatori, më dha një shtëpi pa qira dhe pata vetëm një shërbëtor. Biri yt i dashur Bajron

P.S. Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit. Përshëndetja turke është një përkulje e lehtë e kryes, me dorën e djathtë në zemër, të afërmit puthen sa here piqen. Mahmudi është dhjetë vjeç dhe shpreson të më shohë prapë, u bëmë miq pa kuptuar njëri-tjetrin, si gjithë bota ndonëse për shkaqe të ndryshme. Më kanë dhënë një letër për të atin në More, për të cilin kam letër dhe prej Ali Pashës.

Miti shqiptar rreth Bajronit.

Vepra e Bajronit dhe në veçanti “ChildHarold”-i do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të poetit , por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Bajroni është një nga udhëtarët më të hershëm angleze që vizituan Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Bajronit numri i udhëtarëve, me apo pa misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët u shtua shumë,veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë.

Ky aspekt i njohjes së veprës së Bajronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre.

Njohja e Bajronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Bajroni vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe i lirisë, si poet e luftëtar hero.

Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.

Secila nga këto etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi.[7]Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit.

Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente Këngën e parë të poemës “ChildHarold” të Bajronit në shqip më 1843.
Edhe periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Bajronit për të nxjerrë në pah cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve.

Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e studimeve bajroniane në mendimin intelektual shqiptar të mëvonshëm. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë që flet Bajroni tek “ChildHaroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty.

Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti AnastasKullurioti nga mërgata e Arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë.

Periudha e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë këtë tendencë. Është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët.

“Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”. Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.

Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioner-i në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht “Le voyage de Lord ByronenAlbanie”.

Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “ChildHarold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë.

Vitet 20’ përkojnë me përpjekjet e shqiptarëve për të stabilizuar pavarësinë dhe për të rikonfirmuar shtetin e tyre. Në këtë sensbajronistët shqiptarë do ta rimarrin nga epoka e mëparshme mitin e Bajronit dhe nëpërmjet studimeve më profesionale dhe të hollësishme do kontribuojnë jo vetëm në propagandimin dhe studimin e veprës së poetit të madh por dhe në farkëtimin e mitit të tij.

Kësaj tendence nuk do t’i shmangej as ZefHarapi, bajronisti i parë i mirëfilltë shqiptar, i cili do të shkruante se do të dëshironte të realizonte përkthimin e veprës jo vetëm për ti shtuar diçka literaturës sonë “por pse kemi në atë vepër vjersha qi flasin dhe lëvdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve”. Konferenca e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiuesi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar StavroSkëndi, mund të konsiderohet si “Bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”.

Periudha e katërt i përket viteve 50 të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij.

Përkthimi i parë i plotë i ‘ChildHarold” do të realizohet nga Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “ChildHaroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim.

Impakti dhe influenca e Bajronit nuk do të kufizohej vetëm në Shqipëri por do të ishte i madh dhe në popullatën shqiptare në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e DrAbdullahKarjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në hapësirat shqiptare.

Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe Shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së Prishtinës.

Në vitin 1987, i cili do të shënojë një vit të rëndësishëm për studimet bajroniane në Shqipëri botohet monografia e parë për Bajronin nga Prof. Dr Afrim Karagjozi. Libri ishte fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe pasioni të pashtershëm. Do të ishte ky pasion që do të bënte të mundur që menjëherë pas lejimit të krijimit të shoqatave kulturore në 1991, një nga të parat shoqata që do të themeloheshin do të ishte Shoqata Shqiptare e Bajronit. Kjo shoqatë do të kthehej në një promotor të të gjithave aktiviteteve rreth figurës së poetit të madh si dhe studimeve të kontaktit të tij me shqiptarët.

Ripërkthimi i ChildHaroldit nga Napolon Tasi si dhe përkthimi i “Gjaurit”, për herë të parë në shqip si dhe një përmbledhje me vjersha të zgjedhura të Bajronit tregon se vepra e poetit vazhdon të intrigojë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë. Miti i Bajronit i krijuar diku aty rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX vazhdon të jetë i freskët dhe të vazhdojë të lëshojë sytha.

 

© Gazeta Shqip