Keto jane disa nga librat me te bukur qe mund t’i lexoni gjate kesaj vere. Romanet me te shitur ne te gjithe boten, te cilat vijne ne gjuhen shqipe nga shtepite botuese me ne ze te vendit: Pegi, Bota Shqiptare, Toena, Dudaj…
Me shiko – Nicholas Sparks
I pasur me emocione dhe me ngjarje që të mbajnë pezull, romani “Më shiko” na kujton se ndonjëherë dashuria farkëtohet përmes krizave që kërcënojnë të na shkatërrojnë… dhe se mund të mos jetë gjithnjë e lehtë për t’i njohur ata që na shikojnë ashtu siç jemi me të vërtetë. Kolin Hankoku po bën ç’është e mundur për të shfrytëzuar mundësinë e fundit që i është dhënë. Me një histori dhune e vendimesh të gabuara prapa krahëve dhe me kërcënimin e burgut në çdo hap që hedh, ai është i vendosur të bëjë një jetë pa gabime. Për Kolinin, kjo do të thotë të përqendrohet vetëm tek diplomimi e të shmangë gjithçka që ia ka prishur jetën më parë. Duke i kujtuar vetes çdo ditë mësimet nga përvoja e hidhur, gjëja e fundit që ka ndër mend është një lidhje serioze.
Maria Sançezi, vajza serioze e emigrantëve meksikanë, është tabloja e suksesit. Me një diplomë të Shollës Juridike të Djukut dhe me një punë në një firmë prestigjioze në Uillmington, ajo paraqitet si bukuria flokëzezë me karrierë profesionale të panjollë. Por, megjithatë, Maria ka mbi shpinë një histori tronditëse që e ka detyruar të kthehet në qytetin e lindjes e që e bën të vërë në pikëpyetje pjesën më të madhe të atyre që besonte më parë.
Një takim i rastit, në një rrugë të shkretë, mes stuhisë, do të ndryshojë rrugën e jetës së Kollinit e Maries, duke i bërë të kapërcejnë sfidat që lidhen me njëri-tjetrin dhe me historitë e tyre vetjake. Ndërsa mes tyre lind dashuria, ata guxojnë të përfytyrojnë të ardhmen e tyre të përbashkët… derisa nisin të shfaqen kujtimet kërcënuese të së kaluarës së Maries.
Kur një seri ngjarjesh kërcënuese e bëjnë lëmsh jetën e Maries, ajo dhe Kolini do të vihen në provë përmes situatash jashtëzakonisht të vështira. A do ta shkatërrojnë demonët e së kaluarës marrëdhënien e brishtë që ata kanë nisur të thurin, apo dashuria do t’i mbrojë edhe në orën më të vështirë?
Sytë e verdhë të krokodilëve – Catherine Pancol
Kjo është historia e një gënjeshtre. Por është edhe një histori me dashuri, miqësi, tradhëti, para dhe ëndrra. Jozefina, heroina e kësaj historie, do të gjendet shumë shpejt e braktisur nga i shoqi, me të bijën që e përçmon, me një nënë që vetëm e kritikon dhe me një motër që e nënvlerëson. E megjithatë, dalëngadalë, ajo do të kuptojë se mangësitë e saj janë pjesë e pandashme e personalitetit të saj dhe se ajo duhet të jetë krenare për to. Për shembull, ajo beson se dinjiteti dhe pasuria shpirtërore janë më të rëndësishme se mirëqënia e vogël dhe e kotë e jetës së përditshme (sytë e verdhë të krokodilëve).
Ky roman flet për burrat dhe për gratë: për gratë që jemi e për ato që do të donim të ishim; për ato që nuk do të jemi kurrë e për ato që ndoshta do të bëhemi.
Kur ti ike – Maggie O’Farrel
Alisa Raikes i hipën një treni në Kings Cross për të shkuar tek e motra në Skoci. Orë më vonë, aksidentohet në një rrugë plot trafik të Londrës dhe e çojnë në spital në koma. Kë apo çfarë pa në Edinburg, që e bëri të kthehej aq rrufeshëm? Mos vallë aksidenti ishte një tentativë për vetëvrasje? Po familja e saj, që po e pret në këmbë të shtratit të zgjohet, çfarë duhet t’i fshehë saktësisht?
Duke u endur nëpër shtresa të ndryshme të kujtesës, Alisa dëgjon bisedat dhe fillon të mbledhë kujtime të së kaluarës dhe të një dashurie të ndaluar rreptësisht kohët e fundit.
E pamundur ta lëshosh nga dora këtë libër të shkruar aq bukur… është kënaqësi të kesh mundësinë ta shijosh.
Perzgjedhja – Kiera Cass
Për tridhjetepesë vajza, përzgjedhja është mundësia e vetme në jetë. Mundësia për t’u ngjitur në botën e fustaneve vezulluese dhe bizhuterive të paçmuara. Për të jetuar në një pallat dhe për t’u ndeshur për zemrën e Princit Makson. Por për Amerika Singerin, përzgjedhja është makth. Ajo do të thotë t’i kthejë shpinën dashurisë së fshehtë me Aspenin, i cili i përket një kaste më të ulët se ajo, të lërë pas shtëpinë dhe të hyjë në një garë të ashpër për një kurorë që nuk e dëshiron.
Pastaj, Amerika njihet me Princin Makson. Dalëngadalë, nis të kuptojë se jeta të cilën e kishte ëndërruar gjithmonë as që krahasohet me një të ardhme të cilën nuk e kishte përfytyruar kurrë.
Zemra e vajzes – Jodi Picoult
Xhjuna ka kaluar nëpër vështirësi që as një nënë nuk do t’i donte. Dymbëdhjetë vjet më parë, i vranë burrin dhe vajzën e vogël. Vazhdoi të jetonte vetëm për hir të fëmijës që mbante në bark. Por tani përballet me humbjen e vajzës së dytë. Klera ka një defekt në zemër dhe, po të mos gjendet shpejt një dhurues, do të vdesë. Kur ofrohet mundësia, duket si mrekulli. Por Xhjuna mëson se zemra e re do të vijë nga njeriu që vrau dikur motrën e Klerës. Ajo mendon se duhet bërë gjithçka për t’i shpëtuar jetën vajzës. Po si mund t’i japë së bijës zemrën e një vrasësi?
“Fikni telefonin para se të uleni e të lexoni këtë libër… Është jashtëzakonisht tërheqës”
Në gjurmët e një përralle – Jan-Philipp Sendker
Një histori prekëse dhe frymëzuese e vendosur në Birmani, e cila zbulon një dashuri të mbushur me vështirësi dhe pasion, që do t’ju rikthejë besimin te fuqia e dashurisë për të lëvizur malet.
Bij dhe dashnorë – D. H. Lawrence
Një histori prekëse për gjithë ato femra që janë ndier të krahasuara me të paarritshmen nënë dhe për gjithë ata meshkuj që kanë ndier vargonjtë e pushtetit mëmësor. “Bij dhe dashnorë” është portretizimi i parë modern i një fenomeni që më pas, falë Frojdit, do të njihej si kompleksi i Edipit.
Kurrë s’ka pasur djalë më të varur nga dashuria e nënës dhe më të mbushur me urrejtje për të atin sesa Pol Moreli, protagonisti i këtij romani. Kurrë, me përjashtim ndoshta të vetë autorit D. H. Lawrence. Në këtë roman ai përfytet me dashuritë e papajtueshme që do t’i faniten tërë jetën: për të dashurën e tij shpirtërore të fëmijërisë dhe për nënën e tij. Duke përdorur fjalët e vetë Lawrence-it, ky libër ka për qëllim të përshkruajë zotërimin e një gruaje, e cila, “teksa djemtë e saj rriten, i kthen ata në dashnorë, në fillim të parin e pastaj të dytin. Këta bij janë të nxitur, vazhdimisht të nxitur, të hyjnë në jetë nga dashuria reciproke për nënën e tyre. Por kur burrërohen, nuk mund të dashurojnë, sepse nëna është prania më e fuqishme në jetët e tyre, ajo i mban të lidhur.” Natyrisht që nëna nuk i ka vërtet dashnorë bijtë e saj, por gracka psikologjike e saj është shumë e fortë. E kështu, teksa Poli rritet dhe burrërohet, ai pranon se arritjet e tij, duhet të jenë po aq edhe të nënës së tij. Cikli i lidhjeve të Polit me gratë është nganjëherë i tmerrshëm dhe autori nuk bën asgjë që t’ua zbusë fuqinë. Ai nuk tutet edhe nga përshkrimet sensuale dhe të gjalla të peizazheve, lulëzimeve dhe drithërimave që prekin protagonistin e ndjeshëm.
“Bij dhe dashnorë” i zhvesh krejtësisht shpirtrat e burrave. Pak libra tregojnë një të vërtetë kaq të plotë e të komplikuar, mbi dashurinë që ndërron, kaq vendosmërisht e pavendosur. Është gati përcëlluese, kjo prekje e tillë e njerëzimit. Në të trajtohet fëmijëria dhe adoleshenca dhe gjithçka që lidhet me to, duke përfshirë këtu edhe frikën, turpin, vetëndërgjegjësimin, ndjeshmërinë e tepruar emocionale, zgjimin seksual dhe bindjen kryelartë se, për ta thënë me fjalët e Pol Morelit, pikërisht ti “do t’ia ndryshoje fytyrën tokës në një mënyrë a një tjetër”.
I përzgjedhur nga Modern Library, si një nga 100 librat më të mirë të shekullit të XX, sot ai konsiderohet si një kryevepër nga kritikët e shpesh, edhe si vepra më e arrirë e D. H. Lawrence.
Dashuria që meriton – Daria Bignardi
Në librin e saj të katërt, Daria Bignardi na sjell një histori të fshehtë. Si mund të jetë dashuria, njëkohësisht forca më krijuese dhe ajo më shkatërrimtare? Çfarë jemi të gatshëm të humbim për dashurinë, çfarë jemi të gatshëm të rrezikojmë? A është e mundur që lumturia e plotë të shfaqet vetëm atëherë kur të pushton hidhërimi absolut?
Histori të rinjsh që, pas shumë e shumë vitesh, kthehet në një peng për të afërmit e tyre. Përmes rrëfimeve të Antonias dhe Almës zbulohen të fshehta tronditëse për histori droge, histori dashurish, të fshehta të tjera për prejardhjen familjare që nuk është e lehtë t’u shkosh në origjinë. Ndaj dhe Antonia gati vihet në rolin e një detektivi dhe arrin të ndriçojë pjesën më të madhe të një historie që dukej sikur nuk do të shpjegohej kurrë.
Shenja – Raymond Khoury
Një roman i përkryer për t’u lexuar gjatë verës. Nga ata për të cilët Dan Brown-i ishte fillimi, por jo fundi.
Po ju shuajmë kureshtjen me një pjesë nga libri:
– Të gjithë bashkë një Zoti i falemi, – foli. – Vetëm kjo ka rëndësi. Gjithçka tjetër, gjithë këto institucione që kemi ngritur në emër të Tij, të gjitha ritualet e shprehjet publike të besimit, i krijuam ne. Ne i bëmë. Njerëz si puna juaj e imja. E ndoshta, gabuam që i krijuam e u dhamë këtë pushtet që tashmë zotërojnë mbi ne. Sepse Zoti s’do t’ia dijë çfarë ha apo pi. S’do t’ia dijë sa herë i lutesh, çfarë fjalësh përdor apo ku shkon për ta bërë këtë. S’do t’ia dijë për kë voton. Ai do t’ia dijë vetëm për mënyrën si sillemi me njëri-tjetrin. Kjo ka rëndësi vetëm. Të gjithëve ju ka falur një mendje madhështore, një mendje falë së cilës ju keni shënuar arritje madhështore. Pikërisht, nga ky qytet ju dërguat njeriun e parë në hënë. Kaq të mençur jeni. Mund ta ngjizni jetën në një epruvetë. Mund ta rrafshoni botën me armët që po krijoni. Në duar e keni si jetën, ashtu edhe vdekjen, ndaj të gjithë jeni zotër. Dhe, dashur pa dashur, jeni zotër të jetës suaj me gjithçka që bëni, me çdo veprim që kryeni. Atë që bëni. Atë që blini. Atë për të cilin votoni. E brenda vetes ruani fuqi të pakufishme. Me mendjen tuaj mund të arrini të pamundurën. Me mendjen tuaj mund të arsyetoni. Të bisedoni me njëri-tjetrin duke i diskutuar gjërat hapur. E po ato mendje duhet të mjaftojnë edhe për t’ju treguar si duhet të silleni karshi njëri-tjetrit. Çdonjëri prej jush e di këtë. Edhe vetë e kuptoni. E dini se të lëndosh e vrasësh njëri-tjetrin është e gabuar. E dini se të rrish kot kur të tjerët vdesin urie është e gabuar. E dini se të zbrazësh mbetjet kimike vdekjeprurëse nëpër lumenj është e gabuar. Përditë, secili prej jush përballet me një zgjedhje dhe ajo që ka rëndësi është pikërisht mënyra si ju zgjidhni për t’u sjellë. Ja, kaq e thjeshtë është.
Dritat në shtëpitë e të tjerëve – Chiara Gamberela
Falë saj, lexuesi do të hedhë një sy pas perdeve të këtyre shtëpive dhe do të zbulojë se familja përmban një alkimi të papërcaktueshme elementesh: ata që e kanë, rrezikojnë ta shkatërrojnë; ata që s’e kanë, e shohin si të vetmen rrugë drejt lumturisë. Chiara Gamberale ka krijuar një roman ku arketipat tradicionalë përzihen me dramat bashkëkohore, ku e vërteta dhe e rremja shkëmbehen dhe i japin jetë një zëri origjinal dhe të paharrueshëm që na udhëheq drejt një fundi befasues.