Makijazhi që kalon provën e nxehtësisë

Që makijazhi juaj të mos shkrijë, ndiqni këshillat e mëposhtme: janë shumë të thjeshta. Dhe funksionojnë me të vërtetë

Ja ku jemi, ti dhe vapa e madhe. Mijëra projekte për të ardhmen, një dëshirë e çmendur për të veshur kostumet shumëngjyrëshe që janë në modë këtë vit. Gjithçka do të ishte e përsosur nëse nuk do të ekzistonte një detaj i vogël: makijazhi juaj, sapo vjen stina e verës, shkrihet si bora në diell. Ndodh në qytet, edhe gjatë rrugës shtëpi-zyrë. Edhe gjatë fundjavave në det, atëherë kur ju doni të dukeni më e bukur. Ndoshta edhe në plazh, ndërsa po merrni rrezet e diellit. Por zgjidhja ekziston. Mjafton të njihni disa sekrete të vogla dhe të vini në praktikë disa marifete të thjeshta. Doni të dini se cilat janë? Lexoni më poshtë.

Lëkurë pa të meta

  • Zgjidhja më e mirë për ta patur lëkurën si të mëndafshtë dhe të njëjtrajtshme nga mëngjesi deri në darkë është të përdorni një krem pudër diellore me filtër kundër rrezeve ultravjollcë dhe kundër ujit.
  • Nëse krempudra është e lëngshme, hapeni mirë me sfungjerin e njomë ose me mollëza. Nëse është kompakte, përdorni aplikuesin e duhur, por pa e tepruar me produktin.
  • Kur jeni në plazh refleksi i diellit mbi det i minimizon defektet dhe nxjerr në pah bukurinë e fytyrës. Dhe mjafton të përdorni pak krempudër që lëkura të duket e lëmuar dhe e përsosur.
  • Mos harroni. Shmangni korrektorin. Në kontakt me krempudrën kundër ujit, reagon ndryshe ndaj ujit dhe djersës. Dhe mund të njollosë lëkurën.

Sytë në tonin pastel

  • Për makijazhin e syve i keni idetë e qarta. Një rozë e bukur, një bojëqielli ose gri perlë ju japin një pamje të freskët dhe të shndritshme.
  • Por kur duhet të zgjidhni hijezuesin, lindin dyshime. Më mirë pluhur apo krem? Për t’i rezistuar djersës ose për t’u larë në det shumë të mirë janë lapsat e mëdhenj: i kanë majat e buta dhe kështu që nuk gaboni në lyerjen e tyre.
  • Plotësojeni tualetin me një rimel kundër ujit. Për një shikim më joshës, duhet të dendësoni dhe të lakoni qerpikët sa më shumë të jetë e mundur: sekreti është që në fillim të përdorni krëhërin e vogël për t’i ndarë dhe pastaj t’i lyeni me rimel. Më pas, gjithmonë me krëhërin e vogël, duhet të hiqni grumbullimet dhe t’i ndani përsëri. Më pas lyeni sërish me rimel.
  • Mos harroni. Hiqni dorë nga peneli dhe lapsi i zi. Djersa dhe banjat bëjnë që ato të bien dhe mund të acarojnë sytë.

Buzët efekt akull

  • Këtë verë, synoni te buzët: me makijazhin e syve në tonet te lehta pastel, goja bën ndryshimin e vërtetë. Dhe mos harroni që, në këtë rast, dielli luan në favorin tuaj: nëse përdorni një produkt të shndritshëm, i bëni më mishtore dhe joshëse. Problemi i vetëm është që shkëlqyesi nuk është kundër ujit. Si pasojë duhet ta aplikoni disa herë në ditë.
  • Atëherë, veproni kështu. Shtrini një buzëkuq në një tonalitet jo shumë të errët. Pastaj, për të shmangur që buzët të thahen, kalojini sipër gjalpë kakaoje. Ose një shkëlqyes me efekt të lagur. Zgjidheni në ngjyrën e hijezuesit.
  • Mbani mend. Mos vendosni buzëkuqin tuaj të zakonshëm. Substancat që e përbëjnë priren të shkrijnë me vapën. Dhe ngjyra mund të hyjë në rrudhat e holla të buzës, duke nxjerrë në pah dhe duke prishur vizatimin.

Ngjyra gjithmonë të shkëlqyeshme

  • Sidomos në det, drita e diellit ndryshon nga ora në orë. Dhe ndryshojnë edhe rregullat e makijazhit. Sepse nga mëngjesi deri në orën 15.00 drita është në maksimumin e saj edhe në fytyrën tuaj.
  • Vendosni pak krempudër dhe shumë rimel (e bën më të dukshëm hijezuesin). Dhe vendosni shumë shkëlqyes te buzët.
  • Pasdite, kur drita bëhet më e butë, forconi sasinë e hijezuesit. Dhe përhapni në fytyrë një pudër të errët me reflekse të shkëlqyeshme. Kështu do t’i jepni lëkurës një pamje të ngrohtë dhe të artë.

femra-moderne.com