Mamografia: gjithcka te nevojshme qe duhet te dini

Mamografia është një lloj radiografie e gjirit. Mamografia e kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme, atëhere kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë, afërsisht rreth 2-3 vjet përpara shfaqjes së shenjave.

Mamografia mund të kryhet në çdo kohë, por do të ishte gjithmonë e përshtatshme që të zgjidhej momenti kur gjinjtë nuk janë të fryrë apo të dhimbshëm p.sh. në fund të menstruacioneve, ose 3-4 ditë mbas tyre” – thote Orida Qeva, teknike radiologe prane Spitalit Amavita.

Orida Qeva, teknike radiologe prane Spitalit Amavita

Nuk duhet ndonjë parapërgatitje e veçantë për të bërë mamografinë. Kur gratë shkojnë për mamografi, është mirë të veshin bluza me fund ose pantallon, në mënyrë që të lehtësojnë procedurat e ekzaminimit të gjirit. Gjithashtu, në ditën e ekzaminimit nuk këshillohet të përdoren deodorantë, pasi disa prej tyre përmbajnë substanca që mund të ndërhyjnë në leximin e mamografisë, keshillon Qeva per lexuesit e femra-moderne.com.

Për gratë që kanë kryer mamografi më parë, këshillohet të kenë filmat e tyre me vete për t’i konsultuar me radiologun.

E pyetur se pse gratë hezitojnë të bëjnë mamografi, mbi të gjitha kur nuk kanë dyshime, Qeva thote: “Dy janë arsyet kryesore pse gratë hezitojnë të kryejnë mamografinë: frika nga rezultati i mamografisë/frika nga diagnoza, si dhe dhimbja gjatë procedurës së ekzaminimit. Lidhur me frikën prej rezultatit të mamografisë, duhet ditur se në ditët e sotme kanceri i gjirit mund të trajtohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Mamografia shpëton shumë jetë grash të cilat vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit. Shumë gra janë në jetë sot për arsye se ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri. Është e vërtetë se për disa gra mamografia krijon një gjendje jorehatie për shkak të shtypjes së gjirit midis dy pllakave të aparatit të mamografisë. Por kjo shtypje apo dhimbje gjatë procedurës që perceptohet prej disa grave, mund të evitohet nëse femrat planifikojnë të kryejnë mamografinë në fund të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo për arsye se para dhe gjatë menstruacioneve gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm.”

Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë, madje edhe nga një mamografi te tjetra. Prandaj mamografia nuk duhet bërë vetëm një herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës. Është mjeku ai që sqaron se sa herë duhet të bëhet mamografia.

femra-moderne.com