Mëndafshi, mbreti i pëlhurave

Mëndafshi, kjo copë e shndritshme është quajtur edhe mbreti i pëlhurave.

Eleganca e mëndafshit ka magjepsur tërë botën, që nga mbretërit e lashtë, e deri te njerëzit e thjeshtë të ditëve tona. Por, nuk ka qenë gjithnjë kaq e lehtë ta gjeje kudo mëndafshin. Në të kaluarën prodhimi i mëndafshit ishte një biznes i njohur vetëm në Kinë. Askush tjetër nuk dinte si ta prodhonte, prandaj kushdo që e tregonte sekretin e krimbave të mëndafshit ekzekutohej si tradhtar. Nuk është çudi pra, pse ky monopol i prodhimit të mëndafshit e bëri atë mjaft të shtrenjtë. Për shembull, në gjithë perandorinë romake mëndafshi ishte po aq i vlefshëm sa edhe ari.

Me kalimin e kohës, Persia vuri nën kontroll të gjithë mëndafshin që eksportohej nga Kina. Megjithatë çmimet ishin ende të kripura, dhe përpjekjet për t’i shmangur tregtarët persë shkuan kot. Pastaj, perandori bizantin Justiniani hartoi një plan. Rreth vitit 550 p.e.s., ai dërgoi në Kinë dy murgj me një mision sekret. Ata u kthyen pas dy vjetësh. Brenda kallamave të bambusë kishin fshehur thesarin e shumëpritur—vezët e krimbit të mëndafshit. Sekreti u zbulua. Monopolit të mëndafshit i erdhi fundi.

Sekreti i prodhimit të mëndafshit

Mëndafshi prodhohet nga krimbat e mëndafshit, ose vemjet e fluturës së krimbit të mëndafshit. Ka qindra lloj krimbash mëndafshi, por emri shkencor i atij që prodhon mëndafshin me cilësi më të lartë është Bombyx mori. Nevojiten goxha krimba mëndafshi për të bërë pëlhura të tilla, prandaj kjo gjë çoi në rritjen dhe kultivimin e tyre.

Rezultate imazhesh për silk

Femra arrin të ngrohë deri në 500 vezë, të mëdha sa koka e një gjilpëre. Vezët çelin pas afro 20 ditësh. Krimbat e veckël janë grykës të mëdhenj. Natë e ditë hanë gjethe mani—dhe vetëm gjethe mani. Brenda 18 ditësh, pesha që kishin në fillim krimbat e mëndafshit rritet 70-fish dhe lëkura i ndërrohet katër herë gjatë kësaj kohe. Zhurma që bëjnë këto krijesa të pangopura, është tamam si zhurma e një shiu të furishëm që bie mbi gjethe. Kur krimbi i mëndafshit rritet, peshon 10.000 herë më shumë sesa peshonte në fillim. Tani është gati të endë pezhishkën.

Endës të heshtur

Kur është rritur plotësisht, trupi i krimbit të mëndafshit bëhet i tejdukshëm, dhe kjo tregon se është koha që të fillojë të endë. Kur krimbat e mëndafshit nuk i zë vendi dhe fillojnë të kërkojnë një vend që të ngrejnë «foletë», ku të vendosin pezhishkat e tyre, do të thotë se ka ardhur koha të vendosen në një kuti të ndarë në kutiza të vogla. Aty ata nxjerrin fillin e tyre të bardhë e të imët, duke e mbështjellë veten me mëndafsh.

Rezultate imazhesh për silk worms and cocoons vietnam

Ndërkohë, brenda krimbit të mëndafshit ndodh një ndryshim i mrekullueshëm. Gjethet e manit shndërrohen në fibroinë, një lloj proteine, e cila gjendet në dy gjëndra që janë të gjata sa vetë trupi i vemjes. Ndërsa fibroina del përmes këtyre gjëndrave, vishet nga një substancë si gomë, që quhet sericinë. Pa dalë nga goja e vemjes, dy fije fibroine ngjiten bashkë nga sericina. Në kontakt me ajrin, ky mëndafsh i lëngshëm ngurtësohet dhe formon një fije të vetme.

Kur krimbi i mëndafshit fillon të prodhojë mëndafsh, nuk ndalon deri sa të mbarohet i tërë lëngu. Ai end me një shpejtësi 30 deri në 40 centimetra në minutë, dhe gjithë këtë punë e bën duke rrotulluar kokën sa andej-këtej. Një artikull thotë se kur fshikëza e mëndafshtë është përfunduar, krimbi i mëndafshit e ka rrotulluar kokën gati 150.000 herë. Pasi end për dy ditë e dy netë, krimbi i mëndafshit prodhon një fije të vetme të gjatë 1500 metra. Kjo është katër herë më e gjatë se lartësia e një grataçele.

Si prodhohet pëlhura e mëndafshit?

Procesi i çmbështjelljes së mëndafshit nga pezhishka dhe e vendosjes në një bobinë, quhet mbështjellje. Si filloi ky proces? Mitet dhe legjendat s’kanë të sosur. Sipas një legjende, perandoresha kineze Hsi Ling Shija, vuri re se një pezhishkë kishte rënë nga pema e manit te filxhani i saj i çajit. Duke u përpjekur ta hiqte, pa se bashkë me të doli një fije e hollë mëndafshi. Kështu lindi procesi i çmbështjelljes së fijes së mëndafshit, proces që sot bëhet me anë të makinerive.

Pezhishkat që kanë ndonjë defekt hiqen, kurse ato që mbeten janë gati të përpunohen. Së pari, pezhishkat futen në ujë të nxehtë ose në avull që të shkrijë sericina dhe fija të shkëputet. Pastaj kapet fillimi i fijes me furça rrotullore. Sipas trashësisë së dëshiruar, mund të ndërthuren fije nga dy ose më shumë fshikëza për të formuar një fill të vetëm. Filli thahet dhe mbështillet në një bobinë. Mëndafshi i papërpunuar mbështillet prapë në një bobinë më të madhe, për të formuar një lëmsh me gjatësinë dhe peshën e kërkuar.

Mund ta keni provuar që pëlhura e mëndafshit është kaq e lëmuar dhe e butë, saqë keni dashur të ledhatoni faqet me të. Si bëhet kjo pëlhurë kaq e veçantë? Një faktor është heqja e sericinës që vesh fibroinën. Mëndafshi që ka sericinë, është i ashpër dhe mezi ngjyroset. Pëlhura chiffon është si me kokrriza, ngaqë një pjesë e sericinës mbetet.

Faktori i dytë është sa tirret filli gjatë punës. Kur e prek pëlhurën japoneze habutai, ajo është e butë dhe e lëmuar. Ka fare pak ose aspak përdredhje të fillit. Në kontrast me këtë, krepi ka përbërje të ashpër. Ka jashtë mase përdredhje të fillit.

Ngjyerja është një tjetër proces i rëndësishëm. Mëndafshi ngjyhet lehtë. Struktura e fibroinës e lejon bojën të depërtojë thellë, duke bërë që copa të marrë ngjyrë shpejt dhe shumë mirë. Përveç kësaj, njësoj si copat sintetike, mëndafshi ka jone pozitive dhe negative. Kjo do të thotë se çdo lloj boje merr shumë mirë. Mëndafshi mund të ngjyhet që kur është fill, para ose pasi të endet në tezgjah. Te kimonot e famshme yuzen, pikturohen dhe ngjyrosen me dorë motive të bukura, pasi është endur pëlhura e mëndafshit.

Pavarësisht se shumica e prodhimit të mëndafshit bëhet në Kinë dhe në Indi, përsëri asnjëri s’ua kalon stilistëve francezë dhe italianë për sa u përket modeleve me copat e mëndafshta. Sigurisht, sot pëlhurat si mëndafshi artificial dhe najloni, përdoren për të prodhuar copa jo shumë të shtrenjta. Gjithsesi, mëndafshi nuk ka të krahasuar. Edhe me përparimet e sotme në shkencë, mëndafshi nuk sintetizohet,—thotë kujdestari i Muzeut të Mëndafshit në Jokohama, Japoni. – Ne dimë gjithçka, që nga formula molekulare e deri te struktura. Por nuk e kopjojmë dot. Këtë unë e quaj, misteri i mëndafshit.”

femra-moderne.com