Është ndarë nga jeta mbrëmjen e të enjtes, në moshën 83-vjeçare këngëtarja Anita Take.
Ajo u ngjit në skenë para më shumë se 50 vjetësh, por akoma vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë njohur. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot.
E lindur në një familje që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.
Debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind këngët e shekullit”.
Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga Presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”.
Por, ndonëse ajo ishte shumë e gëzuar për profesionin e saj, pengu i vetëm për të, ishte se nuk ka arritur të filmohet, duke kënduar në vitet e saj më të mira.