Këngëtari dhe kompozitori, Leonard Cohen vdiq dje në moshën 82-vjeçare, konfirmoi kompania muzikore “Sony Music Canada” në Facebook.
“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se poeti legjendar, kompozitori dhe artisti, Leonard Cohen ka ndërruar jetë”, shkruhet në një postim të profilit të Leonard Cohen. “Ne kemi humbur një nga vizionarët më të nderuar dhe më të shkëlqyer të muzikës”, thuhet në status. “Një memorial do të zhvillohet në Los Angeles në një datë të mëvonshme. Familja kërkon privatësi në këtë kohë pikëllimi”, përfundon postimi.
Cohen ishte i njohur për këngët e tij popullore të viteve 1960 si “Suzanne”, “Bird on a Wire” dhe më vonë me hitin e tij më të shkëlqyeshëm “Hallelujah”.
Zëri i tij dhe tekstet poetike trajtonin dashurinë, urrejtjen, vdekjen, luftën dhe paqen, duke i dhënë atij titullin “kryeprifti i patos” dhe “kumbari i errësirës”. Puna e tij u shtri në pesë dekada dhe ka publikuar albumin e tij të 14-të, You Want It Darker, që është prodhuar nga djali i tij, Adam Cohen, vetëm muajin e kaluar.
Ironik apo me një butësi deri në pafajësi por gjithnjë provokues, kanadezi i dashuruar me autorët beatniks iku nga Montreal i tij (lindi në 1934) në kërkim të aventurës poetike fillimisht në Europë (jetoi një kohë në Londër dhe më vonë në Greqi), për t’u vendosur më vonë në Nju Jork dhe paskëtaj në Los Angeles. Ndërkaq shkroi disa libra me poezi si “Lule për Hitlerin”, “Parazitë dhe parajsë”(1966), dhe disa romane si “Loja e favorshme” (1963) dhe ”Bukuroshë të humbur” (1966) , një libër me të cilin fitoi shumë fansa . Historia e tij intime mbi dështimet u kthye në një hit pse jo dhe botëtor.
Një dite poeti mbërriti në Nju Jork me një mendim të ri.
Poemat e tij tashmë kishin gjetur një strukturë të re. Dhe atëhere gjithçka ndryshoi, fjala e tij u forcua dhe mbërriti në vende ku librat e poezisë nuk mbërrijnë, e gjitha kjo se njerëzit nuk lexojnë poezi.
Mbërritën kështu këngët e tij. Në to Cohen nxiti temat e tij të preferuara: dashurinë, dështimin, politikën, fenë, seksin, marrëdhënien njerëzore . Dhe gjithçka e arriti me një ekzaktësi poetike, të mbështetur mbi një strukturë folk interpretuar nga një njeri i dhimbur.
Dhe arritja e tij e parë qe “Suzanne”, një këngë simbol, me të cilën debutoi në industrinë diskografike duke çuditur një publiku të cilit i dha një gjuhë të re estetike.
Në fakt fjalët e këngëve të Cohen nuk janë më të mira se sa poemat e tij shtypur në libra. As më të këqija. Ndryshimi është ndoshta në magjinë që ndonjëherë di të falë muzika.
Songs of Leonard Cohen (1967), Songs from a Room (1969) dhe Songs of Love and Hate (1971) janë tre disqet e tij të para. Në to përqëndrohet furia poetike dhe ekspresive e kantautorit.
Ai që dëgjon Leonard Cohen nuk ka fat të mos tërhiqet njëherazi nga këngët e tij gjeniale dhe të bëhet menjehere fans i tij.
Cohen, gjithnjë do të mbetet poeti dhe muzikanti i ndjeshëm që ka ditur të eksplorojë gjëndje të ndryshme emocionale të qënies njerëzore dhe t’i japë krejt në mënyrë origjinale në këngët e tij.
Është ai ‘plaku’ me zë të ngjitur që herë pas here i pëlqen një verë e mirë apo një joint i mirë; është romantiku, qefliu, miku dhe bohemi që di të shoqërojë në momentet më të errëta të vetmisë apo dhe të ngazëllimit.
Leonard Cohen, ishte njeriu që diti të eksperimentojë dhimbjen e tij ashtu sikundër diti të japë një bakshish të majmë në një klub të Parisit.