Prince, këngëtari legjendar amerikan, një nga muzikantët më të mëdhenj pop të gjeneratës së tij, vdiq në moshën 57 vjeçare, njofton TMZ.
“Është me një trishtim të thellë që konfirmoj se interpreti legjendar, Prince Roger Nelson, vdiq sot në mëngjes në rezidencën e tij në Paisley Park”, njoftoi zëdhënësja e tij, Yvette Noel-Schure.
Këngëtari ishte dërguar të premten me urgjencë në spital për shkak të një gripi, njoftuan shumë media.
Nga ana tjetër sherifi i qarkut ku jeton Prince ka njoftuar se një hetim ka filluar mbi rrethanat e vdekjes, pa dhënë informacione të tjera. Nderkohe eshte bere publike nje telefonate qe policia ka marre ne numrin e emergjencave 911, ku nje telefonues ka raportuar per nje person pa ndjenja ne shtepine e Prince.
Nuk dihet shkaku i vdekjes, por sot pritet nje autopsi qe mund te sqaroje gjerat.
Djaloshi i Minneapolis ishte një nga muzikantët më të mëdhenj të viteve 80-90, me këngë si “Purple Rain”, “Cream”, “Girls & Boys”, “Kiss”, që kanë bërë gjithë botën të kërcejë duke përzier tingujt e kitares dhe ritmet funk.
Më shumë i njohur si kitarist, këngëtar dhe kërcimtar, Prince ka organizuar së fundmi koncerte në studiot e tij në Paisley Park, në Minesota (SHBA) dhe në Australi, gjatë të cilit ai luajti solo në piano, duke deklaruar se kërkonte të përballej me një tjetër sfidë artistike.