Nënë Tereza, jeta e shenjtores

Kur ishte gjallë, Nënë Tereza cilësohej si “një shenjtore e gjallë”, pas 19 vjetësh nga vdekja e saj merr zyrtarisht këtë titull gjatë ceremonisë në sheshin San Pietro në Vatikan me 4 shtator 2016.

Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi  imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.

Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim rrace, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Data 4 shtator do të shënohet në kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës. Papa Françeksu firmosi në 15 mars 2016 dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës.  Papa Françesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të Nënë Terezës me Perëndinë. Ndërsa në vititn 2008 Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet Nënë Terezës atë  të shërimit të një burri brazilian me tumor në kokë.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.

Jeta e Nënë Terezës

Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u bë më njeriu më popullor në botë për shkak të manifestimit të ndjenjës së humanizmit. Ajo kaloi 45-vjet në shërbim të plotë të varfërve, të të sëmurëve, jetimëve duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.

Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t’u bërë misionare, Gonxhja u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.

Nje foto e rralle e Nene Terezes ne adoleshence, rreth vitit 1930

Më 10 shtator 1946, gjatë shtegtimit me tren nga Kalkuta, në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, motër Tereza, profesoreshë gjeografie në shkollën e mesme të vajzave, ndjen thirrjen në thirrje. Del nga mjediset e qeta të Institutit drejt e në rrugë të madhe, ku e thërret zëri i Krishtit. Bëhet e varfër, në mes të varfërve, si Zoti, të cilit ia kushtoi gjithë jetën.

Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane. E veshur me këtë rrobe të përvuajtur, me këmbët mbathur me sandalet, më pas simbol i shtegtimeve të saj në lagjet më të varfra të mbarë botës, ajo nisi t’i kërkonte të varfërit më të varfër nëpër të gjitha skutat e Planetit.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta, ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.

Nene Tereza merr Cmimin Nobel per Paqe

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Por Shqipëria heshtte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ’90.

Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë

Në 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tirane. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.

Shtëpia e parë e Misionarë të Bamirësisë në Shtetet e Bashkuara ishte themeluar në Bronksin e Jugut, Nju Jork; deri më 1984 asambleja punonte në 19 institucione gjatë gjithë vendit. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë: Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindishte.

Shqiptarja trupvogël ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë.

Titujt

Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes.

femra-moderne.com