Truri është bërë për të harruar dhe e bën këtë vazhdimisht duke fshirë kujtimet e padobishme. Keshtu i krijon hapësirë atyre më të rëndësishme që shërbejnë për të marrë vendime të matura dhe inteligjente, për t’u përshtatur më mirë me realitetin që ndryshon.
Ky studim është publikuar në revistën shkencore “Neuron” nga neuroshkencëtarët e Universitetit të Torontos, në Kanada dhe ndryshon radikalisht konceptimin e memories, jo më si aftësia për të ruajtur një numër gjithnjë e më të lartë të informacioneve në kohë, por si aftësia për të ditur të harrojë gjërat më pak të dobishme.
Bëhet fjalë për një revolucion të tipit kopernikan, që prej disa vitesh kishte filluar të shfaqej në fushën e neuroshkencave. Këto studime kanë ndezur reflektorët mbi rëndësinë që ka harresa dhe jo vetëm ruajtja e kujtimeve.
“Duke analizuar studimet më të fundit shkencore, kemi gjetur shumë prova që tregojnë ekzistencën e mekanizmave që nxisin humbjen e kujtimeve dhe që duket se janë të ndryshme nga ato që janë të përfshira në magazinimin e informacioneve”, shpjegon një prej autorëve të këtij studimi, Paul Frankland.
Për shembull, një prej mekanizmave të individualizuar shërben për të dobësuar ose eleminuar lidhjet mes neuroneve që ruajnë kujtimet.
Por, ka edhe një mekanizëm të dytë që konsiston në prodhimin e neuroneve të reja në pjesën e memories, në hipokampus, bën të mundur që këto neurone të reja të rimodelojnë ose mbishkruajnë kujtimet e vjetra, duke i bërë edhe më të vështira për t’u arritur.
Ky fenomen mund të shpjegojë edhe arsyen përse fëmijët, që prodhojnë vazhdimisht neurone të reja në hipokampus, përfundojnë duke harruar shumë gjëra.
Ndonëse mund të duket një kontradiktë që truri të harxhojë gjithë këto energji për të harruar, në të vërtetë e bën për të eleminuar informacionet e vjetra që nuk përdoren dhe për të mos u humbur në detaje të panevojshme, madje këto parime përdoren edhe në mënyrën e funksionimit të inteligjencës artificiale.