“AURORA BOREALIS 2“ NË PRIZRENIN HISTORIK REFLEKTON DRITË, PAQE DHE DASHURI NJERËZORE
Lexoni edhe: Interviste/ Aurora Ndreu: Piktura, arti i bukur qe zgjoi endrren dhe plotesoi jeten time
Aurora Ndreu (Cakaj) – piktore e njohur nga Tirana, tashmë jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj, e cila pas një ekspozite të suksesshme pikture në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë “Aurora Borealis 1 (Tetor 2017), vjen para artdashësve shqiptare me një tjetër ekspozitë të dytë personale “Aurora Borealis 2” në Kosovë, me ftesë nga Shoqata për kulturë dhe art Fidani Prizren , z.Berat Batiu, Nexhat Cocaj si organizatore të kësaj ekspozite në sallën e shtëpisë kulturës të Kulturës “Xhemajli Berisha” dhe mjediset e Teatrit profesionist “Bekim Fehmiu”. Kjo ngjarje i dedikohet 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në prani të një numri krijuesish artistik të cilët vlerësuan talentin artistik me vlera të larta krijuese. Ajo vjen plot dritë e pozitivitet në qytetin e bukur, artdashës dhe historik te Prizrenit, ku me talentin e saj ka arritur të rrembejë interesin e shumë specialisteve dhe kritikeve të artit pamor. Thuajse në të gjitha gjinitë e pikturës si portret, kompozim, natyrë e qetë, peisazhe, por edhe pikturë abstrakte, ajo tashmë mund të konkurojë denjësisht me piktorët me të mirë. Figura e nënës dhe e femijës, e sjell aq bukur, hyjnore, në disa nga pikturat sjell ndjenjën e fortë njerëzore, mëmësine. Per tre ditë , artëdashesit e këtij qyteti te lashtë dhe historik, shijuan punime që reflektojnë dritë, paqe, dashuri njerëzore.
Pse keni zgjedhur Prizrenin për të ekspozuar punët tuaja në këtë ekspozitë. Cfarë vendi zë Kosova në jetën tuaj artistike?
Para pak muajsh kam qënë pjesë e një aktiviteti sa njerëzor dhe human, që ka të bëjë me dhurimin e tre pikturave në Prekaz, unë së bashku me piktorin e mirënjohur Sulejman Prrenjasi vizituam memorialin dhe shtëpinë e bërë shoshë nga luftimet në familjen e Jasharëve me 28 Nentor 2017. Më dukej sikur dëgjoja zërin dhe britmat e femijeve të vrarë në ato rrënoja. E kam realizuar portretin e heroit Adem Jashari me një frymë dhe mezi prisja ta dergoja atje ku prehet në fushë pranë gjithë anëtarëve të familjes së tij. Në pikturë e doja ashtu të gjallë, madhështor, i gatshëm per flijim. Ky aktivitet do mbetet i paharruar në kujtesën time për shumë kohë.
Kosova ka qenë e pranishme gjithmonë në jetën time, në veprat, romanet e tim eti, qyteti im i lindjes është në kufi me Kosovën, Prizrenin. Gjithashtu nëna ime është me origjinë nga Gjakova. Në shtëpinë tonë në vitet ’78 mbaj mend erdhën dy gazetarë, shkrimtarë, studiues nga Prizreni z.Nexhat Cocaj dhe një tjetër në fshehtësi, pasi kufiri ka qënë i mbyllur dhe nuk ishte aspak i lehtë kalimi në Shqiperi. Pas shumë vitesh me mbarimin e luftës në Kosovë, pata fatin t’i takoj dhe të flas me ta dhe ta prek nga afër Kosovën e shumëdeshiruar, me saktë Prizrenin me ekspoziten time të dytë personale “Aurora Borealis 2“.
Pse keni zgjedhur “Aurora Borealis” si titull të ekspozitave tuaja?
Është një fenomen i mrekullueshëm që ndodh në hemisferën e Veriut. Një vallëzim i bukur ngjyrash që mbushin qiellin në një mënyrë tëpër mistike, me një shkëlqim të mbinatyrshëm. Ashtu jam dhe unë, një Aurorë e mbushur plot me ngjyra plot dritë e jetë.
Ju mereni dhe me poezi. Si mendoni kanë lidhje me njëra tjetrën. Si vjen poezia te arti pamor?
Arti, pasioni dhe talenti thonë se lindin me njeriun, por ndonjëherë ndodh që talenti shpërthen si uragan në një moment kyc në jetë. Ky shperthim të ndjek pas gjithë jetën. Kjo ndodhi me mua para 5 vjetësh kur humba babanë, heroin e jetës time. E gjithë kjo dhimbje u kthye në pasion për artin dhe pikturën dhe kjo më bën te lumtur. Netëve të vona shkruaj poezi dhe i nderthur me pikturën. Kam lexuar shumë pasi në shtëpine tonë falë atit tim shkrimtar kishim një biblotekë shumë të pasur. Mendoj që poezia është e lidhur ngusht me pikturën, ndërthurja e tyre bën atë qe ne e quajmë art.
Ju jeni me profesion ekonomiste, jeni bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve. A mendoni se ky profesion dhe obligimet tuaja në familje ju pengojnë të merreni me pikturë?
Mundohem t’i bëj të gjitha, të jem një nënë e përkushtuar, bashkëshorte shumë e mirë dhe të jem korrekte në profesionin tim. Kur kam kohë të lirë merem me pikturë, e cila më shplodh gjithë stresin e ditës. Fokusohem te tabloja që kam përpara dhe nuk mendoj me asgjë, shkrihem me të. Me një pikturë të bukur shpesh dashurohesh, bëhet pjesë e jotja, nuk deshiron ta shesësh apo t’ja dhurosh njeriu. Ajo mbetet aty në zemër përgjithmonë.
Cila është teknika që ju punoni?
Punimet i kam kryesisht në vaj. Kam eksperimentuar me të gjitha por punimet në vaj janë shumë të bukura. Natyra gjithmonë me ka mrekulluar me gjithë dimensionin e saj,Kam vizituar disa vende te Europës, jam mahnitur me muzetë e Vienës, Hungarisë, vende këto me një kulturë të lashtë. Me pëlqen të luaj me dritën, në bardh e zi prandaj shpesh punoj me karbon duke krijuar figura. I dhuroj portrete miqve që me rrethojnë
Në punimet e mia ka shume blu, është ngjyra e piktorëve të mëdhenj, personifikim i qiellit, detit, hapesirës. Deti i jugut më ka mrekulluar gjithmonë. Sa i frikshëm, i thelle, aq dhe i dashur dhe i bukur me kaltërsinë e tij. Shpesh kur ikim me pushime mbledh gurë dhe punoj me ta mozaikë te mrekullueshëm sic ishte punimi bregut të Lukovës dhe i urës së gurit Prizren, dy punime qe u pëlqyen shumë nga të pranishmit në ekspozitë.
Ju rridhni nga një familje artistesh, cfarë do të thotë të rritesh mes librave duke qënë se jeni vajza e shkrimtarit të mirënjohur publicistit, romancierit Ferhat Cakaj. Cila ka qenë fëmijeria juaj cfarë mund të na thoni për këtë ?
Falë prindërve kam përjetuar një fëmijëri shumë të lumtur, e rritur plot dashuri e përkujdesje, në mes të librave, në studion e tim eti, ku mernin jetë personazhet dhe heronjtë e romaneve në vite, ku dëgjohej si simfoni në mesnatë, rreshqitja e stilografit në dorëshkrime,tik taku i orës në mur dhe trokitjet në tastet e makinës së shkrimit.
5 vite më parë kam perjetuar me shumë dhimbje ndarjen nga jeta të babait tim të shtrenjtë duke u zhytur në një hidhërim të thellë bashkë me familjen time.
Ekspozitat sot dihet që kanë një kosto financiare, kush ju ka ndihmuar në këtë drejtim?
Mendoj që artistët, më saktë piktorët kanë nevojë për mbështetje financiare pasi është shumë e veshtirë të mbijetosh sot vetëm me pikturë. Shumë piktorë të njohur janë të detyruar të shesin punët e tyre të vecanta per të mbajtur familjen dhe kjo është e dhimbshme. Mendoj që në Shqipëri akoma nuk është kulturë blerja e nje pikture reale. Tregu eshte i mbushur me printime te ardhura nga Europa. Në rastin tim kam patur fatin që cdo gjë është përballuar nga familja, bashkeshorti dhe femijët e mi, që për mua janë mbështetja ime më e madhe, kam marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta si “Ngjyrat e familjes sime’’, ‘’Ikonografia Moderne” si dhe pjesmarrëse dhe fituese e shumë konkurseve online ne botë.
Cilat janë synimet tuaja në të ardhmen?
Vazhdoj të punoj shumë pasi në vjeshtë duhet të jem gati për celjen e ekspozitës sime të tretë në Tetovë, Maqedoni. Do ketë surpriza të reja, për këtë ju premtoj. Dua që me pikturën time të bashkoj Shqiperinë –Kosovën dhe Maqedoninë, aty ku jetojnë shqiptarët, duke realizuar kështu ëndrrën time të madhe.