Këngëtarja e mirënjohur i rikthehet skenës së Pallatit të Kongreseve, këtë herë për të moderuar festivalin e RTSH-së. E mësuar me skenën, ajo tregon magjinë që i fal kjo eksperiencë, por edhe marrëdhënien me kolegun Kasem Hoxha. E si një profesioniste e vërtetë, ajo shpreh edhe një vlerësim për kompeticionet muzikore në Shqipëri, ku sipas saj, janë një hapësirë e mirë për t’u promovuar, edhe pse e ka vend për përmirësime. Festat do të vijnë të ngrohta në shtëpinë e Ledinës, e cila edhe këtë herë do të festojë më familjen një tjetër vit të gëzuar. Nuk harron pa ndarë me lexuesit edhe sekretin për një femër të realizuar në karrierë dhe një nëne sharmante në të përditshmen e saj…
Rikthehet Ledina Çelo, këtë herë si moderatore e festivalit të RTSH-së, si është për ju ky rikthim?
Është i bukur, i mbushur me emocione… Një rikthim në shtëpi, në skenën ku u rrita e ku provova ndjesi të jashtëzakonshme.
Sa të kishte munguar skena e Pallatit të Kongreseve?
Këto ditë që kam hyrë për të bërë prova, kam kuptuar magjinë që ka kjo skenë, të cilës është e pamundur të mos ia ndjesh mungesën. Karriget portokalli të emocionojnë edhe kur janë bosh. Përgjegjësia në këtë skenë është vërtet shumë e madhe.
Është hera e dytë që do të drejtoni këtë festival, çfarë do të ndryshoni këtë herë?
Do të ndryshoj partnerin (qesh). Herën e parë u shfaqa krah Adi Krastës, këtë herë në krah kam një aktor, Kasem Hoxhën, që njësoj si unë, nuk e ka profesion prezantimin.
I keni ndjekur festivalet në Shqipëri, mendoni se e kanë humbur disi shkëlqimin e tyre?
Nuk e mendoj plotësisht kështu. Ka vend për përmirësime, por gjithsesi mendoj se festivalet janë një hapësirë shumë e rëndësishme për promovimin e artistëve, sidomos të atyre të rinj.
I keni ndjekur këngët pjesëmarrëse me syrin e një profesionisteje, mendoni se ka projekte që ia vlejnë për “Eurosong”?
Edhe profesionistët janë subjektivë, sepse këtu hyn në lojë shija. Di të them që ka krijime dhe këngëtarë shumë të mirë.
Ledina në krah të një aktori, si e mendoni këtë dyshe, ju mungon Krasta në skenë?
Pa diskutim siguria që të jep një moderator si Adi Krasta në skenë është shumë e madhe, por edhe me Kasemin po punojmë që të jemi mbështetës të njëri-tjetrit. Më pëlqen shumë spontaniteti i tij në prezantim, nuk të lë kurrë në baltë, në çfarëdolloj situate dhe mendoj që ka të dhëna për të qenë një prezantues shumë i zoti. Ndaj jam shumë e qetë edhe krah Kasemit. Formula e këtij viti është paksa më e ndryshme dhe mendoj se ka për t’ju pëlqyer.
Ndërkohë Ledina si këngëtare, herë pas here i sillni skenës hite, kur do ta ndjekim të ardhshmin?
Për këtë nuk ka një kohë të caktuar. Kur gjej një këngë të mirë dhe që mua më shkon përshtat, nuk zgjatem shumë. Nëse jam e sigurt, e publikoj. Ndaj do presim derisa të gjej materialin e duhur.
Si i shikoni artistët shqiptarë, sa të kompletuar janë, çfarë u mungon?
Disave prej tyre u mungon individualiteti, por ka të tjerë që janë unikë dhe të krahasueshëm me yje ndërkombëtarë. Më shumë sesa artistëve, mendoj që tregut muzikor i mungon sita, seleksionimi.
Sa e vështirë është të jesh një femër në karrierë, një mama e përkushtuar dhe një femër seksi?
Nuk është shumë e vështirë (qesh).
Cili është sekreti i linjave perfekte?
Janë disa faktorë që ndikojnë. Genet, kujdesi në ushqimin, ecja, ushtrimet fizike.
https://femra-moderne.com/ledina-celo-zbulon-sekretin-e-linjave-perfekte/
Do të dëshiroje që njëri nga fëmijët të ndiqte rrugën tënde?
Nëse do të kishte talent, do të doja shumë.
Jemi në kohë festash, ku do të festojë familja juaj?
Do të mblidhemi si çdo vit me të afërm e miq të zemrës në shtëpinë tonë për të bërë gëzuar për një 2017-të më të bukur. Këtë ua uroj edhe të gjithë shqiptarëve. Një vit të mbushur plot me të mira!
Burimi: Gazeta Shqiptare