Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vijojë të rrisë pagat për mjekët dhe infermierët edhe këtë vit.
Kjo deklaratë u bë nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një aktivitet të zhvilluar në nder të ditës ndërkombëtare të gruas, duke bërë bashkë në ambientet e ministrisë mjekë dhe infermierë.
“Zemra ma donte të ishim të gjitha bashkë sot, të 12 mijë e 47 punonjësit gra të sistemit tonë shëndetësor për t’u përulur përballë punës tuaj. Ju meritoni më të mirën dhe me shumë përulësi ju them se mbështetja ime personale por mbi të gjitha e qeverisë shqiptare nuk do të mungojë. Ne do të vijojmë të përmirësojmë kushtet e punës në qendrat tona shëndetësore, në spitalet tona, që ju ta kryeni më mirë profesionin tuaj. Do të vijojmë me politikën e rritjes së pagave edhe në vitin 2018 për personelin mjekë dhe infermierë. Angazhimi ynë është i përditshëm në këtë drejtim dhe për një arsye tjetër, sepse ju jeni shembuj frymëzimi jo vetëm sepse keni lartësuar pozitat e grave në shoqërinë shqiptare por sepse ja dilni që çdo ditë të shpëtoni jetë dhe ky është më i larti i misioneve”, tha Manastirliu.
Ajo u shpreh gjithashtu se që nga vitit 2019 do të plotësohen nevojat me mjekë specialistë në shumë spitale të vendit. Sakaq, Ministrja Manastirliu dhe zv/Ministret e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndanë disa çmime mirënjohjeje për mjeket dhe infermieret e vitit, të cilat i janë dedikuar këtij profesioni me përkushtim e sakrifica.
U nderua me çmimin e mirënjohjes Liridona Cani, infermiere në qendrën shëndetësore Ostren në Bulqizë; dr. Zana Hoxha, mjeke gastrohepatologe në spitalin e Shkodrës, dr. Gjyzede Zalla, pediatre në spitalin e Durrësit, Sadete Gjeçi, infermiere e urgjencës në spitalin universitar të Traumës dhe prof. Eli Foto, shefe e shërbimit infektiv në QSUT.
Burimi: ATA