Pajisjet elektronike po dëmtojne zhvillimin trupor të fëmijëve

Pajisjet elektronike po pengojnë zhvillimin e muskujve dhe kockave te fëmijët, pasi fëmijët po i lëvizin gjymtyrët e sipërme tre herë më pak nga sa i aktivizojnë lodrat e zakonshme.

Shumë kohë e shpenzuar përpara iPad-ëve dhe pajisjeve të ngjashme elektronike me prekje, mund të sjellë pengim të zhvillimit të duhur të muskujve dhe kockave të fëmijëve. Ky është përfundimi i studimit më të fundit, i cili krahasoi fëmijët e moshës tre dhe katër vjeç, të cilët luanin me lodra përkundrejt bashkëmoshatarëve të tyre që luanin me pajisje elektronike.

Profesori i psikoterapisë, Leon Straker, në Universitetin Curtin në Perth të Australisë Perëndimore, tha se studimi analizoi fëmijët në pesë vitet e tyre të para të jetës për të parë se si ndikon përdorimi i pajisjeve elektronike me zhvillimin fizik, mendor dhe social.

Kërkimi përfshiu 10 fëmijë, disa prej të cilëve luanin me iPad ndërsa të tjerët me lodra. Profesor Straker tha se ata që përdornin iPad i lëviznin gjymtyrët e sipërme dhe të gjithë trupin më pak në një periudhë 15 minutëshe sesa ata që luanin me lodra, por më tepër sesa fëmijët që shihnin televizor.

Rezultatet treguan se fëmijët që luajnë me lodra i lëviznin gjymtyrët gjashtë herë më shumë sesa kur shihnin televizor dhe tre herë më tepër sesa gjatë përdorimit të një iPad-i. Fëmijët që luajnë me lodra gjithashtu e lëviznin trupin plotësisht dy herë më tepër krahasuar me ata që përdornin një iPad dhe tre herë më tepër sesa ata që shihnin televizor.  Udhëzimet zyrtare rekomandojnë që fëmijët nën moshën dy vjeç të mos përdorin aspak pajisje elektronike. Nga ana tjetër, fëmijëve të moshës 5 deri në 17 vjeç nuk duhet t’u lejohet më shumë se dy orë në ditë përdorimi i pajisjeve.

femra-moderne.com