Piantistja Rudina Ciko: Sa herë i rikthehesh një vepre, zbulon mundësi të reja

Intervistë me pianisten dhe pedagogen Rudina Ciko, dhënë revistës Femra Moderne.

Kemi dëgjuar shpesh që muzika është një gjuhë më vete, madje përkufizohet si gjuha e ndjenjave. Ç´përfaqëson ajo për ju…

Muzika është profesioni im. Për mua së pari, është profesioni, që përpara se të arrij të përçoj ndjenjat, ajo që më inspiron, më ngjall përgjegjësinë e madhe të realizimit të veprës, që unë si pianiste koncertiste dua t’i transmetoj publikut, lidhur me ndjenjat që më ngjall autori. Zakonisht një emër i madh i muzikës si Shopen, Bethowen, apo Zadeja, Harapi, Zoraqi autorë shqiptarë pasi përpiqem t’i zbuloj ato, dhe madje të gjej mundësisht ato që më bindin, që janë vërteta, ato që ka dashur të shprehë autori, atëherë pra filloj të mendoj edhe për interpretimin që unë duhet t´u bëj atyre, për t´ja transmetuar sa më bindshëm dëgjuesit publik.

Kur e kuptuat që kishit bërë zgjedhjen e duhur  me pianon? (pasi njeriu mund të fillojë që në fëmijëri të luajë një instrument, por vetëdija shënohet më vonë.)

Zakonisht me shfaqjen e shenjave të para të talentit në vegjëli, është familja ajo që të shtyn drejt arsimit muzikor. Nga mosha 6 vjeçare edukata e studimit të një instrumenti fillon e ndërgjegjësohet, proçes ky i vështirë dhe jo rrallë i pavullnetshëm. Me fillimin e sukseseve të para, si dëgjime në shkollë, koncerte të vogla dhe më pas më të rëndësishme, gjithçka kthjellohet dhe ti fillon të bindesh se tashmë ke zgjedhur atë çka do të përkasë gjithë jetën.

A mund të kishte një alternativë tjetër perveçse piano dhe a është ai instrumenti i duhur që do ta përcillnit, apo sugjeronit…

Mendoj që preferenca mes një instrumenti tjetër dhe atij që ke zgjedhur, tashmë është një ide që të vjen ndonjëherë, por jo që realizohet. Instrumenti yt (piano tek unë) natyrisht bëhet më i dashuri. Të duket tradhti të çosh ndër mend ndarjen prej tij.

Violina?! Mbase një alternative që dukej që në zgjedhje.

Kanto?! Diçka që kur luaj në piano, mundohem ta imitoj.

Një pianist i njohur polak ka thënë: “Sa më e lehtë një pjesë, aq më i vështirë një prezantim dinjitoz në piano.” Si e kuptoni ju këtë?

Është një pyetje që kalon përmasat muzikore. Është më filozofike. Mund të themi që jo gjithçka në dukje e lehtë, mund të jetë e tillë. Një pjesë e lehtë në dukje, të bën të mendohesh shumë, për të gjetur ti vetë, pikturën e melodise së saj. Shpesh tek këto vepra të vogla apo të thjeshta, ka brenda më shumë muzikë se në veprat e përmasave më të mëdha.

Sa liri fal arti në pergjithësi tek njeriu…

Arti është zemërgjerë, por dhe tepër i rreptë. Ai të jep lirinë e interpretimit brenda veprës që ka shkruar autori, brenda botës së tij krijuese dhe asaj çka ai ka parashikuar të lejojë të interpretohet nga artisti interpret. Por gjithçka evoluon në shijet që çdo kohë ka, në modën e saj që është në evoluim të vazhdueshëm. Pikërisht këtu, të takon ty të zgjedhësh, të influencohesh nga shijet e kohës që jeton, të kthesh kokën nga tradita e interpretimit të paraardhësve të ndritur, por të rivlerësosh edhe veten me atë që do të japësh, apo nënvizosh nga interpretimi yt. Duket sikur liria e interpretimit është e kufizuar, por sa herë i kthehesh një vepre ti zbulon mundësi të reja. Them me modesti që nuk mjafton jeta, për të zbuluar a rizbuluar mesazhet që përmban një vepër me vlera të mëdha.

A keni provuar përveçse të luani, edhe të kompozoni…

Çdo fëmijë që ndodhet përballë tastierës nuk i reziston dëshirës për të kombinuar tinguj sipas dëshirës së tij, të ashtuquajtura „kompozime të fëmijërisë“. Edhe unë njësoj si parardhësit në profesion. Por sa fillon të njihesh me veprat e vërteta dhe sheh (ose pashë) sa shumë është shkruar për piano, kurioziteti për kombinimet krijuese ndodh të shuhen.

Tek një artist, por sidomos kur kemi të bëjmë me një instrument, disiplina dhe të privuarit nga fëmijëria “si gjithë të tjerët”,  janë pjesë përbërëse. E nëse kthehemi pas në kohë, a ju vjen keq që duhet të ishte kështu, apo do përcillnit një mesazh për brezat e rinj mbi muzikën dhe disiplinën…

Idea bazë e pyetjes suaj mbi privimin e fëmijëve që studiojnë një instrument muzikor në vegjëli, pra privimin nga bota e tyre, interesat e tyre fëminore, është një ide e vjetër sa bota e tyre fëminore, por dhe një ide që përmban një farë naiviteti dhe shpesh përtacie, jo vetëm të fëmijërisë, por edhe të prindërve që s’kanë vullnet për të edukuar muzikalisht fëmijët. Mendoj që problem më shumë sesa një privacion, është edukimi. Shtrohet pyetja…A kemi vullnet t´i edukojmë fëmijët që në vegjëli fizikisht, artistikisht etj, pasi fëmijëria nuk ka në asnjë moshë apo kohë joproduktive apo pa synime. Ky do ishte aspekti më negativ i edukatës. Dikush e ka quajtur moshën nga lindja deri në 5 vjeç, si universitetin e parë të jetës. Pra kohë bosh nuk ka. Si dhe sa, mbetet një problem edukativ i diskutueshëm.

Shihen duart (gishtërinjtë) apo veshi muzikor si fillim tek një fëmijë që do zgjidhte pianon si vegël muzikore. Pra, ç’kriter apo intuite ndiqet?

Së pari verivikohet prirja më e thjeshtë muzikore, që ushtron muzika (kënga, ritmi, riprodhimi i saj). Kjo duket që në foshnjëri dhe vjen duke u forcuar. Fëmijët reagojnë. Disa madje protestojnë nëse ti nuk stimulon këngën apo vallëzimin e tyre…kërkojnë që edhe ti  të marrësh pjesë me të bashkarisht. Një stimulim i këtyre prirjeve, stimulon dashurinë artistike apo thjesht atë muzikore. Kur fëmija me dëshirë ta tregojë artin e tij para familjes, ky është një kualitet artistik që del në skenë. Nuk ka rëndësi në cilën formë. Mund të jetë një përplasje duarsh, mbi një tepsi, si një bateri ritmike, apo gota e qumështit si mikrofon. Më pas gjithçka varet nga rrethanat dhe vullneti.

Përveçse një artiste dhe pianiste e njohur, ju jeni dhe bashkëshortja e një prej artistëve të spikatur të artit, muzikantit Zhani Ciko, i cili ka dhënë dhe jep një kontribut të veçantë në artin shqiptar. Ç´rol luajti ky fakt në rrugëtimin tuaj si artiste…?

Siç theksova, rruga e artit është një rrugë që nis që në vegjëli. Ajo kontrollohet si nga familja, po ashtu edhe nga shkolla artistike e ciklit të ulët e më pas e mesme. Takimi në jetë me një artist(e), që mund të sjellë dhe lidhje shpirtërore të forta, që çojnë dhe në bashkim familjar është një fenomen jo i rrallë, por që kërkon edhe një ngjitje më tepër, sesa ajo profesionale. Sigurisht lidhja ime me Zhanin, rruga e saj deri në ato vendime të përbashkëta për jetën, nuk janë shkëptur asnjëherë edhe nga dëshirat e përbashkëta për muzikën, skenën, pedagogjinë dhe karrierën. Është fat, kur ti gjen një mbështetje dhe shtyrje për të gjitha ato motive që përmëndëm, por e quaj si tepër të rëndësishme dhe atë çka e ka karakterizuar Zhanin në jetën e tij dhe tonën bashkë, ndershmëria e tij ndaj profesionit së pari, dhe e karrierës si një derivat të aftësisë profesionale së dyti. Të dy i kemi shijuar momentet kulminante të profesionit, madje edhe ato individuale, ashtu edhe ato të përbashkëta. Zhani si më optimist se unë në përgjithësi, ku formulat e tija kanë vlejtur gjithmonë për të përballuar vështirësitë, por edhe xhelozitë artistike (ndaj i kalon ato momente më lehtë). Pastaj vlen padyshim kombinimi i ideve për artin, interpretimin etj…që mund t´i quaj dhe pjesë të së përditshmes.

Çdo koncert ka mbresat e veta, megjithatë mundeni të veçoni ndonjë nga ato me përjetime të veçanta…

Pasi ke luajtur vepra të një virtuozi të pianos, si Shopen, apo List, të vjen dëshira të studiosh një vepër të Schubert apo Schuman. Unë i kam alternuar gjithmonë këta autorë. Po kështu edhe me kompozitorët shqiptarë. Në nëntor luajta një Rapsodi për piano dhe orkestër të Nikolla Zoraqit, vepër kjo e shkruar në 1967. Ndjeva se po rizbuloja përsëri diçka të veçantë. Kuptova se si e kuptonte muzikën në ato vite një kompozitor i rëndësishëm i muzikës sonë. Këtë ndjeu edhe publiku i cili priti ngrohtë si veprën ashtu edhe ekzekutimin e saj.

Cilat janë angazhimet tuaja aktuale…

Në fundvit jam më tepër në fazën e bilancit të koncerteve që realizova në Tiranë, Paris apo gjetkë. Koncerti i fundit ishte ai më 9 nëntor me vepra të Chopin dhe më pas në 19 nëndor me rapsodinë për piano dhe orkestër të Nikolla Zoraqit. Viti i ardhshëm do të përmbajë një koncert të rëndësishëm për piano dhe orkestër. Shpresoj në repriza në Tiranë dhe vënde të tjera, si dhe në realizimin e një projekti, që prej kohësh dëshiroj ta realizoj si një impenjim të madh. Por nga ana tjetër dëshiroj që jeta jonë artistike të jetë më e larmishme dhe e organizuar, mbase dhe unë do mundja të përgjigjesha, edhe më mirë.

A ju kanë shoqëruar ëndrrat në rrugëtimin tuaj artistik?

Mbetem një artiste gjithmonë kërkuese ndaj vetes. Madje e ndjej në tërësi që nuk e kam kaluar lehtë kohën, vitet e karrierës si dhe rritjen cilësore të interpretimit në skenë. Këto nuk kanë qenë ëndërrime, por punë e përditshme e palodhur, orësh dhe përpjekjesh. Vijimi dhe rezultati i tyre, përmbushin ëndrrën time të vërtetë.
 
Për Revistën Femra Moderne

Intervistoi: Alma Papamihali