Problemet shëndetësore gjatë stinës së verës

Gjatë stinës së verës ne jemi më të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit dhe të nxehtit, kalojmë kohë më të gjatë në ambjente të jashtme, konsumojmë pije dhe ushqime të gatshme, të cilat shpeshherë përgatiten dhe ruhen në kushte jo të përshtatshme, udhëtojmë më shumë, etj. Këta janë faktorë mund të ndikojnë negativisht mbi shëndetin tonë.Prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm.

Cilat janë disa nga problemet më të shpeshta të verës?

1. Dehidrimi

Një ndër pasojat e ekspozimit ndaj temperaturave të larta për një kohë të gjatë është dehidrimi, apo humbja e lëngjeve të trupit. Si pasojë e kësaj ndodh edhe trashja e gjakut. Dehidrimi ndikon negativisht te ata persona që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës, mushkërive, veshkës etj.

2. Infeksionet ushqimore

Duke qenë se vera është periudha e pushimeve dhe qëndrimeve me orare të zgjatura jashtë shtëpisë, jemi të prirur të frekuentojmë më shumë restorantet apo fast food-et. Por për shkak të temperaturave mjaft të larta, ka rrezik të madh për kontaminimin e tyre, duke shkaktuar infeksione. Në temperatura te larta krijohen kushte më të favorshme për shumëzimin e bakterieve si dhe përhapjen e tyre. Si pasojë mund të vuajmë nga  infeksione, bark dhe të vjella, apo helmime ushqimore.

Për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë, ata që kanë imunotet të dobët etj, kujdesi duhet të jetë maksimal.

3. Goditja nga dielli

Qëndrimi për një kohë të gjatë nën rrezet e diellit shkakton atë që në gjuhën mjekësore njihet si goditja nga dielli (Heat Stroke). Goditja nga dielli shoqërohet me temperaturë shumë të lartë trupore, çrregullime hemodinamike të mprehta, çrregullime metabolike si dhe turbullime të niveleve të ndryshme të ndërgjegjes. Për këto arsye kategorizohet si urgjencë mjekësore.

4. Pickimet nga insektet apo kafshime

Duke shkuar në vende të ndryshme rritet edhe mundësia e ekspozimit ndaj pickimeve nga insekte apo zvarranikë të  ndryshëm si mushkonja, këpusha, gjarpërinj, etj. të cilat bëhen shkak infektimesh nga bakterie, viruse, toksina mjaft të rrezikshme për jetën.

5. Djegia

Një tjetër pasojë nga qëndrimi për një kohë të gjatë në diell, sidomos nëse nuk aplikoni  kremra me faktor mbrojtës, rrezikoni të digjeni nga dielli. Ky problem ndikon edhe në përkeqësimin e disa sëmundjeve të lëkurës.

femra-moderne.com

Start typing and press Enter to search