Të dielën që sapo lamë pas, Ardit Gjebrea ka nisur edhe një emision të ri të titulluar “24 orë me…”. Edicionin e parë ka qëndruar 24 orë me një vrasës.
Historia
I dënuar më burgim të përjetshëm. Një djalë i ri, dikur punonjës i SHIK-ut qëllon me pistoletën e punës për vdekje, në mes të Tiranës, një vajzë dhe nënën e saj. Pas 15 vjetësh Marin Rroku, për herë të parë pranon vrasjen, përpara kamerave, përpara Ardit Gjebreas, që ka kaluar 24 orë me të burgosurin në qelitë e burgut të Fushë Krujës. Marian Rroku, ka treguar se ai ka qëlluar mbi Alda Canaj dhe nënën e saj Mbarime, në një moment të humbjes së kontrollit. Ai ka mohuar që mes tij dhe vajzës të ketë patur një raport intim, sikurse është folur në kohën kur ndodhi ngjarja. Marian Rroku ka treguar se me Aldën dhe motrën e saj Ornela e lidhte thjesht një marrëdhënie miqësie, ndërsa ai kishte shfaqur interes për një shoqen e tyre. Por duke qenë se ky raport është keqkuptuar nga vetë vajza dhe prindërit e saj, sipas Marian Rrokut, në një moment konflikti në rrugë, teksa nëna e ka qëlluar me çantë, ai ka nxjerrë armën e punës dhe i ka vrarë të dyja.
Reagimi i ashper i publikut
Emisioni ka ngacmuar shumë njerëz, shumica e të cilëve kanë reaguar shumë ashpër ndaj Arditit, duke kërkuar ndjesë publike nga ana e tij.
“Si të mos mjaftojë rënia e të gjithëve, lopata e fundit mbi varrin moral të shoqërisë është arti në shërbim të regjimit. Ardit Gjebrea në krevat me një vrasës të një fëmije dhe nënës së tij për ta paraqitur djallin, engjëll!!! – shkruan Blendi Kasmi, kryeredaktori i gazetës RD. “I njëjti Ardit që deri pak kohë më parë i këndonte dashurisë dhe jetës, të dielën e pamë të rrinte me atë që sjellë vdekje dhe për më tepër të derdhte lot për fatin e tij pse drejtësia i ka dhënë burgim të përjetshëm. Na duhet të dëgjonin këngën ndryshe të Arditit, jo më për jetën, por për vrasësit dhe me vrasësit.”
“Në intervistë nuk ka ndjesë, nuk ka pendesë as pas 15 vitesh për një jete fëmije dhe nëne të vrarë nga një maniak prej të cilit edhe fëmija i vrasësit ndërsa rritet do të turpërohet kur të mësojë të vërtetën se pjellë e kujt përbindëshi është.” – vazhdon Kasmi. “Turp Ardit Gjebrea. Të dielën ti ishe një arsye më shumë për njerëzit normalë të këtij vendi për të ikur sepse me koshiencë të plotë ti rivrave një fëmijë të pafajshëm 16 vjeçar dhe një nënë duke i thurur himn krimit dhe vrasësit ndaj tyre.”
Edhe Avokati Altin Goxhaj ka reaguar në mënyrë të ngjashme. “Jam shume i acaruar me shume komentues online qe perpiqen te te justifikojne ty dhe t’i dalin ne mbrojtje Vrasesit Pedofil te nje femije 16 vjec dhe te emes se saj qe po e mbronte deshperimisht femijen e vet me trup kur zbrazej gjithe karikatori mbi to ne mes te Tiranes! Por acarimi me ta nuk krahasohet me befasimin me ty si njeri nder kantautoret e klasit te pare dhe njeri nder konferencieret me te mire te shoëbiz-it shqiptar, mgjth mundesine e pafundme per te pasur ne dispozicion gazetaret me profesioniste ne treg, more personalisht persiper te besh gazetarin intervistues duke prekur nje teme kaq delikate teknikisht, por aq edhe precedenciale per kedo ekspert te fushes.”
Me pas vazhdon: “Ndaj dhe po te shkruaj publikisht se as te njoh e as me njeh, me shprese se do te besh levizjen e duhur: TE KORIGJOSH PUBLIKISHT GABIMIN DHE TE RIFLASESH ME ESKPERTE PER KRIMIN E PEDOFILISE… Dhe sidomos te frenosh pasojat e ekos online qe shkaktove pa dashje mbi SHPERTHIMIN SHTAZARAK MASKILIST SE GJithmonë E KANE FAJIN VAJZAT DHE GRATE, QE BURRAT I VRASIN!!! MADJE EDHE KUR JANE FEMIJE!!!! DHE BURRAT JANE PEDOFILE!”
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi ne nje interviste thotë: “Marjan Rroku nuk ka bërë asnjë heroizëm që t’i rikthehen mediat tani, duke i dhënë këtë hapësirë dhe vëmendje shumë të madhe. Përkundrazi ka bërë një krim shumë të madh, ka vrarë një vajzë 16- vjeçare dhe nënën e saj, ka vrarë dy femra të pafajshme pa asnjë arsye, pa asnjë shkak dhe mes të kryeqytetit. Nuk është e drejtë që pas 15 vitesh të bëhet sërish publike një ngjarje e cila është mbyllur në mënyrë tragjike për një familje që ka humbur dy nga njerëzit më të afërt, dhe për të cilin organet kompetente kanë dhënë dënimin me burgim të përjetshëm për vrasësin. Duhet të tregohen të kujdesshëm pasi lëndohen njerëz, lëndohen plagët e tyre që ende nuk janë mbyllur”.
Ornela Canaj, motra dhe e bija e viktimave
Ndërsa motra dhe e bija e viktimave, Ornela Canaj, ka publikuar këtë, në profilin e saj te facebook: “E hapa kete faqe për të nderuar kujtimin e motrës dhe nënës sime. Pasi pashë intervisten që u dha ne TV Klan ne 28 Shkurt 2016, vendosa të hap kete faqe të tregoj faktet dhe te informoj publikun per te vërtetën e vetme qe qëndron pas vrasjes se pameshire te Mbarime dhe Alda Canaj. Dua t’ju bej te ditur njerezve, se kush eshte ne te VERTETE Marjan Rroku; ai nuk eshte vetem nje vrases, por nje psikopat sadist qe i paramendoi dhe ne mënyre metodike i arkitektoi keto vepra te uleta.” Dhe pasi e shpjegon historine ne menyrë të hollesishmë, është e pamundur të mbash lotët, kur lexon fjalët e saj: “U bene pothuaj 15 vjet qe nga dita qe I pashe mamin e Alden per heren e fundit. Ky monster I ka kushtuar vetem vuajtje e lote familjes sime. U munduam me c’kishim te gjejme drejtesi. Pasi pashe emisionin ne Klan ndihem se mami dhe motra ime u vrane, serish, per here te dyte.”
Pra, a i detyrohet Ardit Gjebrea një falje publike familjes Canaj, por edhe publikut?