Pse u ndërtua Muri i Madh Kinez

Shumëkush mund të ketë menduar se Piramidat e Mëdha të Egjiptit apo Meksikës, kanë qenë ndërtimet “më të mëdha” në botën antike. Por arkeologët kanë kohë që e dinë se ky titull sublim mbahet nga muret e lashta e gjata të Stepës Euroazitike dhe Kinës, ose siç njihet më së shumti Muri i Madh i Kinës, për të cilin besohej se “dukej që nga hapësira”.

Muret janë ndërtuar nga shekujt e fundit Para Krishtit deri në shekullin XVII Pas Krishtit, dhe për më shumë se 1 shekull arkeologët kanë ofruar një varg teorish mbi synimin e tyre origjinal, duke besuar kryesisht se ato funksiononin si kufijtë e ndryshimit të zonave ekologjike, apo si struktura mbrojtëse për të mbajtur jashtë Kinës fise nomade agresive.

Studiues të tjerë pohojnë se ato ishin ndërtuar për të kontrolluar lëvizjen e grupeve nomade lokale pas zgjerimit peraandorak.

Gjithsesi, këto “besime” janë vlerësuar shkencërisht në një projekt të përbashkët që përfshin arkeologë nga Universiteti Hebraik i Jeruzalemit në Izrael, Akademia Mongole e Shkencave, dhe Universiteti i Jeilit në SHBA. Një studim i ri i botuar në revistën “Antikiteti” nga profesor Gideon Shelah-Lavi nga Departamenti i Studimeve Aziatike në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit, detajon gjetjet e ekipit të drejtuar nga profesori, që hulumtoi një mur të shekujve XI-XIII, 737 kilometra të gjatë, që shtrihet nga Kina Veriore në Mongolinë Veri-Lindore.

I ndërtuar nga dinastia Liao Jin, ekipi i shkencëtarëve u përpoq të kuptonte më mirë arsyet e ndërtimit të këtij muri, si dhe funksionet e tij të ndryshme në fillimet e veta. Sipas studiuesve, muret e gjata mendohet se përcaktojnë shpesh “një kufi ekologjik midis bujqësisë dhe blegtorisë, të cilin ata e quajnë si ndarja klasike ‘stepa përkundrejt tokave të mbjella”.

Muri i lashtë i shekujve XII-XIII Pas Krishtit, i paraqitur në artikullin studimor si Linja Veriore, ndodhet megjithatë brenda zonës lindore të Stepës, dhe nuk përfaqësonte një kufi midis zonave ekologjike.

Mosdija nëse muri i kishte shërbyer një qëllimi thjesht ushtarak të mbrojtjes së një territori ndaj ushtrive pushtuese, apo nëse ishte ndoshta një vijë simbolike ndarëse e një kufiri, apo nëse përkeqësimi i kushteve klimatike dhe ekologjike, nxiti nevojën për të kontrolluar dhe monitoruar lëvizjen e popullsisë përtej mureve dhe në tokat e kontrolluara nga shteti, shkencëtarët pyetën kur dhe pse u ndërtua ky mur verior, dhe nga kush?

Fotot  me definicion të lartë të realizuara më dron, zbuluan se muri ishte një strukturë e vazhdueshme, me seksionet më të ruajtura rreth 1 metër të larta mbi nivelin e tokës, në një kohë që gjerësia aktuale e murit është afro 10 metra. Dhe ajo që konfirmohet tanimë, është se ky mur i përkiste një sistemi muresh komplekse me një gjatësi mbi 3500 kilometra.

Great Wall of China | Definition, Length, Map, Location, & Facts ...

Ndërkohë studimi thekson se nëse merren parasysh që të gjitha muret paralelet, gjatësia e akumuluar e tyre i tejkalon 6500 kilometrat, çka përfaqëson një nga “komplekset murale më të gjata, por edhe monumentet më të mëdha, të ndërtuara ndonjëherë”.

Gjithsesi, ka ende pak kërkime mbi këtë sistem muresh mesjetare, dhe kjo ka munguar në shumicën e librave historikë kinezë. Studimi i ri, paraqet punën e studiuesve në terren, dhe fokusin e tyre mbi një seksion të murit verior të vendosur në Provincën Dornod, në Mongolinë Verilindore, që përmban disa struktura ndihmëse të zgjeruara, si kulla dhe kampe, që zbulojnë shumë mbi funksionin origjinal të strukturës.

Autorët e studimit përdorën analizën GIS, fotografitë e dronit dhe analizën e imazheve satelitore të këtyre tipareve, për të eksploruar funksionin e murit dhe logjikën e ndërtimin e tij. Studiuesit përdorën imazhe satelitore me rezolucion të lartë, për të identifikuar vijën e murit, dhe për të rindërtuar vizualisht strukturat që lidhen me të.

Qasja përmes sensorëve të largët, zbuloi grupime strukturash antike të vendosura përgjatë murit 737 kilometra të gjatë, për të cilat ekipi thotë se ishin “qendrat e veprimtarisë njerëzore ndoshta bashkëkohore me murin në përdorim”.

Great Wall of China Facts: 10 Frequently Asked Questions

Strukturat drejtkëndëshe mendohet se kanë funksionuar si bazë për ushtarët që vepronin në sistemin e mureve, dhe strukturat rrethore mund të jenë përdorur për vathë për kafshët. Pajisjet për zbulimet nën tokë, përfshinin detektorë të metaleve të cilët u përdorën për të gjetur monedha, që nga ana e tyre i ndihmuan shkencëtarët të përcaktonin më saktë kohën  se kur muri ka qenë funksional, dhe qeramika që ata gjetën aty daton që në periudhën e dinastisë Liao (907-1125 Pas Krishtit).

Analiza e re sugjeron që linja e murit verior, ishte një dizajn i planifikuar paraprakisht, dhe i ndërtuar në mënyrë sistematike nëpër një zonë relativisht të rrafshët mes 2 pllajave malore, dhe se kjo strukturë e madhe antike lehtësoi një grupim funksionesh që kishin të bënin me “mbrojtjen, respektimin , monitorimin dhe në një farë mënyre demarkimin e kësaj zone veriore”.

Shkencëtarët argumentojnë se linja e murit verior, ishte ndoshta “jo kufiri i fortifikuar që nganjëherë konsiderohet se përfaqëson”, pasi ata nuk thonë që as dinastitë Liao apo Jin e konceptuan në funksion të politikës së tyre, siç përkufizohet nga ai që është një “koncept shumë modern i kufijve të ngurtë”.

Përkundrazi, funksioni i murit kishte më shumë lidhje me “kontrollimin e nomadëve, dhe jo vendosjen e kufijve tokësorë të përcaktuara qartazi”, gjë që është mëse e qartë me vijën e murit që shtrihet në perëndim të kufijve të shtetit Jin brenda territorit të Liaos.

Dhe me murin që është ndërtuar midis dy vargmalesh, me struktura të vendosura në vende që “favorizojnë shtigjet natyrore nëpër mur”, që të dy këta faktorë tregojnë se muri kontrollonte lëvizjen e njerëzve dhe tregtinë, në vend se të garantonte mbronte ndaj ushtrive armike. Kësisoj, muri ndoshta funksiononte për të kontrolluar lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave jashtë territorit të Liaos, dhe drejt rajoneve të banuara nga komunitetet nomade. / Ancient-Origins – Bota.al