Qendro larg burrit tim!

Histori: Qendro larg burrit tim!

Kur Jonela ndeshi sërish në rrugën time ishte një surprizë shumë e keqe për mua. Specialiteti i saj, që në kohët e shkollës, ishte të joshte të dashurit e vajzave të tjera dhe isha e sigurt që mund të vinte në rrezik martesën time

Kishte ditë që shikoja që në një apartament poshtë meje po sillnin plaçka, mobilje. Kisha marrë vesh që do vinte një çift i ri dhe doja të zbuloja se kush ishin.
Mendova që mund të bëheshim miq, meqë ishin të rinj si unë dhe Miri. Një ditë kur po zbrisja shkallët, dera e tyre ishte e hapur dhe hodha një sy vjedhurazi kur…
“Jo… është e pamundur! Nuk mund të jetë Jonela!”, i thashë vetes.

Tufa me flokë bjondë nuk mund të ngatërrohej, ashtu edhe ecja duke u spërdredhur. Kisha vite që s’e kisha parë, por ajo ishte, as që e vija në dyshim. Jonela ishte armikja ime në kohët e shkollës. Ishte ajo, që me një të shkelur të syrit u merrte të dashurit vajzave të tjera. E urrenim të gjitha, edhe pse ajo thoshte që nuk e bënte enkas. Një gjë e tillë më kishte ndodhur edhe mua. Kisha rënë në dashuri me Gertin, një shok klase.
Isha e bindur që, duke qenë edhe i zgjuar, përveçse i lezetshëm, do t’i kishte rezistuar Jonelës, por kishte ndodhur më keq, ai më la sa hap e mbyll sytë.

Për fat, kur vazhduam fakultetin, ajo zgjodhi një degë ndryshe nga e imja dhe nuk shikoheshim. Por kisha marrë vesh që ishte ndarë me Gertin dhe që pas tij kishte patur shumë të tjerë. Gjithashtu edhe që kishte lënë shkollën për të punuar në dyqanin që kishte i ati. Dhe tani ajo ishte aty, pikërisht në hyrjen poshtë meje…
Hyra në shtëpi dhe isha shumë e mërzitur.
“Eshtë një shenjë e fatit…”, mendova. “Nëse Miri do ta takonte, si mund t’i rezistonte joshjes së saj? Vazhdon të jetë shumë e bukur…”.

Shqetësimi im rritej më tepër edhe nga fakti se e dija që im shoq ishte shumë i ndjeshëm ndaj hirit femëror.

Ishim njohur në vitin e fundit të fakultetit. Kisha rënë menjëherë në dashuri me të, marrëzisht. Por e dija që i ndërronte të dashurat çdo muaj, kështu që nuk mendoja aspak se do të kisha sukses, por ai në fakt kishte rënë në dashuri me mua. Ende nuk arrija ta besoja që isha unë ajo që e kishte bërë të linte pas aventurat e tij dhe të bëhej një burrë për shtëpi.
-Të dua vetëm ty, Eliza. Për mua nuk ekziston askush tjetër, besomë, -më përsëriste sa herë që unë filloja me dyshimet e mia.
Po, por atëherë ai nuk e njihte Jonelën…

Ditët në vazhdim u binda që ishte ajo fqinja ime e re. Ndoshta ishte martuar ose bashkëjetonte me dikë. Por kjo gjë nuk më qetësonte aspak. Një si puna e saj, edhe e fejuar apo e martuar të ishte, nuk do të kishte hequr dorë nga të joshurit burrat e tjerë.
Një ditë ndodhi ajo që kisha frikë: e takova në shkallë. E bukur, joshëse si gjithmonë. Nuk kishte ndryshuar aspak.
-Eliza! -thirri. -Këtu banon?
Më kapi prej shpatullash dhe më puthi në faqe, shumë e gëzuar.
-Eh… po… -thashë nëpër dhëmbë.
-Atëherë do të takohemi patjetër. Eja në shtëpinë time një prej këtyre ditëve. Shtëpia është ende pak rrëmujë, por do të më pëlqente të pinim një kafe bashkë. Kam ardhur me të fejuarin tim. Të pres!
-Do të vij me kënaqësi, -e gënjeva që ta hiqja qafe.

Sigurisht që nuk shkova, por rreth një javë më vonë Miri vjen nga puna me një lajm shumë të keq.
-Eliza, nuk më kishe thënë që poshtë nesh banonte një shoqja jote…
-Nuk jemi shoqe, -saktësova. -Kemi qenë bashkë në një shkollë dhe s’kam patur simpati për të.
-Mirë, po ajo na ftoi për nesër dhe unë pranova.
Po tani, çfarë justifikimi të gjeja? Më kishte zënë në kurth.

Im shoq ishte një burrë i pashëm, shumë tërheqës. Ishte preja tipike për një tip si Jonela.

Atë natë nuk vura gjumë në sy. E mendoja Jonelën në krahët e tim shoqi. Ishte një makth.
Të nesërmen në punë isha një katastrofë e vërtetë, bëja vetëm gabime dhe drejtori më thirri disa herë në zyrë për të më tërhequr vëmendjen. Isha e xhindosur me Jonelën, me Mirin, me fatin që e kishte vënë sërish në rrugën time. Doja vetëm që ajo grua të zhdukej nga jeta ime.
Atë natë vesha një kostum të bardhë shumë të thjeshtë. E dija që s’mund të konkuroja me të, përballë saj do të dukesha qesharake.

Ashtu siç e mendoja ajo filloi të joshte tim shoq, nuk ia ndante sytë dhe ai varej nga goja e saj. Isha gati t’i zija me shpulla që të dy.
Vetëm një gjë më habiti: kur Iliri, i fejuari i saj, kërkonte diçka, ajo behte në këmbë. Mendova mos ishte ndonjë sistem që ai të rrinte mirë, për të fshehur të gjitha tradhtitë e saj. Megjithatë ai s’dukej edhe shumë i urtë. Nuk i shpëtonte asgjë. Me ne u tregua shumë i sjellshëm, një zotëri i vërtetë.

Kur u larguam, im shoq, pa më pyetur fare, i ktheu ftesën.
-Simpatike shoqja jote, -komentoi ai më vonë, kur u kthyem në shtëpinë tonë.
-Ta thashë një herë që nuk është shoqja ime, -i thashë e nervozuar.

E vëzhgova për një çast dhe në fytyrën e tij pashë të materializoheshin të gjitha frikat e mia: në fytyrën e tim shoqi lexoja ato shenja të pagabueshme. Shikim i humbur, i buzëqeshur gjatë gjithë kohës… po e zinte qymyri për Jonelën, e dija! E njihja mirë dhe e njihja edhe atë shprehje të fytyrës së tij.

Kalova ditë të nervozuara, gjatë të cilave rrezikova të humbisja punën. Bëra fjalë me Mirin, me arkëtaren e supermarketit. I kisha nervat të acaruara, nxehesha për hiç asgjë dhe përfytyroja Mirin që më tradhtonte ose më linte. Kur ishte Jonela në mes s’i dihej se si përfundonte historia.

Atë natë që Iliri dhe Jonela erdhën në shtëpinë tonë ishte po i njëjti muhabet. Ajo kishte sy vetëm për tim shoq dhe ai ishte magnetizuar nga shikimi i saj. Iliri e vuri re nervozizmin tim dhe më tha duke qeshur.
-Qetësohuni, Eliza. Më dukeni pak e acaruar.
-Ja, unë… -isha shumë në siklet. Për faj të saj, po dilja qesharake në sytë e njerëzve.
-Nuk po ndodh asgjë, -tha ai i qetë.
Nuk e kuptoja se si mund të ishte kaq i qetë. Vallë nuk i interesonte se si sillej e fejuara e tij? Kur ata ikën, unë vazhdoja të isha e nervozuar, gjithashtu edhe në ditët në vazhdim. Përgjoja tim shoq se çfarë bënte, si sillej.

“Di të shtiret mirë, por unë e di që ai po bie në dashuri me të…” mendoja sa herë që e shikoja.

Ndërsa Jonelën e shikoja shumë rrallë. Kisha përshtypjen se më shmangej. Ishte e qartë, kishte frikë se mos ia përplasja në fytyrë ato që mendoja për të. Kështu kaloi një muaj, me uljet e ngritjet e tij. Një muaj shumë i vështirë. Nuk isha shfryrë me askënd, të gjitha i kisha mbajtur brenda vetes.

Një ditë ra zilja e derës.
-Kush është? -pyeta përpara se ta hapja.
-Jam unë… jam Jonela! -m’u përgjigj një zë që dukej se po qante.
E habitur, hapa menjëherë derën dhe para syve pashë “armiken” time të bukur me sytë e fryrë dhe fytyrën gjithë lot.
-Jonela, çfarë ke? -e pyeta e habitur.
-A mund të hyj?
-Epo…po…
Menjëherë, si një grua xheloze, mendova se do të më tregonte që kishte një lidhje me tim shoq dhe gati sa s’më ra të fiktë.

E ula, i dhashë një gotë ujë dhe ajo filloi duke qarë me ngashërim, duke më shpjeguar se…
Iliri kishte ikur, e kishte lënë.
“Epo tani e ke radhën ti” mendova e çliruar. “Nuk më vjen keq fare”.

Ajo sikur më lexoi mendimet, më kapi duart dhe më pa në sy.
-E di që e meritoj. Në të kaluarën u kam marrë të dashurin shumë vajzave. Këtë gjë ta bëra edhe ty dhe të kërkoj të falur. Tani e di se ç’do të thotë dhe prandaj të kërkoj të më falësh. Tani e di se ç’do të thotë të vuash për dashuri. Iliri më la për një tjetër. Më tha që faji ishte i sjelljes sime sipërfaqësore…

Filloi të fshinte lotët dhe grimi i kishte ikur fare nga fytyra. Nuk ishte më kaq e bukur, më ngjallte mëshirë.
-Mund të kem bërë gabime, por Ilirin nuk e kam tradhtuar asnjëherë. Kësaj radhe kisha rënë vërtet në dashuri. Kishim dy vjet bashkë dhe nuk më kishte shkuar asnjëherë ndër mend ta tradhtoja…
“As atëherë kur joshje tim shoq?”, mendova me vete.

Dhe përsëri sikur ajo më lexoi mendimet.
-Ndoshta ndonjëherë mund të dukem që jam shumë e hedhur me meshkujt e tjerë, -shtoi ajo. -Ndoshta kjo gjë e bezdisi Ilirin. Por nuk e bëj enkas, më vjen instiktivisht. Por tani do të mundohem të mos e bëj më. Nëse Iliri do të më shikojë që kam ndryshuar ndoshta do të kthehet përsëri.

Ishte një skenë e pabesueshme ajo që im shoq pa kur u kthye nga puna: unë që mbaja në krah një Jonelë të dëshpëruar dhe e ngushëlloja.
Ajo, kur e pa, u ngrit, fshiu sytë dhe iku duke thënë një justifikim.

Në fakt më erdhi pak keq që e pashë në atë gjendje. Druaja se mos ajo do të kërkonte ngushëllim te Miri, prandaj nuk i tregova gjithë të vërtetën atij, i thashë vetëm që ishte grindur me Ilirin dhe ai ishte larguar për disa ditë.
Iliri nuk u kthye asnjëherë me Jonelën. Por ajo nuk kërkoi ngushëllim tek im shoq. Kështu që nuk vonova të kuptoj që ato “shenja” që i kisha interpretuar si një dorëzim të Mirit ndaj hirit të saj ishin vetëm fiksime të një gruaje xheloze.

Sot Jonela është një grua tjetër: ka ndryshuar sjellje, madje edhe mënyrën e të veshurit. Tani jemi bërë shumë shoqe, kaq shumë saqë përpara disa muajsh organizova një darkë në shtëpinë time për ta prezantuar me njërin prej kolegëve të mi. Ata ranë në dashuri bashkë dhe shpejt do të martohen. Dhe unë i uroj me gjithë zemër që mund të jetë e lumtur ashtu siç jam unë me Mirin.

femra-moderne.com