Rebelia Coco Chanel

Në 1974, tre vjet pas vdekjes së zonjushës së madhe, publikohet “Koha e Chanel”, një vepër e pagjetur më. Tridhjetë vjet më vonë, vepra ripublikohet, pasuruar me klishe të padëgjuara. Fëmijëria fatkeqe, dashuritë, zhgënjimet e saj, por gjithashtu dhe mbi të gjitha guximi, shpirti, stili unik i një femre të lirë.

Chanel lindi në vitin 1883. Në këtë periudhë, në SHBA, presidenti i atëhershëm po inaguronte urën e Bruklinit; në Moskë, cari Aleksandri III dhe carina po kurorëzoheshin si perandorë të të gjithë Rusisë; në Paris, flamuri francez po ngrihej mbi fortesën e Hanoit; në Berlin, disa artikuj hakmarrës, firmosur nga Bismarku, proklamonin se Franca ishte vendosmërisht një vend me njerëz të tërbuar; në Londër, nënshtetasit e mbretëreshës Viktoria pyesnin veten në ishte e dashuruar me të vërtetë ajo me vartësin e saj. Por asnjë gazetë nuk përmendi një ngjarje të zakonshme dhe të parëndësishme: në një azil të provincës lind fëmija e dytë e një çifti shumë të varfër dhe të pamartuar. Vajza e sapolindur u quajt Gabrielle Chanel. Edhe ajo do të mbretëronte sipas mënyrës së saj.

coco_chanel_3Jeta e saj është shumë e trishtuar për t’u treguar. Asaj nuk i ndodhën as ato që i ndodhin shumicës së grave: nuk u martua, nuk pati fëmijë. E braktisur nga babai një javë pas vdekjes së të ëmës, Gabrielle Chanel njohu rreptësinë e murgeshave, vetminë dhe hidhërimin moral.

Pastaj erdhën fillimet e vështira. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare fillon punë në Moulins: shitëse në një dyqan të specializuar në veshje fëmijësh, perde dhe kinkaleri. Aty kalon disa vjet. E vendosur në Vichy dhe duke ëndërruar të bënte karrierë në teatër, ajo provoi të këndojë dhe të kërcejë. Në moshën 25 vjeçare, një djalë prej familjeje të mirë, Étienne de Balsan, i propozon të bashkëjetojë me të. Chanel pranon dhe vendoset bashkë me të në periferitë e Parisit. Padyshim, ajo ishte veshur në mënyrë të thjeshtë, por është e sigurtë që ajo mbërriti në Paris veshur sipas shijes së saj, d.m.th si person, duke mbajtur në vetvete atë diçka të zjarrtë, që do ta bënte të paharrueshme në sytë e të gjithë atyre që do ta rrethonin.

E ardhmja i dha të drejtë: silueta me pantallona të gjera dhe bluze marinari nuk është demoduar kurrë.

E ardhmja i dha të drejtë: silueta me pantallona të gjera dhe bluze marinari nuk është demoduar kurrë.

Hapet një epokë e re, gjatë së cilës ajo kafshon pa ndërprerje gjithçka që i ofron rasti. Ajo qe njëkohësisht amazonë dhe joshëse, duke përdorur të gjitha kartat e veçanta që kishte në dorë: natyralen në bukurinë më të skajshme, një hijeshi të rrallë. Shikohet ngado, në Paris, në Pau, në Kanë, në Dovij.

Dhe ja ku Chanel bëhet e përkëdhelura e luanëve të rinj të epokës. Pas Balsan-it, vjen Boy Capel, një anglez me një intelligjencë të shkëlqyeshme, dashuria e saj më e madhe dhe ndoshta e vetmja. Por dhe ai kërkon që Chanel të jetë vetëm dashura e tij, pa i përmendur asnjëherë martesën.

E lumtur? Gabrielle Chanel e linte të kuptohej sikur ishte, megjithëse shumë vite më vonë, i ndodhte, në momentet e rralla të lëshimit të vetes, të pranonte që ajo epokë e kishte parë të qante shpesh. Ajo thoshte gjithashtu që kishte provuar vetëm dëshira modeste, një lumturi të vërtetë, që kishte qenë e zgjedhur, e parapëlqyer dhe kjo zgjedhje u bë përfundimtare. Fati nuk deshi që një lumturi e tillë të ishte e saja. Vera e vitit 1913 e gjeti të vendosur për të ndërprerë lidhjet me atë që jeta e një femre dashnore nënkuptonte për poshtërimet. Me ndihmën e financierit të Boy Capel-it ajo hapi në Dovij dyqanin e saj të parë të modës. Në vazhdim, askush nuk mund ta bënte që të hiqte dorë nga një aktivitet që, nëse në fillim kishte qenë një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj jetës, u  bë arsyeja e saj e të ekzistuarit dhe asgjë, as lufta, nuk do ta ndalonte kurrë. Ajo i kishte hyrë punës, ajo ishte shndërruar përgjithmonë në një femër sipërmarrëse.

Pas luftës së 1918 dhe në vitet para luftës së 1940 asaj iu vardisën dy zotërinj të shtresës së lartë: duka i madh Dimitri i Rusisë dhe tjetri, tepër i pasur dhe gati mbret në vendin e tij, Bend’or, duka i Uestminsterit, njeriu më i fuqishëm i Anglisë. Gabrielle Chanel nxorri përfitimet e saj nga këto dy lidhje. Pranë zotërisë rus ajo përfitoi shijen  për peliçet e ngrohta dhe pëlhurat e pasura bizantine; me anglezin, ajo u familjarizua me stofin me cirka të Mbretërisë së Bashkuar.Coco-chanel

Jeton një luftë të dytë dhe disfatën e Francës.

Në Parisin e pushtuar, vrundullima e çizmeve të gjermanëve e bënte të dukshme kotësinë e sfilatave paqësore të modës, që udhëhiqeshin nga Chanel. Ajo çmobilizoi pa paralajmëruar një batalion të tërë manekinesh dhe e mbylli shtëpinë e saj të modës brenda ditës. Për këtë arsye, u bë objekt i kritikave më të këqija. Njerëzit e zanatit flisnin për dorëheqje, për dezertim. Ajo as që nuk ia vuri veshin…

Koha e pushtimit qe një faqe e zezë në jetën e saj , një faqe tepër e zezë. Dashuria e saj me një oficer gjerman, edhe pse e mbajtur e fshehtë, me t’u marrë vesh shkaktoi një skandal dhe me kur lufta mbaroi, shumë njerëz e qortuan dhunshëm. Pas paqes, Franca nuk ishte më e para. Ajo e kuptoi më shumë se të tjerët. Ku shkuan miliarderët e dikurshëm? Ku shkuan ata të huaj, që vinin të blinin rroba me duzinë në Paris? Ajo nuk e rihapi shtëpinë e saj të modës.

U largua në Zvicër. Mosaktiviteti i saj vazhdoi për trembëdhjetë vjet. Ajo vëzhgonte si fshatare dhe në heshtje. Parisi e harroi shpejt. Nuk u dëgjua më të flitej për të dhe publiku i ri nuk i dinte madje as emrin. Do të duhej të bënte famë në Paris një stilist i madh, si Christian Dior, që Chanel të rigjente dëshirën për t’u ndeshur. Ajo i vuri vetes detyrën për ta asgjesuar. Edhe pse s’ia arriti, të paktën e shqetësoi seriozisht. Suksesi i Chanel-it qe tepër i madh.

"Fashion fades, only style remains the same." Nje shprehje e Chanel, qe do te thote "Moda zbehet, vetëm stili mbetet e njëjtë."

“Fashion fades, only style remains the same.” Nje shprehje e Chanel, qe do te thote “Moda zbehet, vetëm stili mbetet e njëjtë.”

Kjo grua rigjeti në moshën 71 vjeçare pasionin për zanatin e saj.

Ajo jetonte në gjirin e arritjeve të saj të jashtëzakonshme profesionale në një vetmi të skajshme, e dështuar në atë që ajo kishte më shumë për zemër: jetën e saj si femër. E megjithatë! A mund të jemi ne më të pavarur, më të lirë se ajo? Fati i saj i veçantë përgënjeshtroi tezat që e tregonin barazinë midis gjinive si të vetmin  kusht për të përcaktuar lumturinë femërore. E barabartë me meshkujt gjatë jetës së saj si drejtuese e shtëpisë së modës – dhe shpesh eprore e tyre – në jetën e saj private Chanel qe më e paarmatosura e të gjitha femrave. Nëse moda ishte në qendër të të gjithë ekzistencës së saj, në fushën e dashurisë ajo pati vetëm zhgënjime. Ndonjëherë, kur ishte në fund të forcave, e dëgjonin teksa fliste me vete: “Ah! Do të vdes”. E dëgjonin me një sëmbim në zemër. Sepse, pavarësisht nga të gjitha, të vdesësh për një sqetull rrobe, për një gajtan të vendosur pak më lart ose pak më poshtë, të vdesësh për njëfarë ideje elegance, a nuk është paksa e tepërt? Dhe kjo betejë vazhdoi gjatë, kaq gjatë, saqë i mbeti vetëm një fije frymë. Ndodhi një fundjave, kur ndoshta ajo kishte menduar më shumë se zakonisht “Ah! Do të vdes” që ajo  vdiq.

10 janari 1971 binte e diel, ditë pushimi. Atë mbrëmje, zemra e Chanel-it pushoi. Ajo ishte tetëdhjetëeshtatë vjeçe. Mbretërimi i saj mbi botën e modës kishte zgjatur pak më tepër se një gjysmë shekulli. F.M.

Coco-Chanel (1)

Start typing and press Enter to search