Rikthehet Equus, shfaqja e vitit ne TK

Rikthehet "Equus", shfaqja e vitit ne TK

Mesi i kësaj jave, të mërkurën e datës 14 qershor deri të dielën e datës 18, i fton të gjithë të apasionuarit pas gjinisë së dramës, në sallën e Taetrit Kombëtar.

Janë reprizat e fundit të dramës “Equus”, shkruar nga Peter Shaffer, me regji të Dino Mustafic, e me role kryesore Igli Zarka si Alan Strang e Timo Flloko si Martin Dysart.

Gjetja e ekulibrit të lirisë, kaosi në të cilin kalon shoqëria dhe familja në kontekstin social e shoqëror, besimi, janë disa prej temave, përmes së cilave kalon i gjithë procesi i lojës së aktorëve në skenë.

Në rolet e tjera interpretojnë Ema Andrea, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Eriona Kakeli, Luli Bitri, Krist Lleshi, Ermir Jonka, si edhe balerinët Robert Nuha, Fjorald Doçi, Akreoma Saliu.


Shaffer, i frymëzuar nga një histori e vërtetë shkruan këtë vepër në vitin 1973. Equus është një ndër veprat më kontraversale të dramaturgut Shaffer. Është udhëtimi i mendjes së një djaloshi, i cili me një çengel verbon gjashtë kuaj. Historia flet për marrëdhënien e një psikiatri me pacientin e tij adoleshent, i cili pasionin e tij për kuajt e tregon me verbimin e tyre. Fokusi i veprës bie mbi një shtatëmbëdhjetë vjeçar, Alan Strang dhe Martin Dysard, psikiatër i moshës së mesme i cili pranon ta kurojë atë. Gradualisht, ai zbulon arsyet, të cilat shtynë djalin të kryejë krimin. Doktori sa më shumë i afrohet pacientit dhe kupton motivet e tij aq më shumë shqetësohet se si duhet të sillet me Alanin dhe botën e tij të brendshme, të cilën djali e ka krijuar në kokën e tij, duke vënë në pikëpyetje motivin profesional, madje edhe vetë ekzistencën e tij. Nëpërmjet raportit me fenë Alani krijon Perëndinë e tij Equus dhe ritualin personal. Magjepsjen e tij për të mbinatyrshmen ai e ngatërron me tërheqjen seksuale. Konfuzioni i tij i lë hapësirë pyetjeve mbi marrëdhënien në mes vlerës personale dhe normave shoqërore. Shfaqja vjen në formën e një trilleri psikologjik, (histori hetimi) ndërthurur me elemente të thellë humori. Equus ngre dilemën: Çfarë është normale? A duhet t’i edukojmë fëmijët për të qenë normal? Humori, imazhet e forta dhe mjetet dramatike përcjellin qartë tema të rëndësishme, si dhe theksojnë qëndrimin ndaj çështjeve për të cilat kjo shfaqje flet: mungesa qytetarisë, morali i rremë, erotizmi, fashizmit të të gjitha ideologjive, pandjeshmëria e shoqërisë ndaj të ndryshmes.

Për shkak të provokimit artistik, ku personazhi Alen del krejtësisht nudo ndalohet hyrja në teatër për moshat nën 16 vjeç. Vetë Shaffer ka shkruar skenarin e filmit me të njëjtin titull bazuar mbi veprën dramatike.

femra-moderne.com