ROBOTIKË: Natyra frymëzon njeriun për eliminimin e trafikut
Duke vërejtur se si milingonat e zjarrit hapin foletë e tyre të sofistikuara thellë nëntokë, studiuesit kanë mbledhur informacione të reja për të kuptuar qarkullimin në një trafik optimal, në një mjedis të izoluar apo të dendur, sipas një artikulli të AAAS (Shoqata Amerikan për Zhvillimin e Shkencës).
Zbulimet e këtij studimi të publikuara në revistën “Science” një ditë mund të ndihmojnë në përmirësimin e lëvizjeve të automjetve autonome në një trafik të dendur ose të parandalojnë nanorobotët që do të lëvizin në venat tona që të mos bllokojnë arteriet.
Ky studim analizon sjellje specifike të individëve të milingonave të zjarrit si të pushuarit, që redukton dendësinë dhe parandalon krijimin e një trafiku milingonash brenda folesë së tyre, ndërkohë që ato lëvizin për të hapur tunele të reja.
Këto strategji mund të aplikohen në sistemet jo të gjalla që kërkojnë një qarkullim të qëndrueshëm të një grupi të madh në hapësira të mbyllura ose të vështira për t’u zhvendosur, siç do të jenë grupet e robotëve të ngarkuar me heqjen e rrënojave pas një katastrofe.
“Duke vëzhguar në detaj sistemet e gjalla, organizma që janë duke bërë atë që bëjnë, mund të zbulosh fenomene shumë të bukur natyrorë, që kanë potencialin të influencojnë përparimin teknologjik”, tha Daniel Goldman, një fizikan në “Georgia Tech” dhe bashkëautor i këtij studimi.
Çdo herë që një grup i dendur objektesh qarkullon në një sistem të kufizuar, ekziston mundësia që të krijohen bllokime.
Kur këto objekte kanë secila një qëllim, sikurse njerëzit në makinë të mbyllur në linjat e një rruge, këto bllokime mund të jenë shumë penguese.
Por, këto grumbullime bllokuese janë një sfidë edhe në sistemet inxhinierike të robotikës, sidomos për grupet e ronotëve që duhet të jenë secili autonom, por nga ana tjetër duhet të punojnë së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët në mjedise të paparashikueshme pa ndihmën e kontrolleve të jashtme që drejtojnë grupin. / ATA