Doni një punë më të mirë dhe një rrogë më të madhe? Atëherë në intervistë me punëdhënësin duhet të shkoni të veshur me stil, me rroba të markave të njohura dhe me aksesorë të tillë, nëse doni që të merrni çka të doni, tregon studimi.
Studimet kanë treguar se njerëzit e një moshe më të pjekur janë më të prirur që t’u japin vlerësime njerëzve që kanë të veshur ndonjë rrobë të markave të njohura.
Rob Nelissen dhe Marijn Meijers, psikologë socialë nga Universiteti ‘Tilburg’ në Holandë, kanë bërë disa studime, në mënyrë që ta konstatonin se si ndikojnë markat e njohura të rrobave në atë sesi na përjetojnë të tjerët.
“Blerja e rrobave luksoze mund të jetë një investim me vend”
Rezultatet e këtyre studimeve tregojnë kështu se moda ndikon në të ardhurat tona. Nelissen dhe Meijers u kishin shfaqur pjesëmarrësve në studim një video incizim të një mashkulli në dy intervista për punë. Në njërën nga bisedat ai ishte veshur me rroba të markave të njohura, e në intervistën tjetër me rroba të rëndomta.
Pjesëmarrësit në studim i kishin dhënë nota më të larta për punën dhe rrogën kur ishte i veshur me rroba të stilistëve të njohur. “Studimi ynë ka treguar se blerja e rrobave luksoze mund të jetë një investim me vend” – kanë thënë dy autorët e këtij studimi.