Rudina Xhunga: Unë jam se pari, nënë

Gazetarja e mirenjohur Rudina Xhunga rrefen se cfare do te thote te jesh nene. Fjalimi eshte mbajtur ne Simpoziumin e Grave te Komunitetit Mysliman, eshte frymezues per cdo grua, mbi te gjitha per cdo nene

Unë jam nëna e një vajze tre vjeçare, drejtuese e një emisioni televiziv dhe një portali online dritare.net
Ky shkurt ka qenë nje muaj i vështirë për intervistat që kam pasur dhe virozat e stinës.
Një natë, vajza ime u sëmur me një prej tyre dhe ndërsa temperatura po kalonte 40, m’u desh ta gdhija pranë saj.
Në mëngjes, pasi temperatura i shkoi 38, dola në ballkon të merrja ajër.
Pashë në ballkonet përballë disa gra si unë, që çohen të parat dhe bëjnë punët e shtëpisë. I pashë kur ndernin rrobat dhe po mendoja, si ia bëjnë, punojnë gjithë ditën, mbajnë fëmijët, lajnë rroba, gatuajnë dhe pastaj shkojnë në punë. Disa lodhen shumë më tepër se unë dhe mbesin anonime, pasi nuk kanë fatin tim. Dhe prapë çohen që në mëngjes dhe e nisin çdo ditë nga e para. Shkojnë në punë, vijnë me trasta ngarkuar, hyjnë në shtëpi dhe nuk dalin më derisa vjen mëngjesi tjetër.
Duke menduar këtë, më bie telefoni dhe më ftojnë në një Konferencë të organizuar nga Forumi i Gruas Myslimane për të folur pikërisht për mendimet e mia të atij mëngjesi.
Thashë menjëherë po, pikërisht sepse kam nevojë të ndaj me gra si unë, dilemat dhe problemet e mia.

Ka tre vjet që prioritetet e mia kanë ndryshuar. Unë nuk jam gazetare, pastaj grua, por jam nënë, pastaj gazetare.
Por kjo gjë nuk më ka bërë të marr peshoren dhe të shikoj, a janë baraz, a duhet të heq këtu dhe shtoj këtu.
Nuk kam asnjë dilemë. Unë jam se pari, nënë.
Nëna e një vajze 3 vjeçare që erdhi në këtë botë, jo sepse unë nuk kam me kë të plakem, por sepse besoj se botën e bëjnë më të mirë fëmijët e mirë, që marrin edukimin dhe vëmendjen, që shoqërohen nga dashuria dhe përkushtimi.
Sa më shumë të shtohen fëmijë të tillë, aq më pak egoiste dhe e vetmuar bëhet bota e të gjithëve.

Kur linda mora një muaj leje, për të qenë me time bijë dhe gjithë çuditë e një bote të re, me qumësht gjiri, biberonë dhe panolina.
Gjate kësaj periudhe kisha regjistruar 4 emisione. Pasi një muaj iku, kërkova ndihmën e burrit, vjehrrës dhe mamit tim, për të ndihmuar të mbanin vajzën, ndërsa unë ikja në punë çdo ditë me orë të tëra. Kthehesha ta ushqeja dhe kur vonohesha shumë, më dukej sikur e dëgjoja të qajë.
Mbaj mend që nuk thosha kurrë në punë, kam vajzën sëmurë ose duhet të shkoj te vajza. Atë kohë realizova dhjetëra emisione turizmi dhe ime bijë erdhi me mua nga Saranda në Rugovë të Kosovës, e ulur në karrigen e saj, në sediljen e dytë të makinës së Topit.
Kur regjistroja, ajo rrinte ulur me vajzat e stafit dhe sapo mbaroja e merrja në krahë.
Nuk u sëmur asnjëherë gjatë kësaj kohe dhe nuk fjeti asnjë ditë larg meje. U rrit dhe zhvillua gjatë çdo udhëtimi. Unë u rrita bashkë me të. U bëra më e ndjeshme, më e kuptueshme, më njerëzore.
Ndërkaq, jo e gjitha ishte fushë me lule dhe udhëtime.
Kur ke një fëmijë të vogël, duhet ta ndash veten mes saj dhe angazhimit tënd, pa u ankuar për të dyja, por kur vjen darka dhe nis një film që gjithë shoqet e tua e kanë parë, ty të merr gjumi afër saj që do kartonat.
Kur miqtë mblidhen në shtëpinë tënde, ajo do të shkojë në krevat dhe ty të zë gjumi në përpjekje për ta vënë në gjumë. Kur zbret poshtë, miqtë kanë ikur dhe bashkë me ta ikin mundësitë e tua për të kaluar darka jashtë, filma në kinema, për të lexuar libra deri në mëngjes. Sepse thjesht ty të zë gjumi.
Përpjekja për t’i nxjerrë gjumin vetes dhe për të vazhduar garën aty ku e le, ndërsa nise beben tende, është gjigande.

E para është lufta me veten tënde që duhet të fitosh.
Duhet të bindësh veten që nuk ka mbaruar roli yt në botë se u bëre nënë. Këtu ka nisur një rol tjetër.
Ai që të bën ty një nënë të përgjegjshme, që jep një dorë të bëhet më e mirë bota e fëmijës tënd.

Sepse nuk mjafton që të lyesh dhomën e saj me ngjyra dhe ta mbushësh me lodra. Duhet të kujdesesh edhe për botën jashtë pragut, plot njerëz që nuk kontribuojnë, që nuk kanë mundësitë e tua, që nuk kanë vullnetin dhe dëshirën tënde. Duhet të bëhesh bashkëpunuese me këtë botë. Të japësh më të mirën, të flasësh kur diçka nuk shkon, të ngresh zërin për shëndetësinë, arsimin, qeverisjen sepse bëhet fjalë për atdheun e fëmijës tënd. Dhe sidomos të punosh fort sepse vetem kritika, nuk të çon te ëndrra jote për botën ideale.
Është puna jote, mënyra më e mirë për të kontribuar. Sikundër fjalët nuk e edukojnë fëmijën tënd. Është sjellja jote, shembull për të.
Ndaj përfshihu, kjo është këshilla ime, mos hiq dorë nga puna, mos hiq dorë nga angazhimi publik dhe social. Thuaje fjalën tënde sepse ti je nënë dhe kush më mirë se ty, mund të japë mend e kontribut.
Pastaj, përveç punës është edhe gara. Puna ime është garë, garë për audiencë, për sukses, për karrierë. Gratë si unë, shpesh tërhiqen sepse nuk munden. I kuptoj fare mirë, sa nuk munden. Është një luftë e madhe me pamundësitë e të qenit grua, por disa ia dalin. Të ndajnë përgjegjësitë, të organizohen, të gjejnë njerëz që t’i ndihmojnë dhe sidomos të gjejnë qëllimin që nuk i lë të mbyllen në shtëpi, kur jashtë është një botë e tërë që ka nevojë për kontributin e tyre.
Unë jam njëra prej tyre, që i mbaj sytë me zor hapur, kur kam mbaruar detyrimet në shtëpi dhe hyj në dhomë e punoj për ditën tjetër. Punoj deri në mëngjes edhe kur kam në orën 8 një takim, vë syze kur më lënë sytë, por nuk gjej justifikimin nuk mundem se u lodha.
U lodha për çfarë? Për të jetuar?
Sepse puna është jeta jonë, e grave dhe burrave. Nuk është ndryshe për gratë dhe ndryshe për burrat. Për ta është thjesht më e thjeshtë. Po te vështirësia qëndron e bukura. E bukura e një dite që mbyllet duke vënë ok, te gjithe gjërat që ia dole të bësh. Dhe e nesërmja e një dite tjetër, që nis nga e para.
Po, jemi gjallë, me shëndet dhe fat që jetojmë. Në një vend të vogël plot pamundësi, por pa kontradikta të forta dhe luftra. Në një vend ku një komunitet grash muslimane, më thërret mua të ndajmë mendime, kur unë nuk jam muslimane. Sepse neve gratë nuk na bën të ndryshme feja, por vullneti për të vazhduar apo për t’u dorëzuar. Po jo gjithandej ndodh kështu. Shqipëria është një vend i hapur dhe le ta shfrytëzojmë këtë fat. Të mos dorëzohemi.

Unë nuk dorëzohem. Të paktën deri tani. Nuk i kam lënë vendin tim një burri dhe nuk kam pranuar kurrë, që ai është më i zoti se unë, më i talentuar, më i ngeshëm. Sepse nuk është çështje ngeje. Por vullneti. Që sa kohë ke shëndet, talent dhe përkushtim, duhet ta përdorësh.
Ndryshe, as vetes tënde nuk i mbush dot mendjen, që ti doje, po kaq mundeshe. Nuk ka kurrë kufi për sa mundesh, por për sa do.

Ndaj unë dua të jem në garë, në punë, në shërbim të fëmijës tim dhe punës sime, që kur të vijë dita, të mund t’i them sime bije: kjo është bota jote, s’ka burrë në botë, qoftë edhe yti të të thotë, ky nuk është vend për gratë sepse mami jot dha një dorë që Shqipëria të jetë një vend i mirë për gratë. Po nuk e bëra këtë, nuk do kem fare ç’t’i tregoj, veç përrallave me Frozen që nuk është përralla jonë. Unë dua për time bijë një përrallë shqiptare, për një vend ku burra dhe gra punojnë bashkë dhe bashkë bëjnë Shqipërinë e re. Tek kjo kam besuar, besoj dhe nuk do lodhem së besuari.Te një Shqipëri më e mirë, për vajzën time dhe fëmijët tuaj.

femra-moderne.com

Burimi: dritare.net