Saimir Pirgu, një nga tenorët shqiptarë më të njohur në arenën e artit operistik botëror, ka marrë vlerësimin më të lartë që një artist mund të marrë në karrierën e tij.
Ai është zyrtarisht shqiptari i parë në botë që ia ka dalë të nominohet për çmimin Grammy.
Edicioni i 58-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy” do të transmetohet ‘live’ në stacionin amerikan CBS më 12 shkurt. Eventi do të prezantohet nga aktori komik James Corden dhe do të zhvillohet në arenën e “Staples Center” në Los Angeles.
Król Roger është votuar si pjesë e pesëshes më të mirë në këtë kategori, në garë me 4 shfaqje të tjera operistike dhe paneli i kritikëve botërorë, votues të akademisë “Grammy”, do të vendosin më pas fituesin.
Për herë të parë kjo shfaqje është vënë në skenë në vitin 1965. Ky është riprodhimi i tetë i saj dhe qysh prej herës së parë që u vendos në skenë, shfaqja me protagonist Pirgun, ka marrë vlerësime maksimale edhe nga kritikët. Gazetat më prestigjioze botërore, kanë veçuar tenorin shqiptar për talentin dhe cilësinë e performancës së tij në rolin e “Shepherd”.
“Saimir Pirgu, tenori shqiptar i shkëlqyer dhe i zjarrtë, me një zë të pagabueshëm, ka mjaftueshëm karizëm në zërin e tij sa të mbajë të gjithë mbretërinë të përqëndruar tek Shepherd-i i tij,” shkruan gazeta e njohur britanike “The Independent” në maj të këtij viti (2016), pasi vlerësoi maksimalisht shfaqjen.
Ajo që e bën edhe më të madh ndikimin e Pirgut në nominimin e kësaj opere për ”Grammy”, është pesha e madhe e rolit të tij dhe niveli i lartë i vështirësisë. Ai është konsideruar si ‘zbulim’, jo vetëm për zërin e mrekullueshëm, por edhe sepse ia doli të duket i pashëm dhe joshës, pavarësisht impenjimit të madh që kërkonte roli i tij dhe vokalizave të larta.