Shqipëria, mrekullia verore e Ballkanit

Në Europë ka filluar zyrtarisht vera dhe temperaturat e larta do të bëjnë që profilet tuaja në median sociale të jenë shumë shpejt të mbushura me foto të pishinave të Santorinit, të fshatrave në majë të shkëmbinjve në Cinque Terre dhe të fushave të mbushura me livando të Provences. Por, nëse miqtë tuaj e ndjekin trendin, atëherë fotot mund të jenë nga mrekullitë e Ballkanit, shkruan revista neozelandeze “nzherald.co.nz”.

Në një përshkrim që u bën mrekullive të Ballkanit një vend të rëndësishëm zë edhe rajoni i Alpeve të Shqipërisë.

Më e mira për udhëtimet në mal: Bjeshkët e Namuna, Shqipëri

Alpet e Shqipërisë që ndodhen në pjesën veriperëndimore të vendit, duken kaq shumë të paarritshme, saqë banorët e zonës i quajnë Bjeshkët e Namuna. Por, eksploruesit kanë gjetur një kulturë antike dhe bukuri natyrore të pazbuluara, duke e bërë Shqipërinë një prej destinacioneve të reja më të kërkuara në listën e kompanisë prestigjoze për udhëtime “Exodus Travels”.

Çfarë të shihni dhe bëni?

Filloni duke shijuar jetën e përditshme në Shkodër, qytet antik dhe i mbushur ma xhami, pranë kufirit me Malin e Zi. Atje, të moshuarit luajnë me letra nën hijen e parqeve të qytetit, ndërsa të rinjtë pijnë kafe turke. Më pas, me një varkë shkoni në fshatin piktoresk të Valbonës dhe ecni përmes maleve që lidhin fshatrat e vetmuar nëpërmjet pyllit të dendur të Thethit dhe shtigjeve ende funksionale. Nëpërmjet një lugine rreth 1 800 metra mbi nivelin e detit, do të arrini në qafën e Valbonës. Nga aty fillon një zbritje e butë nëpërmjet një pylli me pisha dhe përfundon në fshatin e vogël katolik të Thethit, nga i cili merr emërtimin edhe pylli.

Një grup bujtinash tradicionale në fshatin e Valbonës ju lejojnë të dilni menjëherë nëpër shtigje. Më e rehatshmja është “Rezidenca”, një shtesë e kohëve të fundit të bujtinës së vogël 13 vjeçare “Rilindja”. / Burimi:ATA

femra-moderne.com

Start typing and press Enter to search