Si të veprojmë kur fëmijët kanë frikë nga errësira

Shpesh fëmijët kanë frikë nga errrësira. Një frikë e zakonshme që shprehet me refuzimin për të fjetur.

Deri në moshën 2 vjeçare s’ka asnjë problem: fëmija nuk ankohet kur fiket drita e dhomës dhe pas pak atë e zë gjumi. Pastaj, një natë, ai kërkon që t’i lënë dritën ndezur dhe derën e dhomës gjysmë të hapur. Ndonjëherë, ai zgjohet në mes të natës. E gjejnë të ulur në krevat, duke u dridhur nga frika. Flet për ëndrra të këqija, për ujq, përbindësha ose hajdutë…

Arsyet e frikave të tij

Sot nuk shohim më ujqër, por frika ka mbetur. Ajo shfaqet në përgjithësi në një etapë kalimtare të zhvillimit: gjatë një mësimnxënieje të re, një ndryshimi jetësor. Fëmija e lidh frikën me makthin, me ujkun, me përbindëshin e fshehur nën krevat. Në moshën 3 vjeçare, imagjinata e tij ndihmon këto shqetësime. Por arsyet janë të tjera. Në errësirë ai humbet orientimin. Fëmija nuk sheh më ata që e duan dhe e sigurojnë, mjedisin e tij familjar. Një shkak tjetër: ankthi i ndarjes që mbetet deri në 4 vjeç, sidomos në errësirë kur ndjehemi të prekshëm… Duke u rritur, fëmija do të zhvillojë mbrojtjet e tij dhe do t’i bëjë ballë këtij ankthi. Rreth moshës 6 vjeçare, ai do të kuptojë ndryshimin midis realitetit dhe imagjinatës. Në pritje, ne mund ta ndihmojmë. Kjo ndihmë konsiston në tre pika.

Në mbrëmje, lini gjithmonë një ndriçim

Me një dritë të vogël në dhomë ose duke lënë ndezur dritën e korridorit, nëse fëmija zgjohet natën, ai do ta njohë dhomën: atëherë ai del nga ëndrra, rifiton kuptimin e krevatit dhe e zë gjumi përsëri.
Kur të mos ketë më pelena, do të guxojë të përdorë oturakun, të shkojë në banjë. Drita e vogël e dhomës së tij nuk ndikon aspak për keq në pavarësinë e tij, përkundrazi e forcon. Më vonë, jepini fëmijës një elektrik dore. Në këtë mënyrë, ai mund të eksplorojë qoshet e errëta të dhomës së tij dhe të vërtetojë se nuk ka përbindësha.

femijet-kane-frike-naten2

Në kundërshtim me idenë e krijuar, drita e vogël në dhomë nuk do ta vonojë autonominë e tij, përkundrazi do ta forcojë.

Natën, largoni makthet e tij

Nëse ju thërret pasi ka parë një ëndërr të keqe, hapeni intensitetin e dritës me ngadalë (nëpërmjet një reostati). Pastaj, ndihmojeni që të sigurohet, që të gjejë hapësirën e tij, lodrat, objektet e përditshme. Tregojini që nuk ka persona të tjerë përveç jush në dhomë. Mërmëritini fjalë siguruese: “Gjithçka shkon mirë. Mami dhe babi janë pranë, je i sigurtë këtu.” Largohuni nga dhoma kur fëmija të jetë qetësuar, por pa pritur që ai të flerë.

Gjatë ditës, sigurojeni atë

Problemet e natës zgjidhen gjatë ditës. Flisni me fëmijën për frikat që ka. Por pa u tallur me të. Nëse është pak a shumë i rritur, kërkojini atij që t’i vizatojë këto frika: nëse e njohim mirë diçka, mund ta luftojmë më mirë.

Propozojini të luajë symbyllazi

Kjo lojë do ta ndihmojë t’i zbusë ndjesitë që ndjen në errësirë. Por mbi të gjitha, shpjegojini se frikat janë mëse normale në moshën e tij. Ato tregojnë që po rritet dhe që duhet të heqë dorë nga disa gjëra të fëmijërisë së tij të hershme. Duke u rritur më shumë, do të ndjehet më i fortë dhe frikat do të zhduken. Në pritje që të rritet, prindërit ndodhen pranë tij për të mbikqyrur sigurinë e tij. recursing-snyder.88-198-36-142.plesk.page

Start typing and press Enter to search