Para së gjithash, dielli është një aleat i shëndetit tonë. E ndihmon organizmin të prodhojë vitaminën D, e domosdoshme për të fiksuar kalciumin në kocka dhe për të parandaluar disa forma tumori. Dhe jo vetëm kaq.
Është dhe një antidepresiv natyral i fuqishëm.
Nuk është rastësi që të gjithë, midis pritshmërive të pushimeve, vënë në plan të parë kohën e mirë, cilado qoftë periudha e vitit. Dhe kanë të drejtë. Sepse duke qëndruar në diell, përveçse kanë mundësi të marrin ngjyrë dhe të rrinë në ajër të freskët, është gjithashtu më e lehtë të rigjejnë humorin e mirë. Në fakt, rrezet e diellit stimulojnë prodhimin e disa hormoneve (si serotonina), në gjendje t’ju bëjnë më të gjallëruar.
Stresi të ngjyros
Jeni të shqetësuara, sepse pushimet do t’ju gjejnë pa energji? Një studim i bërë nga kërkues japonezë, ka treguar se lehtësia e pigmentimit të lëkurës varet nga niveli i stresit. Praktikisht, tensionimi dhe nervozizmi shkaktojnë shtimin e hormoneve përgjegjëse për prodhimin e melaninës.
Më mirë të mos niseni shumë të lodhura, por shumë pak ia arrijnë. Nëse ju ndodh, duhet të kini parasysh se, përveçse do të çlodheni, do të nxiheni edhe më me lehtësi. Edhe ky fakt shërben për t’jua bërë më të këndshme pushimet.
Një lëkurë e nxirë mirë na bën më tërheqëse dhe, si rrjedhojë, më të sigurta në vetvete dhe me besim në aftësinë për t’u pëlqyer. Është njëlloj sikur nxirja të na shpërblente për gjithë sforcimet e një viti të tërë pune.
Pastaj, nxehtësia verore favorizon sekretimin dhe shpërndarjen në ajër të feromoneve (hormonet e tërheqjes). Rezultati? Në verë, për meritë të rrezeve të diellit, jeni më të afta për të hyrë në kontakt me të tjerët. Një mundësi më shumë për të rigjetur pasionin në çift ose për të takuar dashuri të reja.
Një ekran mbrojtës për gjithë vitin
Deri këtu kemi folur për aspektet pozitive të rrezeve të diellit. Që mbeten të tilla nëse, para se të shtriheni në diell, mbroheni me një krem dielli kundra efekteve ultravjollcë.
Lëkurën duhet ta ruani veçanërisht nga UVA: përbëjnë 90 % të dritës dhe janë pikërisht rrezet kryesore përgjegjëse për plakjen e lëkurës. Në fakt, A te UVA është për “aging”, që do të thotë plakje. Këto rreze, duke depërtuar në shtresat më të thella të lëkurës dëmtojnë kolagjenin dhe elastinën, proteinat që garantojnë tonicitetin dhe elasticitetin. Kështu, sipas moshës dhe kohës së ekspozimit në diell, epiderma mund të bëhet e thatë dhe e ashpër. Ose mund të shfaqen rrudha dhe njolla të errëta.
Rreziku i photoaging (kështu quhet plakja nga drita) nuk duhet patur frikë vetëm në verë. Rrezet UVA e mbajnë konstante fuqinë e tyre gjatë gjithë vitit dhe gjatë gjithë harkut kohor të ditës. Nga një kërkim i kryer rezulton se vetëm 20 % e dëmeve nga dielli shkaktohet nga nxirja. 80 %-shi i mbetet diellit që merret çdo herë që ecni në rrugë, kur shkoni për të punuar ose për të psonisur. Nëse, kur shkoni në plazh, aplikoni kremin e diellit, kur ktheheni në shtëpi, mënyra më e mirë për të vazhduar ta ruani lëkurën të bukur dhe të shëndetshme është të vazhdoni ta ushqeni.