Siri, merr fund lufta 4-vjecare për Aleppon

Siri, beteja për Aleppon tashmë ka përfunduar. Rebelët sirianë pranuan të largohen nga qyteti i kthyer në zemrën e dramës së konfliktit, çfarë nënkupton dhe mbylljen e luftës 4-vjeçare për kontrollin e tij.

Vet ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin pohoi se një marrëveshje është arritur me luftëtarët kundërshtarë të regjimit të Bashar al-Assadit për të braktisur enklavat në lindje të Aleppos. Këto zona, sipas Churkin, janë në duart e trupave siriane dhe tani është momenti për nisma praktike humanitare.

Rebelët ishin për çdo rast në prag disfate, pas ofensivës qeveritare në zonë, të ndihmuar edhe prej fuqisë ajrore ruse. Fjala për arritjen e marrëveshjes falë edhe ndërmjetësimit të Turqisë doli thuajse në të njëjtën kohë me raportet e OKB-së për vrasje shtëpi më shtëpi nga forcat qeveritare, në lagjet lindore të Aleppos.

Panorama në qytet, ashtu siç e përshkruajnë Kombet e Bashkuara, është dramatike: rrugët janë të mbushura me trupa të pajetë, e një ndërtesë që strehon gati 100 të pashoqëruar nga të rritur është kthyer në shënjestrën e bombardimeve të rënda.

Marrja e Aleppos përfaqëson një kthesë të jashtëzakonshme të rrotës së fatit për Assadin, por edhe një triumf strategjik për Moskën.

Rebelët presin evakuimin nga Alepo

20 autobusët qeveritarë mbërritën që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në pjesën lindore të Alepos, me shpresën se tani është koha për të transportuar luftëtarët rebelë që presin evakuimin nga zonat e luftimeve. Por, akoma nuk është e qartë pse ky proces po vonon.

Një zyrtar i opozitës fajësoi militantët shiitë, aleatë të presidentit Bashar al-Assad. Të gjithë duket se i kanë sytë nga marrëveshja, e cila mendohet se do t’i japë fund më shumë se katër vjet luftimesh të ashpra në qytetin sirian. Edhe pse autobusët kanë mbërritur në zonën e gjunjëzuar nga lufta, koha se kur dhe rruga e tërheqjes rebele mbeten ende pista të paqarta. Moska zyrtare ka thene se trupat qeveritare kanë rivendosur kontrollin në zonat e fundit të mbajtura nga rebelët.

Duket se Asadi e fitoi Alepon, qytetin e dytë më të madh në vend, por i mbetet punë e madhe për të marrë në duar gjithë Sirinë. Megjithatë, Asadi është larg këtij objektivi.

Zona të mëdha të vendit mbeten në duart e grupeve të armatosura, duke përfshirë Shtetin Islamik, i cili këtë javë arriti të rimarrë sërish qytetin antik të Palmirës nga duart e ushtrisë siriane.

Si ishte Aleppo para luftes? Klikoni ketu per te pare fotot.

femra-moderne.com