Kengetarja Sonila Kaceli, eshte rritur ne nje familje artistesh, nderkohe qe kantoja erdhi krejt rastesisht gjatë aktiviteteve të organizuara në shkollën fillore. Qe atehere, muzika dhe Sonila nuk jane ndare me. Ka marrë pjesë në shfaqje teatrale të ndryshme, shpesh edhe në rol protagonisteje, por edhe si aktore, këngëtare dhe kompozitore, në realizimin e shfaqjeve te ndryshme teatrale. Ju ftojme te mesoni me shume per Sonilen, duke lexuar kete interviste per Femra Moderne.
Intervistoi Alma Papamihali
Mund të na thuash pak më shumë mbi familjen Kaceli… Sa pjestarë artistë ka në familjen tuaj…
Mbi të gjitha do të përmendja babain tim Gëzim Kacelin. Ju falenderoj për intervistën tuaj dhe që më jepni mundësinë të flas gjithashtu edhe mbi figurën e tij. Ai, përveçse një baba e njeri mrekullueshëm, mbetet një nga figurat më të rëndësishme e me vlerë të artit koreografik shqiptar. Njëri prej themeluesëve dhe koreografi i parë i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore, Artist i Merituar, ai arriti të vërë bazat e këtij arti pa cënuar kurrë thelbin e tabanit popullor, por përkundrazi duke nxjerrë në pah vlerat e tij, duke e pasuruar dhe ngritur atë në nivele profesioniste të larta. Ndihem e lumtur që vëllai im, Renis Kaceli, ka ndjekur gjurmët e tij duke ju dedikuar me po aq pasion koreografisë dhe mësimdhënies së baletit klasik. Real Balet, shkolla e baletit e drejtuar nga ai dhe bashkëshortja, Alessandra, është vlerësuar me çmime të ndryshme në shumë konkurime të organizuara në Itali. Do të doja të përmendja gjithashtu një figurë tjetër, që ka lënë mbresa të thella tek unë që në fëmijëri, xhaxhai i babait tim, Piktori i Popullit Sadik Kaceli. Nje artist me shumë vlerë është po ashtu i biri i tij Buron Kaceli.
Ju jeni rritur me artin muzikor, kryesisht kanton, që në fëmijëri. Erdhi ajo tek ju natyrshëm dhe ju i thatë vetes kjo është rruga ime, apo e ndoqët ju atë?
Kantoja erdhi krejt rastesisht gjatë aktiviteteve të organizuara në shkollën fillore, por që nga ai “takim” nuk kam mundur të shkëputem më prej saj, edhe në momentet më të vështira të jetës sime. Pikërisht gjatë kësaj periudhe një mundësi shprehshmerie dhe deri diku terapie, u bë për mua aktrimi, të cilit i detyrohem vërtet shumë, megjithatë kantoja vazhdoi të mbetej kanali i komunikimit të preferuar.
Karriera juaj artistike, çfarë përmban Sonila…
Siç përmenda edhe më lart, përveç studimeve muzikologjike në Universitetin e Bolonjes, ashtu si edhe ato të kantos pranë konservatorit të po këtij qyteti, ndjeja edhe ezigjencën të perfeksjonoja aktrimin, që më kishte rënë rasti ta ushtroja gjatë disa laboratorëve teatralë të ndryshëm (për më tepër bëhej fjalë për teatër eksperimental e të avanguardias). Ndjeja gjithsesi mangësi, sidomos
përsa i përket diksionit, e për këtë arsye ndërmorra studimin pranë një shkollë dyvjeçare të Bolonjës të bazuar në metodën Stanislavskij Strasberg. Kam marrë pjesë në shfaqje teatrale të ndryshme, shpesh edhe në rol protagonisteje, por do të veçoja mbi të gjitha bashkëpunimin si aktore dhe këngëtare, por edhe si kompozitore, në realizimin e tre shfaqjeve teatrale të bazuara mbi triologjinë e Giovanni Pascolit, të cilën ai ja ka dedikuar figurës së mbretit Enzo, të birit të Federikut të dyte, emri i të cilit është tejet i lidhur me Bolonjën mesjetare. Bëhet fjalë për triologjinë “Le Canzoni di Rè Enzio” të artikuluar si më poshtë: “La Canzone del Carroccio”, “La Canzone del Paradiso” e “La Canzone dell’Olifante”. Poezia e Pascolit është e një bukurie dhe muzikaliteti të veçantë e kompozimi i muzikes mbi këto tekste sillte me vete një ndjenjë përgjegjësije të lartë, por në të njëjtën kohë përbënte një burim frymëzimi të mrekullueshëm për mua. Njëkohësisht me aktivitetin teatral, kam bashkëpunuar shpesh me formacione vocale o vocale – instrumentale të ndryshme. Ajo më interesantja e më me vazhdueshmëri mbetet gjithsesi trioja vokale Latino Balcanica Ensemble. Repertori është i drejtuar kryesisht drejt muzikës popullore italiane dhe asaj ballkanike, por nga kendvështrimi i muzikës kontemporane. Shumë kompozitorë në zë të panoramës kontemporane, jo vetëm bolonjeze, kanë dedikuar kompozimet e tyre kësaj trioje e do të përmendja midis të tjerëve, Chiara Benatin, Pier Paolo Scattolin, etj. Latino Balcanica Ensemble ka regjistruar për shtëpinë diskografike Tactus dhe dy herë është ftuar të marrë pjesë në emisionet radiofonike të Radio Rai 3. Në tetor të vitit të kaluar i është dhënë gjithashtu çmimi i parë në “Premio Nazionale delle Arti” në seksionin “Musica d’Insieme e da Camera”.
Ju jeni larguar ne Itali pej vitesh… A kishte vështirësi karriera juaj artistike në këtë vënd në fillimet e saj?
Vështirësitë kishin të bënin mbi të gjitha me problemet e përditshme që çdo emigrant mund të hasë gjatë fillimit të ekzistencës së tij në një vend të huaj. Ato mund të kenë ndikuar në mënyrë indirekte, por nuk mund të flas për vështirësi të mirëfillta përsa i përket anës artistike.
Ç‘domethënie ka publiku shqiptar për ju?
Publiku im shqiptar është për më tepër ai i diasporës, pjesë e të cilës jam edhe unë, ndërsa rastet e interpretimit tim në Shqipëri kanë qenë më të pakta. Një grup miqsh bashkatdhetarë më ndjek shpesh gjatë aktiviteteve të mia këtu në Itali e atyre ju jam vërtet shumë mirënjohëse, ndërsa publik shumë më i gjerë ka qenë ai i aktiviteve të organizuara me rastin e festave të ndryshme kombëtare e mund të them se më ka dhuruar emocione vërtet të bukura e mbreslënëse.
Kush ju ka ndihmuar në karrierën tuaj artistike.., ose muza që ju jep forcë, edhe pse larg vendit…
Sigurisht njohjet mund të kenë rëndësinë e tyre për karrierën e një artisti e në rastin konkret mund të them se kanë ndikuar në këtë drejtim institucionet formuese. Gjithsesi, do të thoja se ajo çka më jep e më ka dhënë forcë lidhet pa masë me nevojshmërinë e të shprehurit nëpërmjet artit.
Si mendoni për nivelin e artit në Shqipëri, a ka vend për përmirësime dhe ku kryesisht?
Mendoj se për t’i dhënë një përgjigje objektive kësaj pyetje do të më duhej një periudhë më e gjatë qëndrimi në vendin tim të lindjes, megjithatë duke u nisur nga përshtypjet që mund të perceptohen edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit, mendoj se arti në Shqipëri, për vetë mundësitë që kanë ofruar ndryshimet ekonomike e sociale, ka bërë vërtet shumë hapa të rëndësishëm. Vend për përmirësim ka gjithmonë e duhet të jetë ashtu. Ajo çka mendoj se duhet luftuar me çdo kusht është rreziku i kendvështrimit të artit thjesht vetëm si mjet fitimi, por ky fenomen sigurisht nuk është prerogativë vetëm e realitetit shqiptar.
Cila është motoja e jetës suaj?
Motoja e jetës sime, o të paktën ajo çfarë jam munduar ta bëj në jetë, ka qenë të arris gjithçka me ndershmëri e me forcat e mia. Studimi dhe vendosmërija mendoj se herët a vonë i japin rezultatet e tyre. Më pëlqen pavaresia e ndonëse ndonjëherë çmimi për ta arritur atë është i lartë, mendoj se ja vlen vërtet.
Plane për të ardhmen…ëndrra, dëshira…
Unë e kam realizuar një prej këtyre ëndërrave, laureimin në një specializimim disi të veçantë pranë konservatorit të Bolonjës në Canto Barocco e Rinascimentale me pedagogen e këngëtaren e shquar Gloria Banditelli. Të studiosh e të interpretosh muzikë antike ka paksa ngjashmëri me punën e arkeologut. Jo rrallë mund të qëllojë që përveç veprave më të njohura, të ndeshesh me dorëshkrime të “harruara” për shekuj, që kanë nevojë të nxirren në dritë në një interpretim të ri, por gjithmonë duke respektuar ezigjenzen interpretative të epokës. Një nga dëshirat e mia do të ishte njohja dhe përhapja më e gjerë e muzikës Baroke e Rinashimentale në Shqipëri.
Faleminderit për intervistën Sonila dhe suksese në rrugën tuaj sa të bukur, por edhe të vështirë artistike.