Është e pamundur të mos kesh provuar dhe shijuar karamelet me xhelatinë. I gjejmë në forma dhe shije te ndryshme, plot me ngjyra të ndezura tepër të bukura.
Nëse këto karamele të pëqejnë aq sa nuk do ta dish se me se bëhen, atëherë mos lexo më tej, sepse mënyra e prodhimit të këtyre ëmbëlsirave i ngjan një filmi të frikshëm.
Së pari, këto ëmbëlsira bëhen me xhelatinë, e cila përgatitet nga lëkurat dhe kockat e kafshëve. Mënyra e përgatitjes nga ana tjetër është një tmerr i vërtetë, shpjegon The Huffington Post.
Si behen
Karamelet xhelatinoze u përgatitën për herë të parë në Gjermani. Një paketë prej tyre përmban 22 gramë sheqer, ose 5 lugë çaji ose 58% e dozës ditore të sheqerit. Nëse konsumoni shumë sheqer, veçanërisht në formën e këtyre karameleve do të përballeni me një sërë sëmundjesh të rrezikshme: obezitet, diabet, tension i lartë i gjakut dhe sëmundjet e zemrës.
Në momentin që dëshiron të fusësh në gojë një karamele në dukje të pafajshme, duhet të dini që për përgatitjen e saj janë therur, copëtuar dhe përçudnuar qindra kafshë, kryesisht derra. Pas therjes, trupi i këtyre kafshëve shkërrmoqet, ligamentet, kockat, lëkura, gjithçka copëtohet, shkrihet dhe shndërrohet në xhelatinë.
Mund te shmangen
Këto karamele me përmbajtje të lartë mishi nuk janë të këshillueshme për vegjetarianët apo veganët. Ato janë të ndaluara edhe për besimtarët hebrenj apo ata që kërkojnë produkte të ashtuquajtura “hallall”. Megjithatë, në Turqi kompania e njohur Haribo prodhon arusha xhelatinozë dhe ëmbëlsira të tjera që janë hallall. Disa prej tyre prodhohen me pektinë ose niseshte që janë të përshtatshme për vegjetarianë.
Shqiptarët mund vetëm t’i luten distributorëve të autorizuar të karameleve xhelatinoze që mallin për tregun vendas ta importojnë nga Turqia, që të shmangin xhelatinën nga kafshët. Më mirë niseshte, të paktën për sytë dhe mendjen.
Karamelet e prodhuara me niseshte ose acid fumarik janë pak më të tharta, janë më të mëdha në formë por edhe më lehtësisht të kafshueshme. Burimi: AgroWeb