Teatri vlen, edhe me një tullë të mbetur! – nga Alma Papamihali

Nepermjet nje statusi ne faqen e saj te Facebook, poetja e njohur Alma Papamihali shpeh qendrimin e saj ne lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Asnjë llogjikë nuk më bind për zëvëndësimin e Teatrit ekzistues, me një Teatër modern. Askush!
Nuk është qëndrim politik ky, është mendimi i njė qytetareje evropiane, me vendlindje në Tiranë, që edhe kur ndihet blu, kjo thjesht si deti i vendit të saj.
Kush më thotë nga ata që e njohin dhe e duan Tiranën. Ku u „zhdukën“ kinematë e Tiranës, kur kishim një të tillë në çdo lagje? Ku humbi Cirku i Tiranës, që na mblidhte çdo të djelë? Po Pallati i pionierëve, nga i cili dolën qindra fëmijë artistë, të cilët shkëlqejnë sot nëpër botë? Pse u la të „kalbet“ Piramida?
„Modernizimi“ nuk shihet tek xhamat dhe lartësia e një godine, por tek funksioni i një objekti. Jeta kulturore e Tiranës, ishte shumë më mirë e organizuar para 90-tës, ndërkohë që pas këtij viti, u la të shkatërrohet pamëshirshëm gjithçka. U „bastardua“ qendra e qytetit, që kishte një arkitekturë aq të kujdesshme dhe me hapësirë. Politika varrosi për së gjalli çdo institucion kulturor, duke varrosur dhe fëmijërinë e një brezi të tërë, duke shembur djersën e prindërve tanë. Një Tiranë që mbeti pa stacion treni, ku ne si fëmijë nxitonim të kapnim trenin për në Durrës (për të shkuar në plazh). Tirana po modernizohet për ata që se njohën Tiranën më parë, për ata që nuk ju intereson identiteti i saj, sepse e shohin Tiranën si një qytet banimi apo si një vend pune, ndërsa lidhjen shpirtërore e lanë në qytetin e lindjes së tyre. Sepse kush e do vërtetë Tiranën, do edhe Teatrin! Kush thotë të shembet Teatri, nuk e meriton Tiranën.
Ky qytet krahëhapur, që priti në gjirin e saj këdo, nuk e meriton indiferencën njerëzore.
Ai Teatër vlen, sepse ushqen zemrën e Tiranës dhe është ndër faktet e pakta që i kanë mbetur atij qyteti te madherishem.
Ja kam „borxh“ këtë „zë të ngritur“ atij Teatri, sepse më fali emocion dhe të qeshura, ashtu si edhe Teatri i Kukullave. Le të mbesë ashtu ajo godinë, qoftë edhe sikur t‘i kishte mbetur një tullë e vetme, sepse edhe tulla e fundit do ishte histori. Teatri nuk është as i Erjonit, as i Monikës, as i Lulit dhe as vetëm i artistëve që po e mbrojnë momentalisht. Unë nuk i njoh ata, sepse kam qënë larg kur ata janë ngjitur në atë skenë. Unë kam parë të interpretojë, Robert Ndrenikën, Roland Trebickën, Margarita Xhepën, Violeta Manushin, Ndricim Xhepen, Eva Alikajn, Viktor Zhustin, Pavlina Manin, Agim Shuken, Elvira Diamantin etj. Ndaj e ngre zërin tim për vendlindjen time. Jam për një Teatër të ri, kudoqoftë në periferi të Tiranës, por jo aty ku janë ende të gjallë gjigandët.
Teatri është i Popullit!

Dhe si për mbyllje po përdor shprehjen nga komedia e famshme „Pallati 176“ që u shfaq në vitin 1986 dhe që e kam parë dy ditë rresht, kur „Sander mafishja“ tha:
„E thash më në fund, se plasa“!

Fotografia e Alma Papamihali
Alma Papamihali
Foto: Janar 2020 / Para Teatrit Kombëtar.