Test: Sa të mira janë njohuritë tuaja mbi diellin?

Tani, asnjë nga ne nuk është i painformuar përsa i përket rreziqeve të diellit në plazh e kudo. Megjithatë është e çuditshme që, pavarësisht nga të gjitha këto, rastet me melanomë – forma vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës – duket se janë dyfishuar 20 vitet e fundit. Mos ka boshllëqe në njohuritë tuaja që mund t’ju vënë në rrezik? Testojeni veten me pyetjet e mëposhtme qe mund t’ju ndihmojnë të shpëtoni jetën tuaj. 

Pergatiti: Rea Hyseni

1. Të gjitha markat e kremrave diellorë përdorin të njëjtat udhëzime për faktorët e mbrojtjes kundër:

A. Po, të gjitha duhet të ndjekin të njëjtat standarte.
B. Jo, ndryshon shumë nga kontejnëri në kontejnër.
C. Ndryshojnë pak, por në thelb janë e njëjta gjë.

(Përgjigjia: B
Fatkeqësisht, nuk ka një standart ndërkombëtar të njohur për kremrat e diellit. Faktori mbrojtës në një shishe mund të ofrojë një nivel të ndryshëm mbrojtjeje nga një tjetër shishe me të njëjtin faktor mbrojtës. Basti juaj më i mirë është të zgjidhni kremra që ofrojnë një mbrojtje të mirë nga rrezet UVA dhe UVB – përdorni të paktën një krem me faktor mbrojtës 15 dhe me një përqindje kundër UVA-ve të paktën me 4 yje. Kërkoni gjithashtu dhe produkte me shkrimin “Dermatologjikisht të testuara”. Dhe, kini parasysh, se asgjë me faktor mbrojtës 30 nuk ia vlen paratë, sepse përftoni shumë pak ekstra mbrojtje. Madje edhe fëmijët s’kanë nevojë për produkte me faktor shumë të lartë nëse kremi i diellit aplikohet ashtu siç duhet dhe shpesh. Nëse ata digjen, kjo është gjë më serioze, sepse lëkura e fëmijëve është më e prekshme ndaj dëmeve se ajo e të rriturve. Kështu, lyejini me krem 15-30 minuta para ekspozimit në diell, për t’i lënë kohë kremit të veprojë, aplikojeni trashë kremin dhe përsëriteni lyerjen shpesh.)

2. Të gjithë duhet të përdorin të njëjtin faktor mbrojtës?

A. Po, të gjithë duhet të përdorin të paktën një faktor 15.
B. Jo, varet nga tipi i lëkurës.
C. Nuk ka shumë rëndësi, mjafton të përdorësh diçka.

(Përgjigjia: A
Duhet të përdorni gjithmonë një faktor 15 ose më lart. Mund të duket si kujdes i tepruar, por është e vetmja mënyrë që të mos digjeni. Mos u qetësoni me mendimin se mund ta ulni faktorin mbrojtës andej nga fundi i pushimeve, vetëm pse tashmë keni marrë ngjyrë. Mund të digjeni përsëri seriozisht.)

3. Sa shishe kremi ju duhen për dy javë pushime?

A. Një shishe për person, për dy javë.
B. Dy shishe (1 për çdo javë).
C. Tre shishe për person, për dy javë.

(Përgjigjia: C
Duket shumë, por kjo bazohet në përdorimin e një shishje 500 ml me faktor mbrojtës 15 dhe e aplikuar në sasinë e duhur, që do t’ju mbrojë për afërsisht dy orë e gjysmë. Shumica e njerëzve aplikojnë shumë pak krem mbrojtës, gjë që do të thotë se nuk sigurojnë mbulesën më efektive ndaj rrezeve, kështu që përdorni gjithmonë një sasi të mirë. Nëse jeni me kostum banjoje, duhet të aplikoni 35 ml – rreth 6 lugë çaji – tre herë në ditë. Çdo krah dhe këmbë ka nevojë për 1 tubet të mirë kremi.)

4. Për sa kohë mund ta mbani produktin kundër diellit, para se ai të humbasë efektivitetin e tij?

A. Gjashtë muaj.
B. Dy vjet.
C. Gjithmonë vazhdon të ofrojë njëfarë mbrojtjeje.

(Përgjigjia: B
Produktet kundra diellit në formë kremi mund të durojnë deri në dy vjet. Pas kësaj kohe, kimikatet fillojnë të prishen. Drita e diellit dhe nxehtësia mund të alterojnë gjithshtu disa kimikate, kështu që s’e ruajnë për shumë kohë faktorin që shkruajnë në etiketë. Gjatë pushimeve, ruajeni kremin në vend të freskët dhe larg dritës së drejtpërdrejtë të diellit. Nëse nuk ka mbetur shumë krem, bëni mirë ta hidhni dhe të blini një krem krejtësisht të ri vitin që vjen.)

5. Cilat tipe lëkure janë më të prirura për t’u djegur?

A. Bjondet, me lëkurë shumë të hollë.
B. Kuqalashet me prenka.
C. Të gjithë mund të digjen, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës.

(Përgjigjia: C
Të gjitha tipet e lëkurës digjen – thjesht kanë kohëra djegieje të ndryshme. Megjithatë, personat me lëkurë të hollë ose me prenka, sy në ngjyrë të çelët ose me flokë të çelët ose të kuq, mund të digjen shumë më shpejt.)

6. A është lëkura juaj e mbrojtur gjatë notimit?

A. Po, nëse trupi është nën ujë, rrezet nuk mund t’ju arrijnë.
B. Jo, madje jeni në një rrezik edhe më të madh për t’u djegur, sepse uji reflekton rrezet e diellit.
C. Rrezikoni po aq sa kur bëni banjo dielli.

(Përgjigjia: B
Nëse po planifikoni të kaloni një kohë të mirë në ujë, përdorni një produkt kundra diellit që i reziston ujit. Bëni shumë kujdes kur e aplikoni në shpinë, në supe, qafë dhe fytyrë, që janë edhe pjesët më të ekspozuara kur notoni. Së fundi, përsëriteni aplikimin e kremit mbrojtës kur dilni nga uji.)

7. Ju mbrojnë rrobat nga dielli?

A. Po, dielli nuk mund të depërtojë në rroba.
B. Varet nga çfarë keni veshur – disa veshje e lejojnë diellin të depërtojë në lëkurë.
C. Jo, duhet të përdorni krem kun-dra diellit edhe kur jeni e veshur.

(Përgjigjia: B
Sa më e mbuluar të jetë lëkura, aq më shumë mbrojtje nga dielli ka. Përdorni materiale me thurje të ngjeshur, sepse bllokojnë shumicën e rrezeve UV. Duke i mbajtur rrobat lart dhe kundrejt diellit, ju mund të shikoni se sa të dendura janë. Fibrat natyrale, si liri dhe pambuku, janë fantastike, veçanërisht nëse janë të derdhura dhe të lirshme. Mos harroni edhe sytë. Investoni në një palë syze të mira.)

8. Aplikimi i një produkti për nxirje të simuluar ju mbron nga dielli?

A. Po, ju krijon një shtresë mbrojtjeje.
B. Varet nga fakti nëse produkti ka apo jo një faktor mbrojtës.
C. Jo, ky lloj produkti nuk ju mundëson as një lloj mbrojtjeje nga dielli.

(Përgjigjia: C
Edhe nëse produkti për nxirje të simuluar tregon se ka një faktor mbrojtës, nevojitet që ta aplikoni menjëherë para se të ekspozoheni në diell, për të përftuar mbrojtjen që ka. Faktori mbrojtës nuk zgjat për një natë të tërë deri të nesërmen, pavarësisht se e nxira vazhdon të jetë. Kërkimet kanë treguar se taninat jashtë shishes janë absolutisht të sigurta. Nëse vazhdoni të jeni e vendosur të nxiheni nga dielli, përdoreni këtë lloj produkti andej nga fundi i pushimeve, për të shmangur dëmtimet ditën e fundit.)

9. Cilat simptoma janë më të prirura të jenë simptoma të kancerit të lëkurës?

A. Njolla gjithandej me simptoma gripale.
B. Një plagë e madhe.
C. Një nishan ose prenkë që ndryshon formë ose ngjyrë.

(Përgjigjia: C
Çdo nishan ose prenkë që ndryshon madhësi, trashësi ose ngjyrë, mund të jetë një shenjë parakancerore. Duhet të kontrolloni për ndonjë rritje (tumor) të re, për një plagë që nuk mbyllet për 4 javë ose njollë që vazhdon t’ju kruhet dhe t’ju dhembë. Një nishan që përgjaket spontanisht gjithashtu duhet kontrolluar. Kjo s’vlen për rastin kur e lëndoni padashje një nishan ose e kapni me zinxhir – të gjitha nishanet e lëkurës do të përgjakeshin po të ndodhte kështu.)

10. Cili nga këto nishane është kanceroz?

(Përgjigjia: A, B dhe C
Është një pyetje – kurth, sepse të gjitha nishanet e treguara në foto janë shenja të zhvillimit të një kanceri. Nëse keni ndonjë nishan të dyshimtë, mos e nënvlerësoni. Shkoni të vizitoheni, pavarësisht se sa i vogël mund të jetë ai ose se sa budallenj mund të ndiheni. Kjo mund t’ju shpëtojë jetën.)

©femra-moderne.com