Suela priste të kalonte pushime të shkujdesura… Por planet e saj prishen nga ardhja e fqinjëve. Qëndrimi në plazh do të jetë më pak i qetë nga sa ishte parashikuar – por shumë më ekzaltues.
Tre javë në atë shtëpi të fshehur mes pishash, tre hapa larg detit, premtonte të ishte hyjnore. Suela kishte punuar shumë gjithë vitin dhe prindërit i kishin premtuar se do t’i linin dorë të lirë gjatë pushimeve.
Shtëpia kishte një taracë të madhe që binte mbi një pishnajë dhe përbëhej nga dy apartamente. Për një kohë të gjatë apartamenti tjetër mbeti bosh, derisa një ditë…
-Redi! Mund ta merrje dhe valixhen time! Është tmerrësisht e rëndë!
-Mund të mos e kishe mbushur edhe aq shumë!
Suela zgjati kokën për të parë se cilët ishin këta.
Një djalë i rritur, brun, po ndjitej drejt rrugëzës së shtëpisë, ndërsa një grua bjonde pas tij po tërhiqte me zor të madh një valixhe si sënduk. Kishin ardhur fqinjët e apartamentit pranë.
-Tungjatjeta! – tha gëzueshëm Suela, me qëllim që të shtendoste situatën.
-Ç’kemi! – murmuriti djaloshi.
Ajo mund të thoshte se ishte i bukur pa atë pamje të rëndë. Ai u zhduk brenda shtëpisë. Gruaja la valixhen dhe u drejtua nga Suela.
-Ah! Ju jeni fqinja jonë? Gëzohem që po njihemi! Quhem Jolanda. Qenka shumë bukur këtu! Shumë, shumë bukur!
Jolanda kishte njëfarë hijeshie që prishej ndonjëherë nga makijazhi i saj i dukshëm, që i jepte një pamje si prej kukulle. S’duhej të ishe psikologe, për të kuptuar se ajo dëshironte të dukej më e re nga ç’ishte!
-Epo, le të rregullohemi! – tha ajo me një buzëqeshje të madhe.
-Dëshironi t’ju ndihmoj? – propozoi Suela.
-Me kënaqësi! – pranoi Jolanda.
Dritarja e kuzhinës u hap dhe në të u shfaq koka e djaloshit.
-Do të rregullohemi vetë, faleminderit! – u përgjigj thatë ai.
Suela i hodhi një shikim të ëmës së djaloshit dhe vuri re që ajo u ndje shumë në siklet. Dukej që diçka nuk shkonte midis të dyve! Kjo s’ishte punë e saj, por sjellja e djalit e nevrikoste.
Suela shkoi në plazh, duke i lënë fqinjët t’i zgjidhnin vetë punët e tyre. Pasdite u kthye me një humor të shkëlqyeshëm, sepse kishte takuar një grup miqsh, me të cilët edhe do të dilte në mbrëmje.
Jolanda po thekej në diell. Ajo u drejtua, krejt e qeshur; dukej se e kishte marrë mirë veten pas grindjes.
-Kam dëshirë për një akullore – tha ajo. – Do më tregoni se ku mund të gjej dhe t’ju ofroj një?
E pse jo? Kishte kohë deri në mbrëmjen për takimin e lënë, kështu që pranoi.
Jolanda foli e foli gjatë gjithë rrugës me një gëzim të ethshëm. U ulën në taracën e një lokali dhe ajo thirri kamarierin.
-Duke u menduar, do të merrja një koktejl në vend të akullores – tha ajo.
Ajo po provonte gotën e saj, kur Suela i tha:
-Shiko! Po vjen yt bir.
Lajmi me sa duket i ndryshoi humorin asaj.
Me të mbërritur pranë tyre, Redi iu kthye asaj.
-Ç’po bën këtu? – me një ton të egër zëri.
-S’e shikon, po freskohem në shoqërinë e fqinjës sonë.
Redi e kapi fort për krahu dhe e ngriti.
-Kthehemi në shtëpi!
-S’kam paguar!
Djaloshi pa faturën dhe la paratë në tryezë.
Të gjithë klientët, që s’kishin humbur as edhe më të voglën imtësi të ngjarjes, e ndoqën me sy largimin e çiftit të çuditshëm. Edhe Suela u largua, sa më denjësisht që mundi, duke u përpjekur të mos merrte të njëjtën rrugë.
Kur u kthye në shtëpi, dera dhe dritaret e fqinjëve ishin të gjitha të mbyllura. Iku në takim pa i parë më.
Mbrëmja mes muzikës së kitarës, këngëve dhe shakave bëri që ajo ta harronte incidentin e ndodhur. U kthye në mesnatë.
Të nesërmen në mëngjes, dritaret e fqinjëve vazhdonin të ishin të mbyllura dhe po ashtu i gjeti edhe kur u kthye nga plazhi, pak para mesditës.
E shtyrë nga kurioziteti, shkoi të vinte veshin pas dritares së kuzhinës. Ajo dëgjoi fjalë të pakuptueshme.
-Jolanda? – thirri ajo. – Aty jeni? Jeni mirë?
-Po, po, mos u shqetësoni.
-Mund të hyj?
Suela tashmë e kishte shtyrë derën, por ajo ishte e mbyllur me çelës!
-S’dëshironi të ma hapni? – e pyeti ajo.
-Jam… jam e mbyllur brenda!
-Yt bir jua ka bërë këtë? Dëshironi të thërras policinë?
-S’ju kanë mësuar të merreni me punët tuaja? – dëgjoi zërin e zemëruar e Redit nga pas kurrizit.
-Duhet të ndihmojmë këdo që ka nevojë për ndihmë! – iu përgjigj ajo e nevrikosur.
Ai buzëqeshi me trishtim.
-E di dhe madje së tepërmi. Epo, largohuni me qetësi. Është mënyra e vetme për të na ndihmuar.
Ajo e lejoi të hynte në shtëpi dhe ta mbyllte derën, pa protestuar.
S’dinte ç’të mendonte më. Ai sillej me të ëmën si një torurues. Por në sytë e tij mund të shihje shumë dëshpërim…
Suela e dinte shumë mirë që nuk mund të mbante të gjithë hallet e botës, por edhe s’mund ta injoronte atë që po ndodhte me fqinjët e saj! Pastaj, ky djalë…
Duhej ta pranonte, Redi e kishte tërhequr që në çastin e parë. Pavarësisht nga pamje e tij e rëndë dhe fjalët therrëse.
Pasdreke, ajo u ul në një stol në taracë, sikur po lexonte, duke spinuar derën e fqinjëve. Ajo u hap andej nga ora 15. Doli Jolanda, gjithmonë e mbajtur mirë, megjithatë rreth buzëve i dukeshin disa rrudha lodhjeje.
-Oh, paskemi një lexuese shumë të vendosur! ju drejtua ajo me një buzëqeshje të sforcuar.
Redi u duk menjëherë pas saj. Hapi një shezlong.
-Shtrihu, mama! – i tha ai i vendosur, por me shumë butësi.
Jolanda iu bind. Ai i zgjati një revistë dhe filloi të çapitej nëpër kopsht. Suela nuk mund të rrinte pa vështruar. Ai bënte sikur nuk e vinte re.
Pas pak, Jolanda u zgjua nga përgjumja:
-Pse nuk shkoni të shëtisni bashkë ju të dy? – sugjeroi ajo.
-Mama!
-Premtoj se do të rri urtë. Më lidh po të duash pas shezlongut, shtoi ajo me një ngërdheshje që të trondiste.
-Nuk mendon se ke rënë shumë në sy?
-S’të vjen turp që i flet nënës tënde me këtë gjuhë? – ndërhyri Suela. – Jolanda është aq e madhe sa të dijë se ç’duhet të bëjë!
-Fatkeqësisht, jo! – replikoi Jolanda. – Dhe, si fillim, nuk quhem Jolanda. Emri im është Ana. Ai emër idiot ishte pjesë e kinemasë sime!
-Mama, mjaft!
-Jo, akoma jam në gjendje të njoh një person me vlera! Dhe kjo vajzë këtu është njëra prej tyre. Ta kam prishur kaq shumë jetën. Nuk dua të ta pengoj edhe këtë mundësi që ke.
Që të dy të rinjtë, të sikletosur nga ky sinqeritet i papritur, nuk guxonin as të shiheshin.
Ana vazhdoi.
-Kam një tendencë jo të këndshme për pijen. Po përpiqem të heq dorë. Dhe biri im fatkeq po më mbështet në këtë provë. Kjo nuk i lë shumë kohë për të bërë jetën e tij! Duhet ta falësh që tregohet kaq i pakëndshëm!
-Mama, po bëhesh qesharake! – protestoi Redi. – Historitë tona nuk kanë ç’i duhen të tjerëve.
Mund të vije bast se ishte gati të qante.
-Nëna jote më duket shumë e guximshme, – iu kthey Suela. – Shumë njerëz duhet të marrin shembull nga ajo.
-Shembull nga unë?
-Po! Nëse përballesh me realitetin, atëherë jo gjithçka është humbur!
Redi i hodhi një vështrin shumë mirënjohës. Ana e vuri re dhe buzëqeshi.
-Atëherë? Si mund t’jua mbush mendjen që të shkoni të shijoni diellin?
-Të shkojmë të gjithë bashkë! – propozoi Suela.
Kjo shëtitje ishte e para e shumë të tjerave.
Pak nga pak, nëna dhe i biri filluan të qetësoheshin. Ana, e para, përpiqej të ishte sa më diskrete që të ishte e mundur. Edhe prindërit e Suelës vendosën që të jepnin mbështetjen e tyre.
Dhe, më së fundi, erdhi dita e shumëpritur, kur Redi dhe ajo mundën të dilnin pa dëshmitarë. Ata kishin grumbulluar kaq shumë gjëra për të thënë, saqë në fillim mbetën si të anestetizuar nga emocioni. Redi filloi i pari:
-Të falenderoj për atë që bëre. Jo gjithmonë është e lehtë me nënën time…
-Nëna jote është e adhurueshme! Jo se më përket, por… si filloi të pinte?
-Është histori e gjatë! Im atë na e nxiu jetën… para se të na braktiste.
-Ah! Por kjo nuk do të thotë se duke u mbyllur te njëri-tjetra do t’i zgjidhnit gjërat!
-E di. Vetëm se, janë të rrallë njerëzit që na pranojnë me problemin që kemi.
Suela e vështroi në sy.
-Nëse i duam njerëzit, i pranojmë ashtu siç janë, apo jo? Eshtë e natyrshme.
Ai i përkëdheli faqen.
-Ti je një person i veçantë, e di këtë?
-Jo më shumë se ty!
Redi shpërtheu në të qeshura. Ishte hera e parë që Suela e shihte sinqerisht të gëzuar. I vinte të qante nga lumturia.
-Atëherë, le të themi që të dy jemi persona të mrekullueshëm! Ka gjetur tenxherja kapakun…
Ai preferoi ta përfundonte fjalinë me një puthje të gjatë, shumë të gjatë.