A më tregon numrin tënd?

Më thoni numrin tuaj dhe do t’ju them se kush jeni. Por jo numrin e celularit dhe as të këpucëve: shifra në fjalë është ajo e djemve me të cilët keni qenë e lidhur.

 Ja cfare shkruan revista Cosmopolitan rreth kesaj ceshtje.

Nuk e besoj që nuk i keni bërë asnjëherë llogaritë… Sepse më besoni: nuk ka mashkull që nuk është kurioz për ta ditur “numrin” tuaj. Për dy arsye: për të pasur një ide se sa e zonja jeni me meshkujt dhe për të ditur si të sillet kur midis jush të ndizet ai fitili i pasionit. E kaluara juaj sentimentale është një argument delikat për të. Nëse keni patur pak histori, mund t’ju marrë për një të hutuar. Dhe nese ish të dashurit tuaj mjaftojnë për të ripopulluar Islandën? Kështu rrezikon ta kapë kriza e krahasimit.

  • Si fillim duhet të vihemi dakort se çfarë kuptoni me “të jesh e lidhur me një djalë”: ka rëndësi vetëm raporti i plotë apo vlen edhe një puthje e thjeshtë? Gjykimi ynë varet edhe nga mosha juaj. Të kesh patur 5 lidhje brenda moshës 16 vjeçe se si të duket, ndërsa brenda moshës 25 vjeçe është tjetër gjë. Pika e tretë: opinioni ynë është pashmangshmërisht i kushtëzuar nga qëllimet që kemi përsa ju përket juve. Nëse objektivi ynë është një lidhje e shpejtë, sa më shumë histori të keni në kurrikulumin tuaj, më mirë është, sepse është përvojë. Por nëse bëhet fjalë për një lidhje të mundshme, le të themi që 4-5 meshkuj mund të mjaftojnë. Dhe nëse keni ndër mend një lidhje serioze, numri i dashuriçkave vjen duke u ulur, maksimumi tre: na vjen menjëherë në mendje shprehja “ujku (por edhe ulkonja) qimen e ndërron por zakonin s’e harron…”

Në kuotën 1: Jeni një murgeshë ose jeni vetëm në fillimet tuaja

Edhe mashkulli më i humbur e kupton që një mesatare kaq e ulët shpjegohet vetëm me dy gjëra: që jeni shumë e re dhe se kjo ka qenë një histori e rëndësishme. Nga ato që zgjasin një, dy, pesë vjet, duke ngrënë dreka e darka në shtëpitë e njëri-tjetrit. Më pas lidhja mbaron keq dhe juve nuk ju ka kaluar ende. Me siguri ju vazhdoni të shpresoni në një ribashkim dhe keni nevojë për siguri dhe dashuri. Në fakt, më shumë se për një të dashur ju keni nevojë për një mik të cilit t’i tregoni vuajtjet tuaja të dashurisë dhe që t’ju ndihmojë të dilni nga ky tunel i errët. Dhe djali fillon të trembet se kështu nuk do të sajojë asgjë. E shumta, ndonjë puthje vetëtimthi, pasi ju keni rrëkëllyer disa gota. Kjo histori është disi e ndërlikuar. Pa marrë parasysh që e kaluara juaj seksuale i lë të kuptojë që ju nuk merrni shumë vesh.

Deklarohuni kështu: Gënjeni pa ju ardhur fare turp. Në këtë rast e vërteta nuk ju shpaguan. T’i thoni që keni patur vetëm një histori rrezikoni të dukeni një fanatike. Më mirë fusni në llogarinë tuaj edhe shokun e kopshtit ose komshiun. Vjet ai ju falenderoi duke ju dhënë një puthje në faqe. Pastaj ngacmojeni duke i thënë që t’ju mësojë ai se si bëhen këto punë. Fantazia e mësuesit dhe shkollares funksionon gjithmonë.

Nga 2-5: Jeni vajza tipike për së mbari

Keni patur pak histori, por që kanë qenë të rëndësishme. Jeni vajza tipike serioze. Me ju as që bëhet fjalë të kalosh një aventurë. Keni parime të shëndosha dhe qëndroni me këmbë në tokë. Jeni e gatshme të krijoni familjen tuaj. Dhe pastaj nuk ka më as diskoteka dhe pushime me shoqet. Po nëse pas gjithë kësaj lodhjeje të mos ia vlente barra qeranë? Dreqi e mori, sa e mirë që jeni…

Deklarohuni kështu: Specifikoni që tre janë historitë, por pastaj të tjerat janë dashuriçka. Pra, gjë tjetër janë të fejuarit e vërtetë dhe gjë tjetër janë të dashurit. Do të bëni figurën e vajzës së mirë, por ndonjëherë është mirë të thyeni rregullat. Dhe do të lini derën hapur për një aventurë të mundshme jashtë programit. Ndoshta pikërisht me të.

Nga 6-10: Joshëse, por e gjallë (jo keq, jo keq)

Çështja bëhet intriguese. Përvojë… keni. Kënaqësia… ju pëlqen. Nëse ju pëlqen edhe ai, edhe më mirë. Nja dhjetë meshkuj, hë? Duhet të jeni dinamike, nga ato vajza që u pëlqen ta shijojnë jetën, pa u menduar shumë. Nëse ia keni vënë syrin ndonjërit, nuk e zgjasni. Sa njiheni, dilni disa herë për të pirë diçka, hani ndonjë darkë bashkë dhe ja ku u bë. Nëse në fund nuk do të jetë një histori dashurie por një aventurë, të paktën ju e provuat një herë, apo jo?

Deklarohuni kështu: Thuajini të vërtetën. Vajza e çiltër u pëlqen të gjithëve, sidomos në fushën e marrëdhënieve. Madje, nëse e shikoni të arsyeshme, qëndiseni me hollësira pikante. Por kujdes se mos e teproni ose atij do t’i lindë dyshimi që “Qeni që leh…”.

Nga 11-20: Me një si puna juaj duhet të jesh me të vërtetë i fortë

Keni qenë e lidhur me Adin, Ilirin, vëllain e tij, Erin, dy kolegë të zyrës, instruktorin e aerobisë: teknika nuk ju mungon aspak. Pastaj, përveç sasisë rëndësi ka edhe cilësia… Çfarë pretendon më shumë një burrë nga jeta? Megjithatë, tani që po e mendoj, rrezikoni disi. Gjithë kjo përvojë e juaja mund ta fusë në ankth. “Po nëse s’ia dal mbanë”, fillon të pyesë veten ai. Morali: përpara se ta takoni përsëri, lini të kalojnë 3 muaj.

Deklarohuni kështu: “Iliri? S’ishte ndonjë gjë”. “Eri? Vetëm fjalë kishte”. “Adi? Një aventurë. Por ty jam e sigurt që këto gjëra nuk të ndodhin, apo jo hamshor?”. Si një mashkull i fortë, do të fryhet si gjel kaposh.

Më shumë se 20: Jepi, do bëkemi qejf!

Pra, prit të bëj pak llogaritë. Jeni më shumë se 20 vjeç, keni qenë e lidhur me 30 djem, ta zëmë se keni filluar në moshën 16 vjeç: keni një mesatare prej 7-8 në vit, pra çdo muaj e gjysmë nga një. Ta zëmë se edhe ndonjë edhe mund ta keni harruar… E keni kaluar pak numrin. Përpara numrave tuaj djalin mund ta zërë paniku. Sepse 99% e meshkujve ju quan si një “vajzë e lehtë”. Nëse do të keni një mesatare të tillë, një arsye do ta keni, apo jo? Kushedi se çfarë dini të bëni…

Deklarohuni kështu: S’ka shumë për t’u thënë: në rastin tuaj shifrat flasin vetë. I keni parasysh bletët? Për atë, ju jeni si mjalti. Por që t’ju shndërrojë në mbretëreshën e tij duhet të kalojë kohë. Por nëse aplikoni, ndoshta atij do t’i pëlqejë. Dhe ja ku mori fund!

Burimi: Cosmopolitan

femra-moderne.com