Vetitë e pabesueshme te mentes (nenexhikut)

Cilat jane disa nga vetite mireberese te mentes per shendetin tone?  

Largon të përzierat

Mentja është një tretëse shumë e mirë: përtypja e disa gjetheve dalëngadalë, shmang të përzierat dhe pështjellimin shkaktuar nga deti. Ndërsa, nëse e përdorni në kuzhinë, stimulon prodhimin e lëngjeve gastrike dhe pengon fermentimin në zorrë. Pikërisht për këtë veprim shumë stimulues, mentja nuk duhet të përdoret nga personat që vuajnë nga gastriti, ulçera.

Dhuron një gojë të shëndetshme

Nëse ndieni një shije të keqe në gojë, zgjidhja është e thjeshtë: përtypni disa gjethe të freskëta menteje. Përveçse ruan një erë të freskët goje, vajrat e pranishme te gjethet kanë edhe një veprim dezinfektues dhe përmirësojnë higjenën orale. Bëjeni zakon të bëni tre herë në ditë shpëlarjen e gojës me një gargarë të tillë: mbushni një flakon me mbyllje hermetike me 100ml verë të bardhë dhe 10g mirrë (në herboristeri). Në një tjetër flakon, përzieni 50ml verë të bardhë me 5g akacie (në herboristeri); lërini pushim për një javë, filtrojini, bashkojini lëngjet dhe shtoni 40 pika vaj esencial menteje.

Lufton migrenën dhe dhembjet e barkut

Jeni e tensionuar? Migrena ju bezdis? Prej kohësh, mjekësia popullore këshillon menten kundër dhembjes së kokës. Nuk duhet ta hani, por vetëm të fërkoni ballin dhe tëmthat me pak pika esencë, të holluara në një lugë kafeje vaj (kujdes mos prekni sytë, sepse djeg). Edhe nëse vuani nga dhembjet e barkut për shkak të zorrës së acaruar, mentja mund t’ju ndihmojë. Disa studime, të kryera mbi fëmijët që vuajnë nga ky shqetësim, kanë treguar se të pirët e një infuzioni menteje qetëson spazmat dhe pakëson dhembjen.

Freskon

Shuajtëse e etjes, freskuese, stimuluese, mentja është ajo që duhet kundër të nxehtit të tepruar të verës. Të gjithë meritën e ka mentoli, një vaj esencial i aftë të veprojë si tonik për organizmin dhe freskues për lëkurën. Në momentet më mbytëse, shtrydhni midis duarve një gjethe menteje dhe kalojeni në krahë, qafë dhe ballë.

  • Kundër djersës, mund të përgatisni një deodorant shumë të mirë, për ta tamponuar mbi qafë dhe sqetulla, thjesht duke lënë të zbruhen 3 lugë gjelle mente në 2 lugë gjelle uthull molle për një javë dhe duke e holluar në një filxhan ujë.
  • Për t’u rregulluar “brenda”, shijoni një çaj me mente: shtoni disa gjethe në ujin e valuar dhe pijeni në temperaturë ambjenti (jo të ftohte).

 Në kuzhinë: parfumos gjellërat tuaja

  • Në kuzhinë, mund ta shijoni menten në qindra mënyra të ndryshme: kombinohet shumë mirë me mishrat më me shije (është ideale me mishin e qengjit), por komnbinohet shumë mirë edhe me bizelet, karotat dhe kungulleshkat.
  • Për t’i dhënë diçka më shumë sallatërave tuaja, përgatisni uthull menteje, duke lënë për një muaj një degëz menteje piperkë (nenexhiku) në 200ml uthull vere të bardhë: me pak fjalë, mentja duhet mbajtur gjithmonë rezervë.
  • Për më tepër, nuk duhen shumë përkujdesje për ta kultivuar në ballkon: mjafton të mos i hidhni shumë ujë dhe ta mbani në gjysmëhije.

Dëshironi të ruani gjethet e saj?

Pritini degëzat midis qershorit dhe korrikut, pastaj vërini të thahen në hije. Kur të jenë të thara mirë, këputini me kujdes gjethet dhe mbyllini në një vazo qelqi të errët: ruhen për një vit.