Sëmundjeve si psoriazis vulgaris, ekzema kronike e thatë, deurodermitet, faza premykotike, tuberkulozi i lëkurës, sëmundja e leshmanozës, aknejuvenilia, alopecia areta, urtikaria kronike etj; kanë vetëm përfitim nga banjat e detit. Në mjekimin e këtyre sëmundjeve ndikojnë mjaft mirë rrezet ultravioletë, aerojonet dhe radioaktiviteti i ajrit, si dhe faktorë të tjerë të ajrit, të tokës dhe ujit.
Banjat e mëngjesit janë të këshillueshme për sëmundjet e kockave dhe muskujve
Banjat e detit kanë veprim pozitiv në shërimin e reumatizmës që ka kaluar fazën e acarimit para 6 – 7 muajsh. Për të tillë të sëmurë këshillohen banja ajri dhe pas një jave banjat e diellit në orët e mëngjesit. Bëhen 15 – 20 seanca të përgjithshme. Mund të bëhen edhe banja dielli të pjesshme, duke zbuluar vetëm kyçet e sëmura në 2 – 3 seanca. Nëse nuk ka prirje për t’u përsëritur sëmundja, përdoren edhe banjat e ujit, por për këtë, i sëmuri duhet ambientuar mirë, duke u lagur me ujë deti disa herë. Temperatura e ujit në fillim duhet të jetë 34 gradë Celsius, pastaj mund të zhytesh në ujë që zbret në 22 gradë.
Banjat për frakturat dhe plagët
Në raste të frakturave ose të plagëve veprojnë mirë banjat e ajrit prej 15 – 20 minutash e deri në dy orë, dy – tri herë në ditë në temperaturën e ajrit 16 – 22 gradë. Banjat e diellit përdoren të pjesshme dhe të përgjithshme. Të pjesshme, kur plagët mbyllen me vështirësi.
Tiroidet
Sëmundjet e këtyre gjëndrave janë të lidhura me funksionin e prishur të tyre nga shumë faktorë. Sëmundja që do mjekim klimaterik është tireotoksikoza e gradës së mesme dhe të rëndë, por pa çrregullime të thella. Kanë efekt të mirë vendet klimaterike në pyje dhe bregdet.
Nxehtësia, e dobishme për sëmundjet veshkave
Banjat e diellit veprojnë mbi veshkat. Krahas me zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, zgjerohen edhe enët e gjakut në veshka. Nëse shtohet djersitja në lëkurë, nuk ka ndonjë ndryshim në funksionin e veshkave, por kur nuk shtohet djersa, banjat e diellit shkaktojnë rritjen e punës së veshkave duke shtuar nxjerrjen e urinës dhe bashkë me të, edhe të lëndëve e tjera që përmban urina. Është vënë re se veprimi i rrezeve të diellit nuk shkakton ndonjë dëm mbi veshkat, jo vetëm kur ato janë të shëndosha, por edhe kur janë të sëmura. Klima e nxehtë përgjithësisht ka një ndikim të mirë në funksionimin e veshkave. Banjat e ajrit bëhen 1 – 2 orë në ditë, veçanërisht në sëmundjet e gurëve të veshkave dhe fshikëzën e urinës.