Nëpërmjet këshillave tona të shpejta, ju mund të transformoni mendjen, trupin dhe stilin tuaj të jetesës me vetëm 10 minuta në ditë.
10 minuta për një dezintoksikim të thjeshtë
30 sekonda për të bërë gati çajnikun
Shkëmbeni vetëm një çaj ose kafe të ditës me një çaj dezintoksikues. Çaji i lule radhiqesh është përdorur prej shekujsh për të pastruar mëlçinë nga helmet.
1 minutë për të zhvendosur radion
Pajisjet elektromagnetike mund të krijojnë interferencë me valët e trurit, duke ju bërë të ndjeheni shumë të lodhur. Gjithashtu mund të kompromentojnë edhe sistemin tuaj imunitar. Largojini të gjitha elektroshtëpiaket, si radiot, transformatorët, televizorët, të paktën 8 hapa larg kokës suaj kur flini.
Flakni gjithashtu edhe batanijet – është provuar se mbajnë mbetje të energjisë elektromagnetike.
1 minutë për të fërkuar me furçë trupin
Para se të hyni në dush, fërkojeni trupin në të thatë me furçë. Ky veprim stimulon sistemin limfatik për të eleminuar helmet, përmirëson qarkullimin e gjakut dhe lufton celulitin. Përdorni një furçë me qime të buta dhe natyrale, fërkohuni rreth zemrës e deri te shputat e këmbëve. Provojeni për një javë dhe do të ndjeheni shumë mirë.
2 minuta për të larguar stresin
“Frymëmarrja e barkut” përmirëson furnizimin me oksigjen në të gjithë trupin. Kjo ndihmon në largimin e helmeve që krijohen kur jemi të stresuar, gjithashtu qetëson sistemin nervor qendror. Vërini duart mbi bark, pastaj nxirreni frymën me hope nëpërmjet gojës, derisa t’i ndjeni mushkëritë krejt të zbrazura. Pastaj, merrni frymë thellë nëpërmjet hundës, duke u ndjerë si një tullumbace që fryhet (harkojeni shpinën paksa, që të fusni më shumë ajër). Me ngadalë dhe plotësisht, nxirreni frymën nga goja. Përsëriteni këtë ushtrim për gjashtë frymëmarrje, me një ritëm të natyrshëm.
5 minuta për ushtrime të thjeshta
Të hedhurit në një trampolinë të vogël është argëtuese dhe një ushtrim shumë i mirë kardiak, por ndihmon gjithashtu në pastrimin e helmeve. Stimulon sistemin limfatik në punën e tij, për të larguar produktet mbeturina larg qelizave – në fakt, të hedhurit mendohet se rrit fluksin limfatik deri në 15-30 herë! Është i efektshëm, sepse ju kërceni lart e poshtë vertikalisht, duke “pompuar” enët e limfës (që funksionojnë vertikalisht). Dhe ajo që është më e mira, nuk ju duhet më shumë kohë se 5 minuta. Hidhuni, për shembull, ndërkohë që shikoni lajmet e mëngjesit, dhe vëreni sistemin tuaj limfatik në veprim.
30 sekonda për të parë dollapet tuaja
Mendoni se pastrimi i shtëpisë është një aleat i fuqishëm në luftën kundër ndotjes? Rimendojeni. Shtëpia moderne është një pije flluskuese me kimikate sintetike të rrezikshme, që vijnë nga të mirat shtëpiake, si orenditë, tapetet dhe bojrat, ashtu si edhe nga produktet pastruese. Ato mund të bëhen shkaktare të endometriosës, kancerit, astmës dhe të çregullimeve në riprodhim. Ndërrojini produktet tuaja tradicionale me produkte alternative pa kimikate.
10 minuta për të përmirësuar gjendjen tuaj shpirtërore
2 minuta për të bërë një listë me “ndjehem mirë”
Numëroni bekimet tuaj, duke bërë një listë me 5 gjëra për të cilat jeni më mirënjohëse – mund të jetë prerja fantastike e flokëve, për të cilën të gjithë të përgëzojnë, mund të jetë apartamenti vibrues dhe i mrekullueshëm që keni, ose një mik me të vërtetë argëtues dhe i vëmendshëm, që ka qëndruar pranë jush gjatë gjithë ulje-ngritjeve tuaja. Pastaj, shënoni 5 gjëra që keni realizuar personalisht dhe për të cilat jeni shumë krenare. Ndoshta keni mësuar një gjuhë të huaj, jeni duke rritur dy fëmijë të mrekullueshëm ose keni rrezikuar duke lënë një punë të qëndrueshme, për të filluar një karrierë të re. Lexoni ato që keni shkruar. E shikoni, nuk jeni dhe aq keq. Mbajeni këtë listë në çantë. Shikojeni shpesh.
3 minuta për të menduar me ngjyra
Meditimi nuk shërben vetëm për t’ju qetësuar – kërkimet e bëra kanë treguar se shkëputja për pak minuta çdo javë mund të pakësojë nivelet e ankthit të përgjithshëm. Studime të bëra mbi meditimin tejkalues kanë treguar që meditimi ndihmon për të luftuar depresionin, pagjumësinë dhe presionin e lartë të gjakut.
Bashkërendimi i disa minutave frymëmarrje të thellë me vizualizimin e ngjyrave është një teknikë që e “fik” trurin tuaj dhe mund të shkaktojë një efekt sikur keni bërë dy orë gjumë. Praktikojeni duke qëndruar pa lëvizur, ndërkohë që merrni frymë duke parë një ngjyrë dhe e nxirrni frymën duke parë një ngjyrë tjetër. Terapistët rekomandojnë që frymëmarrja të bëhet duke parë një ngjyrë jeshile, ndërsa frymënxjerrja duke parë një ngjyrë të zezë ose gri (që simbolizojnë stresin tuaj).
30 sekonda për të pirë një plotësues
Ndjeheni të ankthshëm? Lulesahati është një barishte e butë dhe jodroguese, gjerësisht e përdorur në ilaçet për ankthin, shqetësimet, tensionin dhe acarueshmërinë. Përdoret gjithashtu për të luftuar edhe pagjumësinë.
2 minuta për të kaluar te luleshitësi
Shkencëtarë në New Jersey (SHBA) kanë vërtetuar se dhurimi i luleve mund të ndihmojë për mposhtjen e depresionit dhe ankthit, ndërsa lulet e shpërndara në dhomë rrisin ndjesitë pozitive në çdo kohë. Kështu pra, mos prisni për partnerin tuaj që t’ju dhurojë lule: shkoni e blini vetë një tufë lule. Në alternativë, kalojeni pjesën më të madhe të një dite me diell duke u sorrollatur përmes luleve që rriten jashtë. Energjia e dritës së diellit do të ndihmojë në rritjen e niveleve të neurotransmetuesit serotoninë.
30 sekonda për të pirë një gotë me ujë
Të qenët e çhidratuar ndikon në gjendjen tuaj shpirtërore, sepse mund të shkaktojë acarueshmëri dhe konfuzion. Uji është shumë i rëndësishëm për t’i bërë qelizat që të funksionojnë siç duhet, sepse pjesa më e madhe e trupit tonë përbëhet nga uji. Kërkimet e bëra kanë treguar se më shumë se gjysma e 200 personave të vëzhguar patën një përmirësim të gjendjes mendore kur filluan të pinë nga gjashtë në tetë gota ujë në ditë. Duhet të pini të paktën 1.5 litra ujë në ditë – më shumë nëse ushtroheni rregullisht.
1 minutë për të parë me hollësi në të kaluarën
Kërkimet kanë treguar se vizualizimi është një mënyrë e mirë për të përmirësuar gjendjen shpirtërore, sepse mund të sfidojë mendimet negative, si “Nuk mundem”, dhe “Jam pa shpresë”. Janë këto lloj mendimesh që ushqejnë gjendjen shpirtërore të keqe, por duke menduar pozitivisht ju do të keni çdo ditë më shumë kontroll mbi ndjenjat tuaja. Kështu pra, harxhoni pak minuta në ditë për të menduar për ditën e fundit që u ndjetë në majë të botës. Mendoni ku dhe me kë ishit. Mund të ketë qenë një drekë me një mike ose një ditë e këndshme kaluar me bashkëshortin tuaj, por rikujtoni sesa keni qeshur, sesa mirë jeni ndjerë atë ditë dhe të njëjtat kujtime do të rikthehen. Pastaj, thojini vetvetes që jeni madhështore – kujtimi i këtyre argumentave do t’ju ndihmojë ta besoni me të vërtetë.
1 minutë që gjaku të riqarkullojë
.Nëse është e mundur, shtrihuni në dysheme me këmbët të ngritura, të mbështetura në një karrige ose të ngjitura në mur, dhe merrni disa herë frymë thellë. Qëllimi i këtyre pozicioneve joge, ku koka gjendet më poshtë se këmbët, është të ndihmojë rrjedhjen e gjakut në tru me më shumë oksigjen. Kjo do t’ju ndihmojë të ndjeheni më të fokusuara dhe më shumë pozitive