Era Rusi: Koncepti im i imazhit është të jesh vetvetja

Di të jetë e ngrohtë…di të jetë e qetë dhe racionale, kur është përballë zgjedhjesh të vështira….Lufton për ta çuar përprara ambicien e saj, pa qenë e nevojshme ta shndërrojë në egoizëm… Eshtë vitale dhe disponon një buzëqeshje një milon dollarëshe. Është “tironsja’ Era Rusi që disa vite më parë la shtetin Helen, për t’u kthyer aty ku mendonte që në fillim se do ndjehej e sigurtë: “home, sweet home, Albania”.

Nga: Kozeta Kurti

E zgjidh muzika nevojën për të jetuar, apo mjafton që zgjidh nevojën shpirtërore?

Unë kam studiuar për muzikë moderne dhe ky është gjithë investimi im profesional, hobi im dhe gjithë shpirti im. Natyrisht unë do të vazhdoj të investoj për të.

Hyn tek njerëzit që e ke ditur që në fëmijëri se çfarë të pëlqente?

Jam marrë me muzikën që në festivalet e fëmijëve e deri të të rriturve. E kam ditur që e vogël se kjo ishte ajo që doja të bëja kur të rritesha. Por seriozisht me muzikën kam filluar të merrem kur shkova në Athinë ku qëllimi i studimeve të mia ishte të bëhesha këngëtare profesioniste.

Çfarë ka shoqëria shqiptare që të lodh?

Njerëzit që janë shumë të vegjël, që zvogëlojnë jetën e tyre për t’u marrë me atë të tjetrit.

Njerëzit nuk kanë një mundësi të dytë për të dhënë përshtypjen e parë, ndaj besoj se imazhi është i rëndësishëm, apo jo?

Imazhi i një këngëtari është shumë i rëndësishëm pasi është ajo me të cilin ai/ajo identifikohet dhe vlerësohet nga publiku. Koncepti im i imazhit është “të jesh vetvetja”. Nuk më pëlqejnë falsiteti dhe vulgariteti… Imazhi është shumë i rëndësishëm për jetëgjatësinë e karrierës së këngëtarit.

Duket sikur ka shumë “muzikëbërës” në Shqipëri… A ka vend për të gjithë?

Talentet në kuptimin e vokalit dhe stilit të të kënduarit mund të mos jenë profesioniste, por mund të jenë të suksesshem. Ka raste të tilla kudo në botë. Vetë spektaklet e tipit ‘ Fame’ zbulojnë çdo vit talente të tilla që kanë shans të bëhen të suksesshëm. Secili ka individualitetin e tij që e dallon nga të tjerët dhe publiku zgjedh atë që i pëlqen të shohë apo të dëgjojë… avantazhet e profesionistëve janë jetëgjatësia në skenë që i dedikohet formimit të tyre. Ka shumë krijimtari, por për fat të keq pak cilësi si në këngë, ashtu edhe interpretues. Me shumë keqardhje konstatoj se po dëgjoj shumë pak balada… dhe shumë muzikë komerciale me pak vlerë.

Si “vritet ëmbël” koha e lirë?

Përveç angazhimeve të ndryshme, në atë pak kohë që mbetet më pëlqen të iki larg zhurmës, qoftë edhe për një kafe jashtë Tiranës. Kinemaja më pëlqen shumë gjithashtu… Darkave në përgjithësi lexoj biografi të artistëve më të njohur apo kërkoj në internet, shoh shumë pak televizor.

Burimi: Revista Femra Moderne, print, gusht 2012

femra-moderne.com